Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë  Editorial

Më 18 maj, meshë për Papën Wojtyla, ndalen transmetimet nga Shën Marta

Papa Françesku do të kremtojë meshën, të hënën paradite, pranë varrit të shën Gjon Palit II, në 100-vjetorin e lindjes së Papës polak. Përfundon transmetimi i liturgjisë së përditshme nga kapela e Shtëpisë së Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Mesha papnore e së hënës së ardhshme, në orën 7 të mëngjesit, do të jetë e fundmja e një serie që, çdo ditë, për më se dy muaj, shoqëroi miliona njerëz në gjithë botën. Me rastin e rifillimit të meshëve me popull në Itali, Papa Françesku vendosi ta ndërpresë transmetimin e drejtpërdrejtë të kremtimit eukaristik të mëngjesit. E dita do të jetë e veçantë, sepse më 18 maj festohet 100-vjetori i lindjes së Karol Wojtyla-s, prandaj Françesku do të kremtojë në altarin mbi varrin e Papës shenjt, paraardhës i tij, lindur më 1920, zgjedhur Ipeshkëv i Romës më 1978, vdekur më 2005 e kanonizuar më 2014.

Transmetimi i drejtpërdrejtë i meshës së mëngjesit nga Shtëpia e Shën Martës, në video, radio dhe internet, si edhe vendimi për ta kremtuar çdo ditë në këtë periudhë karantine, ishin një dhuratë e papritur dhe e bukur. Shumë njerëz, edhe larg Kishës, e ndjenë veten të shoqëruar e të mbështetur nga Papa, i cili, në majë të gishtave, në fillim të ditës, trokiste në dyert e shtëpive të tyre. Të shumtë janë ata, që e kuptuan rëndësinë dhe ngushëllimin që vjen nga takimi i përditshëm me Ungjillin. Kurrë kaq të shumtë, e ndoqën liturgjinë e ditëve të javës në televizion, propozuar pa komente e me disa minuta adhurimi në heshtje të të Shenjtnueshmit Sakrament.

Bukuria dhe thjeshtësia e homelive të pashkruara, shqiptuar nga Papa, na dhanë mundësinë të hyjmë në faqet e Ungjillit, sikur të kishim qenë të pranishëm kur ndodhën ato ngjarje. Gjatë emegjencës, që na detyroi të rrimë mbyllur mes katër mureve të shtëpisë, u konfirmua rëndësia e këtij magjisteri të përditshëm, edhe më vendimtar në çastet e pasigurisë, të vuajtjes, të ankthit, të pyetjeve të shumta për të ardhmen.

Homelitë e Shën Martës përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të shërbimit të Françeskut si Ipeshkëv i Romës. Shumë ishin mësuar t’i ndiqnin përmes sintezave të mediave vatikanase dhe përmes vëllimeve të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, që i përmbledhin çdo vit. Por, gjatë dy muajve të fundit gjërat ndryshuan, sepse transmetimi i drejtpërdrejtë, megjithëse në distancë, dha mundësinë për të marrë pjesë në këto kremtime të përditshme, duke e parë Papën ndërsa predikonte e komentonte pa letër Shkrimin Shenjt.

 Disa miliona njerëz hynin çdo ditë në kontakt me këto meshë. Shumë kanë shkruar për të falënderuar. Tani, me rifillimin e kremtimeve me popull në kishat italiane, nis një fazë e re. Shumë vetëve, me siguri, do t’u mungojë ky takim i përditshëm. Por, siç ka pohuar vetë Françesku, kemi nevojë të kthehemi në familjaritetin e bashkimit me Zotin në sakramente, duke marrë pjesë personalisht në liturgji. Pa harruar një ftesë tjetër të Papës, atë të “frekuentimit” të përditshëm të faqeve të Ungjillit, me atë lloj kontakti, që na e bënë të zakonshëm meshët televizive të Shën Martës.

Mund të shkarkoni këtu “Forti nella Tribolazione”, vëllimi dixhital i LEV-it, që përmbledh të gjitha homelitë e Papës në Shën Martë, gjatë kohës së krizës.

12 maj 2020, 18:31