Kërko

Vatican News

Papa lutet për infermierët, shembuj heroizmi. Paqja e Krishtit na e hap zemrën për të tjerët

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku iu lut Zotit të bekojë infermierët, të cilët, në këtë kohë pandemie, janë shembuj heroizmi, deri në flijimin e jetës. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë pohoi se paqja e Jezusit na dhurohet falas e na e hap zemrën për të tjerët, duke na e përforcuar shpresën e Parajsës. Ajo është paqe e vërtetë, ndërsa paqja e botës është egoiste, shterpë, kushton shtrenjtë dhe mbetet e përkohshme.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të martën e javës së pestë të Pashkëve. Në hyrje, iu lut Zotit për infermierët, të cilët kanë sot Ditën e tyre ndërkombëtare:

“Sot është Dita e Infermierëve. Dje u dërgova një mesazh. Le të lutemi sot për infermieret dhe për infermierët, burrat, gratë, djemtë dhe vajzat, që kanë këtë profesion, i cili, më shumë se profesion, është thirrje, përkushtim. Zoti i bekoftë. Në këtë kohë pandemie, ata dhanë shembuj heroizmi e disa prej tyre flijuan edhe jetën. Të lutemi për infermieret dhe infermierët”.

Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 14,27-31), në të cilin Jezu Krishti u thotë dishepujve të vet: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Nuk po jua jap siç e jep bota”.

“Zoti – pohoi Papa - para se të largohet, i përshëndet të vetët dhe u jep dhuratën e paqes, paqen e Hyjit”. “Nuk është fjala për paqen universale, atë paqe pa luftë, që të gjithë duam të mbretërojë gjithmonë, por për paqen e zemrës, paqen e shpirtit, paqen që secili prej nesh e ka brenda vetes. E Zoti e jep, por, nënvizon, jo ashtu siç e jep bota”. Janë paqe të ndryshme.

“Bota - vërejti Françesku - jep paqen e brendshme”, paqen e jetës, një mënyrë jetese me zemrën në paqe, “si të ishte ndonjë pronë e jotja, si diçka që është e jotja dhe të izolon nga të tjerët”, sikur ta kesh blerë. Pa e kuptuar, secili prej nesh mbyllet në atë lloj paqeje, që është krejtësisht personale, të qetëson e të lumturon, por të vë edhe pak në gjumë, të anestetizon, të bën pak egoist. Kështu e jep bota paqen. E është “paqe, që kushton shtrenjtë, sepse duhet t’i ndryshosh vazhdimisht mjetet e saj: kur të entuziazmon diçka, ajo ta jep paqen, por pastaj, përfundon e duhet të gjesh një tjetër... Është e shtrenjtë, sepse është e përkohshme dhe e shterpët”.

“Përkundrazi, paqja që jep Jezusi është tjetër gjë. Është paqe, që të vë në lëvizje, nuk të izolon, të nxit të shkosh tek të tjerët, krijon bashkësi, krijon komunikim. Ajo e botës është e shtrenjtë, ajo e Jezusit është e lirë, është falas: paqja e Zotit është dhuratë e Zotit. Jep fryte, të bën të ecësh përpara. Një shembull nga Ungjilli, që më bën të mendoj për paqen e botës, - theksoi Papa - është ai i zotërisë, që i kishte hambarët plot” e mendoi të ndërtonte depo të tjera, që, më në fund, të jetonte i qetë. “I marrë, i thotë Zoti, pikërisht sonte, do të vdesësh”. “Është paqe e përkohshme, që nuk ta hap portën e jetës së përtejme. Përkundrazi, paqja e Zotit hap dyert e Qiellit, hap dyert e Parrizit”.

Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë besimtarët të shohin në shpirtin e tyre e të kuptojnë se ku e gjejnë paqen: në mirëqënie, në pasuri apo e marrin si dhuratë nga Zoti? Tregoi se dje, mori një letër nga një meshtar i mirë, i cili i shkruan se flet pak për Qiellin, se duhet të flasë më shumë për këtë. “Ka të drejtë – pohoi Françesku - ka të drejtë. Prandaj, desha ta nënvizoj këtë sot: paqja, ajo që na dhuron Jezusi, është paqe për të tashmen e për të ardhmen. Do të thotë të fillosh ta jetosh Qiellin, me frytet e Qiellit. Nuk është anestezi. Tjetra, po: vihesh në gjumë me gjërat e kësaj bote dhe kur doza e kësaj anestezie përfundon, merr një tjetër e pastaj, një tjetër e një tjetër... Kurse paqja e Zotit është përfundimtare, e frytshme dhe ngjitëse”.

“Zoti - përfundoi Papa - na dhashtë këtë paqe plot shpresë, e cila na bën të frytshëm, na bën të komunikojmë me të tjerët, krijon bashkësi dhe, gjithmonë, sheh drejt paqes përfundimtare të Parrizit”.

12 maj 2020, 09:24