Kërko

 Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore 

Papa: Jezusi është udha drejt gëzimit “përgjithmonë”, t’ia besojmë vetveten!

Papa Françesku rilexoi predikimin e lamtumirës, që u drejtoi Jezusi dishepujve të vet. “Unë jam udha”, na thotë, e “ju kam përgatitur një vend në Qiell”, ku gjithçka do të jetë “pa lot e pa përçarje”. Udha gjindet “duke ndjekur hapat e Zotit, të dashurisë, të pëvujtërisë e të besimit!”

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, shqiptuar nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, si në fillim të emergjencës së Covid 19, rilexoi atë, që njihet si “predikimi i lamtumirës i Jezusit”.

Fjalët e lamtumirës

Janë fjalët, që ua drejton dishepujve në përfundim të Darkës së Mbrame, para se t’i duhet të përballojë Mundimet. Në një çast kaq dramatik - kujtoi Papa - Krishti thotë: “Mos të trazohet zemra juaj" (v. 1). Fjalë, këto, që na i përsërit edhe ne, në dramat e jetës. Kur jemi thellësisht të trazuar. E kur pyesim veten: “Ç’duhet të bëjmë, që zemra jonë të mos tronditet kaq shumë?”.

Një zemër pa ankthe? Të besojmë në Jezusin!

Zoti na tregon dy rrugëdalje për të shpëtuar nga shqetësimet. E para është “Kini besim në mua!”(v. 1). Të duket pak si teorike, kjo këshillë, paksi abstrakte. Po Jezusi - shpjegoi Papa - dëshiron të thotë një gjë të saktë. Ai e di se ankthi më i keq, shqetësimi më i keq, lind kur mendojmë se nuk jemi të zotët ta përballojmë jetën, kur e ndjejmë veten vetëm e pa asnjë mbështetje përballë ngjarjeve, që priten.

Çlirimi nga shqetësimet, kur mbështetemi tek Ai

Ky ankth, që i shton një vështirësi të re, vështirësisë së vjetër, nuk mund të kapërcehet kur je fare vetëm.

Prandaj Jezusi na kërkon të kemi besim, gjë që do të thotë të mos mbështetemi tek vetvetja, por tek Ai. Sepse - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore -  çlirimi nga trazimet kalon përmes besimit:

“E Jezusi u ngjall e është i gjallë pikërisht për të qenë gjithnjë pranë nesh. Atëhere mund të themi: 'Jezus, besoj se u ngjalle e se të kam pranë. Besoj se po më dëgjon. Të sjell çka më shqetëson, ankthet e mia: besoj në Ty e Ty ta besoj vetveten!'”.

Zoti përgatit në Qiell një vend edhe për ne

Kemi, pastaj, edhe një rrugë tjetër, për t’i bërë ballë shqetësimit. Jezusi e shpreh me këto fjalë: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po shkoj t’ju përgatis një vend”.

Ja, pra çka bëri Jezusi për ne - kujtoi me entuziazëm Papa - na bëri gati një vend në Qiell. U bë njeri si ne, për të na marrë për dore e për të na çuar përtej vdekjes:

“Kjo siguri na ngushëllon, mbasi na kujton se ka një vend të caktuar për secilin prej nesh. Nuk jetojmë pa asnjë cak, pa asnjë qëllim. Na presin dikund. Jemi të çmuar për dikënd. Zoti është i dashuruar me bukurinë e bijve të tij. Prandaj përgatiti për ne një vend të denjë e të bukur: Parrizin! Këtu jemi kalimtarë”.

Përgjithmonë, në gëzim

U bëmë për qiell, për jetën e pasosur, për të jetuar përgjithmonë e jetës. Përgjithmonë - theksoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - gjë që nuk mund as ta përfytyrojmë. E është gjë edhe më e bukur të mendosh se kjo është përgjithmonë, se është në gëzim, në bashkim të plotë me Zotin e me të tjerët. Se atje nuk ka më lot, brerje ndërgjegjeje, përçarje, shqetësime.

Jezusi na thotë: Unë jam udha!

E menjëherë pas këtij përshkrimi të mrekullive, që përgatiti Zoti për ne, në jetën e pasosur, pyetja e Papës: “Po si mund të arrijmë në Parriz? Cila është udha?”. Përgjigjen na e jep Jezusi, kur thotë: “Unë jam udha!”. Udha për t’u ngjitur në qiell është Jezusi! Është të kesh lidhje të gjallë me Të, t’i përngjash në dashuri, ta ndjekësh hap pas hapi. E unë, i krishteri, duhet ta pyes veten: çfarë rruge ndjek?”:

“Sepse jo të gjitha rrugët të çojnë në qiell: udhët e pushtetit, të mendësisë së botës, udhët e vetëbesimit, nuk janë udhët e Krishtit. Udha e Krishtit është udha e dashurisë, e përvujtërisë, e lutjes, e butësisë, e besimit. Nuk është udha e protagonizmit tim, është ajo e Jezusit protagonist në jetën time”.

Në përfundim Papa porositi të ecim çdo ditë duke biseduar me Krishtin e duke e pyetur: "Jezus, çka mendon për rrugën time? Çfarë do të bëje ti në këtë situatë? Me këta njerëz?".

Na bën mirë t’ia drejtojmë këto pyetje Jezusit, që është udha për qiell. Nëna jonë, Maria, Mbretëresha Qiellore, na ndihmoftë ta ndjekim pas Krishtin, që hapi për ne portat e Parrizit!

10 maj 2020, 13:24