Kërko

Papa: askujt të mos i mungojë puna, dinjiteti i punës dhe shpërblimi i drejtë

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku, në ditën kur kujtohet Shën Jozefi punëtor, lutet për të gjithë punëtorët, që të paguhen drejt, të kenë punë të denjë e të gëzojnë bukurinë e pushimit.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha kujton Shën Jozefin punëtor. E pranishme në Kapelën kushtuar Shpirtit Shenjt, një shtatore e Shën Jozefit zejtar, e sjellë me këtë rast nga Acli, Shoqata e Krishterë e Punëtorëve Italianë. Fjalët e para Papa ia kushtoi botës së punës:

“Sot, që është festa e Shën Jozefit punëtor, e edhe Dita e punëtorëve, lutemi për të gjithë njerëzit e punës. Për të gjithë! Që askujt të mos i mungojë puna e që të gjithë të paguhen me drejtësi e të mund të gëzojnë dinjitetin e punës e të bukurisë së pushimit”.

Në homeli, Papa komentoi fragmentin e sotëm, shkëputur nga Libri i Zanafillës (Zan 1,26-2,3) në të cilin përshkruhet krijimi i njeriut, sipas ngjasimit e shëmbëllesës  së Zotit. “Zoti, në ditën e shtatë, e kreu punën që kishte bërë; e pushoi në të shtatën ditë nga çdo punë, që kish bërë”.

Zoti - pohoi Papa -  ia dorëzoi veprimtarinë e Tij, punën e Tij, njeriut, që të bashkëpunojë me Të:

“Puna njerëzore është thirrje e marrë nga Zoti, që e bën njeriun të ngjashëm me Krijuesin e vet, sepse kur punon, njeriu është i aftë të krijojë, të krijojë një mori gjërash, të krijojë edhe familjen. Njeriu është krijues. E krijon me punë! Kjo është thirrja e tij”.

E Bibla na kujton: ‘Zoti e pa çka kishte bërë e ja, ishte gjë shumë e mirë. E kjo do të thotë se puna në vetvete është mirësi, se krijon harmoni, bukuri, mirëqenie - duke e bërë njeriun bashkëpunëtor me Zotin në gjithçka: në mendimin e Tij, në veprimtarinë, në gjithçka. Njeriu është i thirrur të punojë. Kjo është thirrja e parë e tij. Dinjiteti e bën t’i ngjasë vetë Zotit. Dinjiteti i punës!

Një herë, në një Karitas, një burri, që nuk kishte punë e shkonte aty për  të kërkuar diçka për familjen, një punonjës i tha: “Të paktën kështu mund t’ia çosh një kafshatë bukë familjes”- “Po mua nuk më mjafton kjo - gjegji i papuni - Unë dua ta fitoj vetë bukën, që çoj në shtëpi!”.

Puna të jep dinjitet. Dinjitet, që tepër shpesh shkelet brutalisht në histori. Edhe sot e kësaj dite në botë - kujtoi Papa gjatë homelisë së mbajtur në Festën e sotme të Shën Jozefit Punëtor - ka shumë skllevër, skllevër të punës për të mbijetuar: punës së detyruar, të keqpaguar, me dinjitet të papërfillur. Njerëzve u merret nëpër këmbë dinjiteti. Kjo ndodh edhe këtu, tek ne  - vërejti Papa - me punëtorët ditorë, që marrin shpërblim qesharak  për orë e orë pune; me shërbëtoret, që nuk marrin pagën e duhur e nuk kanë sigurim shoqëror e as pension. Kjo ndodh këtu, e quhet shkelje e dinjitetit njerëzor. Çdo padrejtësi, që i bëhet punëtorit, është shkelje e dinjitetit njerëzor. Bashkohemi sot me shumë besimtarë e jo besimtarë, që e kremtojnë këtë ditë kushtuar punëtorëve për ata, që luftojnë të ketë drejtësi në punë. Papa u lut edhe për sipërmarrësit e mirë, që nuk duan t’i pushojnë punëtorët nga puna, që kujdesen për ta, si të ishin bijtë e tyre. E, në përfundim, iu lut Shën Jozefit t’i ndihmojë në luftën për dinjitetin e punës, që të ketë për të gjithë punë,  punë të denjë e shpërblim të drejtë!

Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës.

Lutja e Papës:

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj pendimin e zemrës së thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin  dhe bekimin eukaritik.  Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

01 maj 2020, 09:10