Kërko

Vatican News

Papa: të lutemi së bashku si vëllezër për lirimin nga të gjitha pandemitë

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku kujton Ditën e sotme të Lutjes së promovuar nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor për t’i kërkuar Zotit fundin e pandemisë së Covid-19. Në homelinë e tij, Ati i Shenjtë kujtoi se ka edhe pandemi të tjera, që shkaktojnë miliona vdekje, siç janë pandemia e urisë, pandemia e luftës dhe ajo e fëmijëve, të cilët nuk mund të arsimohen, prandaj, ftoi t’i lutemi Zotit edhe për to.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kryesoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në ditën kur Kisha kremton festën e Shën Matisë apostull. Në hyrje, kujtoi Ditën e sotme të lutjes, agjërimit dhe veprave të bamirësisë, promovuar nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, si edhe i inkurajoi të gjithë të bashkohen si vëllezër e t’i kërkojnë Zotit lirimin nga kjo e keqe:

“Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor ka bërë thirrje sot për një ditë lutjeje e agjërimi, për t’i kërkuar Zotit mëshirë e dhembshuri, në këtë çast tragjik pandemie. Jemi të gjithë vëllezër. Shën Françesku i Asizit thoshte: ‘Të gjithë vëllezër’. Prandaj, burra e gra të çdo besimi fetar, sot, bashkohemi në lutje e pendesë, për të kërkuar hirin e shërimit nga kjo pandemi”.

Gjatë homelisë, Papa komentoi Leximin e parë, marrë nga Libri i Jonës, në të cilin profeti e fton popullin e Nineves të kthehet në udhën e Zotit që të mos shkatërrohet qyteti. Ninive e dëgjoi dhe qyteti u shpëtua nga ndonjë pandemi, vërejti Françesku, ndoshta, nga “ndonjë pandemi morale”. “E sot - nënvizoi ai - të gjithë ne, vëllezër dhe motra të çdo tradite fetare, lutemi: është dita e lutjes, e agjërimit, e pendesës, organizuar nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor. Secili prej nesh lutet, bashkësitë luten, pavarësisht nga tradita fetare, ato luten: i luten Zotit, të gjithë si vëllezër, të gjithë e ndiejmë vëllazërimin, që na bashkon në këtë çast dhimbjeje dhe tragjedie”.

“Ne nuk e prisnim këtë pandemi, erdhi papritur, por tani është këtu. E shumë njerëz vdesin. E shumë njerëz vdesin vetëm, e shumë njerëz vdesin pa mundur të bëjnë asgjë. Shumë herë mund të mendojmë: ‘Po mua nuk më ka prekur, faleminderit Zotit, shpëtova’. Mendoni edhe për të tjerët! Mendoni për tragjedinë dhe për pasojat e saj ekonomike, pasojat në arsim” e ‘për gjithçka do të vijë më pas’. Prandaj, sot, të gjithë, vëllezër dhe motra, të çdo tradite fetare, t’i lutemi Zotit”.

“Ndoshta - vërejti Papa - ndokush do të thotë: ‘Po ky është relativizëm fetar, s’bëhet kështu’. Po si s’u bëka, t’i lutemi Atit të të gjithëve? Të gjithë luten ashtu si dinë, si munden”, sipas kulturës së vet. “Ne nuk po lutemi njëri kundër tjetrit, kjo traditë fetare kundër asaj tjetrës, jo! Jemi të gjithë të bashkuar si qenie njerëzore, si vëllezër, duke iu lutur Zotit, secili sipas kulturës së vet, sipas traditës së vet, sipas besimit të vet, por si vëllezër, që i luten Hyjit, kjo është e rëndësishme: vëllezër, duke agjëruar, duke i kërkuar falje Zotit për mëkatet tona, që Hyji të na mëshirojë, që Ai i Lumi të na falë, që Zoti ta ndalë këtë pandemi. Sot është ditë vëllazërimi, duke parë Atin e vetëm... Dita e lutjes”.

 Kjo pandemi, tha Françesku, “erdhi si një lloj përmbytjeje, erdhi si një goditje e papritur. Tani po zgjohemi pak. Por ka shumë pandemi të tjera, që shkaktojnë vdekjen e njerëzve e ne nuk i shohim, kthejmë kokën nga ana tjetër. Jemi pak të vetëdijshëm përballë tragjedive, që po ndodhin në botë”.

 Papa përmendi një statistikë zyrtare, e cila nuk flet për pandeminë e koronavirusit, por për një tjetër: “Në katër muajt e parë të këtij viti, 3 milion e 700 mijë njerëz kanë vdekur nga uria. Kemi pandeminë e urisë. Në katër muaj, gati 4 milion njerëz. Lutja e sotme për t’i kërkuar Zotit ta ndalë këtë pandemi, duhet të na bëjë të mendojmë për pandemitë e tjera në botë. Ka shumë! Pandemia e luftrave, e urisë dhe shumë të tjera. Gjithsesi, e rëndësishme është që sot, së bashku e falë guximit të Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, jemi ftuar të lutemi secili sipas traditës së vet, si edhe të kalojmë një ditë me agjërim, pendesë e bamirësi, në ndihmë të të tjerëve. Kjo është e rëndësishme. Nga Libri i Jonës dëgjuam që Zoti, kur pa se populli reagoi – u kthye e ndryshoi – e ndali dorën, e ndali atë, që donte të bënte”.

 “Zoti e ndaloftë këtë tragjedi – u lut Papa Françesku – e ndaloftë këtë pandemi. Zoti pastë mëshirë për ne dhe ndaltë edhe pandemitë e tjera kaq të këqija: atë të urisë, atë të luftës, atë të fëmijëve pa arsim. E këtë e kërkojmë si vëllezër, të gjithë bashkë. Zoti na bekoftë të gjithëve dhe pastë mëshirë për ne”.

 Në fund, Papa i ftoi të gjithë në Kungimin shpirtëror, me këtë lutje:

“O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje”.

 Papa Françesku e përfundoi kremtimin e meshës me adhurimin dhe bekimin eukaristik. Në fund, falënderoi Tommaso Pallottino-n, teknikun e zërit të Dikasterit tonë për Komunikimin, i cili e shoqëroi gjatë këtyre transmetimeve “live”. Sot ishte dita e tij e fundit e punës, para daljes në pension: “Zoti - u lut Françesku – e bekoftë dhe e shoqëroftë në fazën e re të jetës”. Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën mariane “Regina Caeli”.

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

14 maj 2020, 08:30