Kërko

 Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore 

Meshët me popull. Papa: ta ruajmë shëndetin e secilit!

Papa, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kujtoi rifillimin e Meshëve me besimtarë, duke i ftuar të jenë të kujdesshëm e të respektojnë normat. Më pas kujtoi Karol Wojtylën në prag të njëqindvjetorit të lindjes: “Nga qielli Ai vijon të ndërmjetësojë për popullin e Zotit dhe për paqen në botë”

R. SH. - Vatikan

Dashuri e mirënjohje shprehu Papa, në përfundim të lutjes mariane, duke kujtuar njëqindvjetorin e lindjes së Shën Gjon Palit II, më 18 maj 1920, në Wadowice të Polonisë, kremtuar dje në mbarë botën, ndonëse ende nën morsën e pandemisë që, për fat, në shumë vende po ndjehet gjithnjë më pak. Për Papën Shenjt, mbrojtës i drejtësisë, i takimit ndërmjet popujve, i kulturave e feve, parë si vaksinë kundër luftës e përçarjeve, Françesku do të kryesojë nesër një Meshë të posaçme, në të cilën i fton të marrin pjesë të gjithë besimtarët:

“Nesër në mëngjes, në orën 7.00, do të kremtoj Meshën Shenjte, që do të transmetohet në Mondovizion, nga altari ku pushon në paqe trupi i Gjon Palit II. Vijoftë, nga qielli, të ndërmjetësojë për popullin e Zotit dhe për paqen në botë!”.

Të ruajmë shëndetin!

Papa, i cili që nga 9 marsi i kaluar i pati bërë publike Meshët në Shën Martë përmes streaming, për të qenë sa më pranë njerëzve në karantinë,  përshëndeti rifillimin, nesër, të kremtimeve “cum populo”, por duke kërkuar të respektohen gjithnjë masat për t’i vënë pritë infeksionit me Covid-19. Prej këndej, kërkoi kujdes:

”Ju lutem, të shkojmë përpara me normat, me rregullat, që na i japin, për të ruajtur kështu shëndetin e secilit e edhe të gjithë popullit”

Kujdes për Krijimin!

Para përshëndetjeve drejtuar besimtarëve, që nuk mungojnë kurrë të dielave, Papa kujtoi “Javën e ‘Lëvduar qofsh’”:

“Në këto kohë pandemie, në të cilat jemi më të vetëdijshëm për rëndësinë e kujdesit ndaj shtëpisë sonë, uroj që i gjithë reflektimi dhe angazhimi i përbashkët të ndihmojë për të krijuar e për të fortifikuar sjelljet konstruktive për kujdesin ndaj Krijimit”.

17 maj 2020, 13:01