Kërko

1585303666639.jpg

Papa, infermierëve: “shenjtorë të jetës së përditshme”, në shërbim të njerëzimit

Profesion, që duhet të njihet dhe të vlerësohet, sepse është në shërbim të jetës e pasqyron misionin e Krishtit për t’u përkulur mbi vuajtjet e njerëzimit. Në mesazhin për Ditën e sotme ndërkombëtare kushtuar Infermierëve, Papa shpreh mirënjohjen dhe dashurinë për ata që, si “samaritanët e mirë”, kanë flijuar edhe jetën, në këtë periudhë pandemie.

R.SH. - Vatikan

Përkushtim, thirrje, dëgjim, shoshitje, marrëdhënie: të gjitha këto fjalë të çmuara bëjnë pjesë në profesionin e infermierit, burrë a grua qoftë, si edhe në atë të mamisë. Françesku u flet atyre në Ditën, kur i kujton e gjithë bota, në kuadrin e Vitit Ndërkombëtar të Infermierëve dhe Mamive, caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dyqind vjet pas lindjes së infermierisë moderne, me Florence Nightingale. Papa uron që ky përvjetor të kujtojë “dinjitetin” e punës së tyre, në të mirë të shëndetit të të gjithë shoqërisë.

Guximi për të flijuar jetën

         Emergjenca shëndetësore botërore na ka bërë ta rizbulojmë këtë figurë themelore profesionale, vëren Papa, por infermierët dhe mamitë kanë pasur gjithnjë rol kryesor në kujdesin për shëndetin. Çdo ditë, sidomos në këtë periudhë pandemie, ata kanë dhënë dëshmi “guximi”, “sakrifice” dhe “vetëmohimi”, duke ndihmuar me përgjegjësi e dashuri pacientët me Covid-19, deri në flijimin e jetës:

“Lutem për ta - Zoti e njeh secilin me emër - dhe për të gjitha viktimat e kësaj epidemie. I Ringjalluri i dhashtë secilit dritën e Parrizit dhe familjeve të tyre, ngushëllimin e fesë”, shkruan Papa Françesku në mesazh.

Samaritanë të Mirë, rojtarë të jetës

         Infermierët e mamitë, vijon më tej Ati i Shenjtë, kanë thirrjen e veçantë për të qenë Samaritanë të Mirë, që marrin përsipër jetën dhe plagët e të afërmit. “Rojtarë e shërbëtorë të jetës, ndërsa bëjnë terapitë e nevojshme, dikojnë guxim, shpresë e besim”. Impenjimi i tyre, vëren Françesku, nuk është thjesht “shkencë e profesion”, por edhe “marrëdhënie njerëzore” e kujdes për njeriun. Ata janë “shenjtorët”, që gjejmë në jetën e përditshme, të cilët veprojnë me një përkushtim për të sëmurët, që i bën të ngjashëm me Krishtin.

         “Nganjëherë – u shkruan Papa – u gjendeni pranë [të sëmurëve] ndërsa ndërrojnë jetë, duke i ngushëlluar në çastet e fundit. Për këtë përkushtim tuajin, ju jeni ‘shenjtorë të jetës së përditshme’. Jeni imazhi i një Kishe ‘spital fushor’, e cila vazhdon misionin e Jezu Krishtit, që afroi e shëroi të vuajturit nga çdo lloj të këqie dhe u përkul t’u lante këmbët dishepujve të vet. Faleminderit për këtë shërbim për njerëzimin!”

Të njihet e të vlerësohet profesioni

         Profesioni i infermierëve dhe i mamive është fisnik e i vështirë, prandaj, sipas Papës Françesku, duhet vlerësuar më shumë. Pandemia aktuale vuri në dukje mungesa në sistemin shëndetësor të shumë vendeve e Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar përgjegjësve të kombeve, kërkon investime për fuqizimin e strukturave shëndetësore dhe rritjen e numrit të infermierëve.

         “Infermierët dhe infermieret, ashtu si edhe mamitë, – ngre zërin Papa Bergoglio – kanë të drejtë dhe e meritojnë të vlerësohen më mirë e të përfshihen në proceset, që kanë të bëjnë me shëndetin e njerëzve dhe të bashkësive. Dihet tashmë se investimet për ta i përmirësojnë rezultatet e asistencës dhe të shëndetit të përgjithshëm”. Ati i Shenjtë kërkon mjete shkencore, njerëzore, psikologjike dhe shpirtërore për formimin profesional, si edhe përmirësimin e kushteve të punës, duke u dhënë infermierëve më tepër dinjitet.

Puna fisnike e mamive

         Në fund të mesazhit, Papa u kushton një mendim të veçantë mamive, që ndihmojnë gratë shtatzëna të lindin fëmijë. “Puna juaj – nënvizon Françesku - është ndër më fisniket, e përkushtuar, siç është, në shërbim të jetës dhe amësisë. Në Bibël, emrat e dy mamive heroike, Sifra dhe Pua, janë bërë të pavdekshme në fillim të Librit të Daljes (shih 1,15-21). Edhe sot Ati Qiellor ju shikon me mirënjohje”.

12 maj 2020, 12:11