Sheshi i Shën Pjetrit Sheshi i Shën Pjetrit 

Papa emëron zëvendës kamerlengun dhe nuncin në Irak

Imzot Ilson de Jesus Montanari emërohet nga Françesku zëvendës-kamerleng i Kishës së Shenjtë Romake. Ati i Shenjtë emëroi edhe nuncin apostolik në Irak, imzot Mitja Leskovar.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi zëvendës-kamerleng të Kishës së Shenjtë Romake, Imzot Ilson de Jesus Montanari, kryeipeshkëv titullar i Capocillas, sekretar i Kongregatës për Ipeshkvijtë. Imzot Montanari do të mbështesë kardinalin Kevin Joseph Farell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen, Jetën, të cilin Papa, më 14 shkurt 2019, e emëroi kamerleng, domethënë, i ngarkuar për të mbarështuar  pasuritë dhe të drejtat e përkohshme të Selisë së Shenjtë gjatë Selisë vakante si dhe për të vërtetuar vdekjen e  Papës.

Po sot Ati i Shenjtë  emëroi edhe nuncin apostolik në Irak, imzot Mitja Leskovar, nga Kranj i Sllovenisë, këshilltar i nunciaturës, duke e lartuar njëkohësisht në selinë titullare të Beneventos, me dinjitetin e kryeipeshkvit. Imzot Leskovar, i lindur më 3 janar 1970 në Kranj të Sllovenisë, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë Apostolike më 1 korrik 2001. Shërbeu në përfaqësinë papnore në Bangladesh, pranë Seksionit për Punët e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit si dhe në përfaqësitë papnore në Gjermani dhe në Indi.

02 maj 2020, 11:43