002624_08012020.jpg

Papa: amësia poshtërohet, ka rëndësi vetëm zhvillimi ekonomik

Letër e Papës Françesku për një gazetare, bashkëpunëtore të agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

R.SH. - Vatikan

“Jehon në shpirt pyetja e çdo nëne: ‘Në ç’botë do të jetojë fëmija im?’. Të lutemi për to, që Zoti t’u japë guximin për t’i shoqëruar fëmijët me besimin se, sigurisht, bota do të jetë e ndryshme, por do të jetë gjithnjë një botë, të cilën Hyji do ta dojë shumë. Sot, amësia poshtërohet, sepse rritja e vetme, për të cilën ka interes, është ajo ekonomike”. Ky denoncim i fuqishëm vjen nga Papa Françesku, i cili i shkruan këto fjalë në një letër për gazetaren italiane Nina Fabrizio, bashkëpunëtore e agjencisë italiane të lajmeve ANSA. Gazetarja i dërgoi si dhuratë librin e saj me titull “Françesku, Papa i grave”.

Libri "Françesku, Papa i grave"
Libri "Françesku, Papa i grave"

          Autorja i bashkangjit librit edhe disa studime të saj mbi mënyrën si po e jetojnë pandeminë e koronavirusit gratë, që presin fëmijë, me të gjitha kufizimet, të cilat nuk i lejojnë ta kalojnë të qeta kohën e bukur të shtatzanisë. “Ju falenderoj për mesazhin, për reflektimet dhe për librin ‘Françesku, Papa i grave’, që, në mirësinë tuaj, më dërguat – shkruan Ati i Shenjtë. – Janë një kontribut, që më jep mundësinë ta njoh më nga afër këtë çast delikat të pandemisë, ndjeshmërinë e grave në pritje të lindjes së fëmijës”.

          “Ka nëna – shpjegon më tej Françesku – që rrezikojnë jetën në udhëtime të pamendueshme, duke kërkuar me dëshpërim t’i japin frytit të barkut të tyre, një të ardhme më të mirë e, gjykohen si numra të tepërt nga njerëz, që e kanë barkun plot - ama me gjëra - ndërsa zemrën bosh, pa dashuri”.

25 maj 2020, 17:17