Kërko

Vatican News

Françesku inkurajon bashkëpunimin ndërkombëtar për ta mundur virusin

Në përshëndetjet pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku kujtoi Ditën e sotme Botërore për Thirrjet. Kujtoi edhe të sëmurët e Covid 19 e ata, që i asistojnë dhe e pranoi propozimin e Komitetit të Lartë të Vëllazërimit Njerëzor për një ditë lutjeje e agjërimi të besimtarëve të të gjitha feve, për ta lutur Zotin që të marrë fund pandemia.

R. SH. - Vatikan

Në përshëndetjet pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku kujtoi Ditën e sotme Botërore për Thirrjet. Kujtoi edhe të sëmurët e Covid 19 e ata, që i asistojnë dhe e pranoi propozimin e Komitetit të Lartë të Vëllazërimit Njerëzor për një ditë lutjeje e agjërimi të besimtarëve të të gjitha feve, për ta lutur Zotin që të marrë fund pandemia.

Papa inkurajon bashkëpunimin ndërkombëtar për ta mundur virusin

Me lutje e përmes lutjes përshkohen shtigjet e thirrjes së meshtarëve e rregulltarëve. Por “Jeta e krishterë” - shpjegoi Françesku, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore - është e tëra e gjithnjë, përgjigje që i jepet thirrjes së Zotit, në çfarëdo gjendjeje jete. Dita e sotme  botërore e lutjes për thirrjet na sjell në mendje - vijoi Papa - fjalët e Jezusit për punën e madhe që duhet bërë në Arën e Mbretërisë së Zotit dhe nevojën për t’iu lutur Atit, që të dërgojë punëtorë. Prej këndej, ftesa e Papës:

“Meshtaria dhe jeta rregulltare kërkojnë guxim e ngulm; pa lutje nuk mund të ecet përpara në këtë rrugë. I ftoj të gjithë t’i kërkojnë Zotit dhuratën e punëtorëve të mirë për mbretërinë e Tij, me zemër e duar të gashtme për dashurinë e Atit”.

Bashkëpunim ndërkombëtar e kujdes për të gjithë

Edhe një herë, Françesku kujtoi të sëmurët nga Covid, ata që i asistojnë e kë vuan nga pandemia. Me rëndësi, prandaj, të bashkohen aftësitë shkencore në mënyrë transparente e të çinteresuar “për ta kapërcyer krizën e rëndë”:

“Dëshiroj, njëkohësisht, ta mbështes e ta inkurajoj bashkëpunimin ndërkombëtar, që po aktivizohet me nisma të ndryshme, për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme e të frytshme krizës së rëndë, që po jetojmë. E rëndësishme, të bashkohen të gjitha aftësitë shkencore, në mënyrë transparente, të çinteresuar, për ta gjetur vaksinën dhe mjekimet e për të garantuar përdorimin universal të teknologjive kryesore, që i krijojnë çdo njeriu të infektuar, në të katër anët e botës, mundësinë për të marrë ndihmën e nevojshme shëndetësore”.

Papa u lut për fundin e pandemisë:  “O Zot, mos na lërë në mëshirën e stuhisë!”.

E meqë lutja ka vlerë universale - përfundoi Françesku - e pranova propozimin e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor për një ditë lutjeje e agjërimi të besimtarëve të të gjitha feve, për ta lutur Zotin që të marrë fund pandemia.

Papa kujtoi, në përfundim, edhe Shoqatën “Meter”, organizatore e Ditës Kombëtare për fëmijët, viktima të dhunës, të shfrytëzimit e të indiferencës”, e sidomos, fëmijët e Onlus, themeluar nga don Di Noto:

“I inkurajoj drejtuesit e punonjësit të vijojnë punën për parandalimin dhe sensibilizimin e ndërgjegjeve, përkrah shumë agjencive edukative. E sidomos, i falënderoj fëmijët e Shoqatës, që më dërguan një kolazh me  qindra margerita  të ngjyrosura prej tyre”.

E Papa, në përfundim, iu lut Zojës sonë të Këshillit të Mirë, që ta orientojë e ta shoqërojë aftësinë e secilit prej nesh për ta dalluar e për ta dëgjuar zërin e Bariut të Mirë! 

03 maj 2020, 13:23