Kërko

Suore-di-Madre-Teresa-distribuiscono-cibo-a-40-mila-famiglie.jpg

Papa: misioni është dhuratë falas e Shpirtit Shenjt, jo fryt i strategjive

Mesazhi i Françeskut për Veprat Misionare Papnore: të shmanget vetë-promovimi dhe kremtimi i nismave për të bërë reklamë. Të jesh misionar është pasqyrim i mirënjohjes për gjithçka është marrë dhuratë nga Zoti.

R.SH. - Vatikan

Kumtimi i Ungjillit është “tjetër gjë, në krahasim me çdo prozelitizëm politik a kulturor, psikologjik a fetar”. Misioni është dhuratë falas e Shpirtit Shenjt e nuk mund t’u besohet “kurseve të caktuara formimi” dhe as atyre “aparteve kishtare”, që “përqendrohen në maninë për të promovuar veten dhe nismat e tyre”, madje, edhe përmes “reklamimit”. Papa Françesku reflekton sërish mbi bazat e misionit të krishterë, me një mesazh për Veprat Misionare Papnore (POM), të cilat duhej të mblidheshin në Romë për asamblenë e përgjithshme vjetore, shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Themelet e misionit

 Ati i Shenjtë kujton se “tipari gjenetik më intim” i misionit të Kishës është “të jetë vepër e Shpirtit Shenjt dhe jo rrjedhojë e reflektimeve dhe e qëllimeve tona”. Të marrësh dhuratë gëzimin e Shpirtit “është hir”, i cili dikon “forcën e vetme, që mund të kemi, për të predikuar Ungjillin”. Shëlbimi “nuk është rrjedhojë e nismave tona misionare dhe as e fjalimeve për mishërimin e Fjalës së Zotit”, por “mund të realizohet vetëm përmes vështrimit të takimit me Të, që na thërret” t’i shërbejmë, është rrjedhojë dhe jehonë e gëzimit dhe e mirënjohjes ndaj Atij të Lumit. Kumton Ungjillin kush dëshmon veprën e Hyjit.

Tiparet dalluese

 Duke i marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii gaudium”, Papa Françesku përshkruan tiparet dalluese të misionit të krishterë. Para së gjithash, “aftësia tërheqëse”: Kisha rritet në botë, për shkak të aftësisë së saj tërheqëse e jo për prozelitizëm. “Nëse e ndjekim Jezusin, të lumtur që tërhiqemi e joshemi prej Tij, të tjerët e vërejnë këtë – shkruan Bergoglio. – E mund të mahniten” prej kësaj. Tipare të tjera janë “mirënjohja” dhe “dhurimi falas”, sepse “zjarri i misionit nuk ndizet kurrë si rezultat i arsyetimit apo i llogarive”, ose për shkak të ndonjë detyrimi, por është “pasqyrim i mirënjohjes”. Pastaj vjen “përvujtëria”, pasi nëse lumturia dhe shëlbimi “nuk janë pronë e jona”, ose ndonjë objektiv i arritur për meritat tona, Ungjilli “mund të shpallet vetëm me përvujtëri” e pa arrogancë. E akoma, tipari i “lehtësimit, jo i ndërlikimit”: misioni i vërtetë nuk shton “ngarkesa të kota” në jetën plot lodhje të njerëzve, as nuk imponon “udhë të sofistikuara formimi, të mundimshme për të shijuar gjithçka Zoti e dhuron me lehtësi”. Dy tipare të tjera dalluese janë “afërsia me jetën ‘në zhvillim e sipër’”, sepse misioni arrin tek njerëzit “aty ku janë dhe ashtu siç janë”; “sensus fidei” e Popullit të Zotit dhe “parapëlqimi për të vegjlit dhe të varfërit”, që “për Kishën, nuk është opcion fakultativ”.

Talente, për t’u zhvilluar

Duke parë të ardhmen, Papa Françesku kujton se Veprat Misionare Papnore “lindën spontanisht, nga zjarri misionar i shprehur me fenë e të pagëzuarve”. Ato lidhen me “sensus fidei”, pra, me përjetimin e fesë nga Populli i Zotit. Ecin mbi dy binarë, lutjen dhe bamirësinë; janë vlerësuar gjithnjë nga Kisha e Romës e, thirrja e tyre nuk është përjetuar kurrë si ndonjë “rrugë alternative”, ndonjë përkatësi “e jashtme” në krahasim me format e zakonshme të jetës së Kishave të veçanta. Ato janë kthyer në një rrjet, përhapur në të gjitha kontinentet: një pluralitet për t’u mbrojtur nga “homologimet ideologjike”.

Kurthe për t’u shmangur

 Papa rendit më pas, disa patologji, që janë pengesa në rrugën e Veprave Misionare Papnore. E para është “vetë-referimi”, me rrezikun që t’i kushtohet më tepër vëmendje vetë-promovimit dhe kremtimit të nismave sa për reklamë. Pastaj, kemi “ankthin për të komanduar”, pra, pretendimin për të ushtruar kontroll mbi bashkësitë, të cilave, përkundrazi, u duhet shërbyer. Ka edhe më: patologjia e “elitarizmit”, ideja e pashprehur e përkatësisë në “një klasë të epërme specialistësh”. Më tej, “izolimi nga populli”, që shihet si “masë e mpirë, e cila ka gjithnjë nevojë të shkundet e të mobilizohet”, sikur “siguria e fesë të ishte rrjedhojë e fjalimeve bindëse dhe e metodave të formimit”. Kurthe të tjera për misionin janë “abstraksioni” dhe “funksionalizmi”, sepse gjithçka përqendrohet “në imitimin e modeleve të rendimentit të kësaj bote”.

Këshilla për të ardhmen

 Papa Françesku u sugjeron Veprave Misionare Papnore të ruajnë, ose ta rizbulojnë përkatësinë e tyre “në Popullin e Zotit”, duke u zhytur në jetën e vërtetë të njerëzve dhe duke u gërshetuar me rrjetin kishtar të dioqezave, famullive, bashkësive dhe grupeve. U kërkon të vijojnë praktikën e lutjes e të mbledhjes së fondeve për misionin, edhe me mënyra të reja, por pa “i ndërlikuar gjërat e thjeshta”. Veprat Misionare Papnore “janë dhe duhet të përjetohen si mjet shërbimi në misionin e Kishave të veçanta”: nuk nevojiten super-strategë, ose “direktava qendrore” për misionin, të cilave t’u delegohet detyra për përtëritjen e frymës misionare. Ato duhet të veprojnë në kontakt me të gjitha realitetet, pa u fiksuar në përmasën e shterpët burokratiko-profesionale. Papa Françesku u kërkon të shikojnë jashtë, jo në pasqyrë, duke i lehtësuar strukturat e tyre, në vend që t’i rëndojnë më shumë.

Donacionet

 Papa kërkon që Veprat Misionare Papnore të mos shndërrohen në Ojq të përkushtuara për të gjetur fonde. Nëse në ndonjë zonë, dështon mbledhja e fondeve, nuk duhet të tundohemi për ta përballuar problemin, duke shkuar në kërkim të donatorëve të mëdhenj. Është mirë që ofertat për misionet “të vazhdojnë t’u kërkohen gjithë të pagëzuarve”, edhe duke menduar një mënyrë të re për mbledhjen e lëmoshëve në të gjitha kishat e botës, në tetor, me rastin e Ditës Botërore të Misionit. Në përdorimin e fondeve të mbledhura, duhen marrë parasysh nevojat parësore të bashkësive, duke shmangur format asistencialiste, që mund të ushqejnë edhe në Kishë “klientelizmin parazitar”. E, nuk duhen harruar të varfërit. Veprat Misionare Papnore, me rrjetin e tyre, pasqyrojnë një popull një mijë fytyrësh, prandaj, kur kumtojnë Ungjillin, nuk duhet të imponojnë ndonjë formë të veçantë kulturore: mund “t’i bëjë hije universalitetit të fesë së krishterë, edhe pretendimi për ta standardizuar formën e kumtimit”. Françesku kujton se Veprat Misionare Papnore nuk janë një entitet më vete. Ndër tiparet e tyre dalluese është edhe lidhja me Papën. Ati i Shenjtë e përfundon mesazhin, duke kujtuar fjalët e shën Injacit e duke u kërkuar Veprave Misionare Papnore ta bëjnë mirë punën e tyre, “sikur gjithçka të varej prej jush, – u thotë – me vetëdijen se, në të vërtetë, gjithçka varet nga Zoti”.

21 maj 2020, 12:00