Kërko

vatican-pope-religion-mideast-1530964347962.jpg

25-vjetori i “Ut unum sint”. Papa: të krishterët, për udhë drejt horizontit të përbashkët

25 vjet pas enciklikës së shën Gjon Palit II “Ut unum sint”, Papa Françesku i shkruan kardinalit Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve. Me këtë dokument, kujton ai, Papa polak “ripohoi, në mënyrë të pakthyeshme, impenjimin ekumenik të Kishës Katolike”.

R.SH. - Vatikan

Mbush sot 25 vjet “Ut unum sint”, enciklika e Papës Gjon Palit II, me të cilën shenjti polak kujtonte dëshminë e guximshme të sa e sa martirëve të shekullit XX, katolikë e të krishterë të tjerë, që s’ishin “në bashkim të plotë me Kishën Katolike” – siç shkruante – për t’u bërë sërish thirrje gjithë të krishterëve, me më tepër forcë, që të bashkohen në një familje të vetme. E në këtë përvjetor, Papa Françesku i shkruan një letër kreut të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, kardinalit Kurt Koch, me të cilën kujton enciklikën, fryt i reflektimeve të Koncilit II të Vatikanit, nisur nga urimi i Krishtit në Ungjill që të gjithë ndjekësit e Tij të bëheshin një gjë e vetme – ut unum sint.

          Prandaj e shkroi Papa Wojtyla atë Enciklikë, e cila “pohoi ‘në mënyrë të pakthyeshme’, impenjimin ekumenik të Kishës Katolike. E publikoi në Solemnitetin e të Shëlbuemit – shpjegon Françesku në letër – duke e vënë nën mbrojtjen e Shpirtit Shenjt, protagonist i bashkimit, pavarësisht nga ndryshimet”.

Roli i Koncilit II të Vatikanit

Papa Bergoglio pohon se Koncili II i Vatikanit, ashtu siç e kishte kuptuar mirë edhe shën Gjon Pali II, s’bëri tjetër, veçse njohu lëvizjen për bashkimin e të krishterëve, që kishte lindur “për hir të Shpirtit Shenjt”. Shpirti Shenjt, ndërsa dikon hire e shërbime të ndryshme, është zanafilla e bashkimit në Kishë. E, enciklika “Ut unum sint” nënvizon se “larmia e ligjshme nuk i kundërvihet aspak bashkimit në Kishë, përkundrazi, ia shton dekorin dhe kotribuon jo pak në plotësimin e misionit të saj”. Papa Françesku përmend shën Bazilin e Madh, që thoshte se vetë Shpirti Shenjt është harmonia në Kishë.

Falenderim për udhën e bërë

“Në këtë përvjetor – shkruan Ati i Shenjtë – falenderoj Zotin për udhën, që na ka lejuar të bëjmë si të krishterë në kërkim të bashkimit të plotë. Edhe unë ndiej padurimin e arsyeshëm të gjithë atyre, të cilët, nganjëherë, mendojnë se mund e duhet të impenjohemi më shumë. Megjithatë – thekson Papa – nuk duhet të na mungojë feja dhe mirënjohja: shumë hapa janë bërë gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve për të shëruar plagët shekullore e mijëravjeçare; janë shtuar njohja dhe vlerësimi i ndërsjellë, duke ndihmuar në kapërcimin e paragjykimeve të rrënjosura; janë zhvilluar dialogu teologjik e ai i bamirësisë, si edhe format e ndryshme të bashkëpunimit në dialogun e jetës, në planin baritor e kulturor. Në këtë çast, mendimi më shkon tek vëllezërit e dashur në krye të Kishave e të bashkësive të ndryshme të krishtera; e shtrihet edhe mbi vëllezërit e motrat e çdo tradite të krishterë, që janë shokët tanë të udhës. Si dishepujt e Emausit, mund ta ndiejmë praninë e Krishtit të ringjallur, që ecën krah nesh e na shpjegon Shkrimin Shenjt, mund ta njohim në thyerjen e bukës, në pritje për të ndarë së bashku tryezën eukaristike”.

Dy nisma ekumenike

          Më pas, Papa Françesku përmend dy nisma të kohëve të fundit. Së pari, një “Udhëzues ekumenik” për ipeshkvijtë, që Këshilli Papnor për bashkimin e të krishterëve do ta publikojë në vjeshtë e, së dyti, botimin e revistës “Acta Œcumenica”, e cila është ndihmë e Shërbimit Informativ të Dikasterit për të gjithë ata, që punojnë në favor të bashkimit të të krishterëve.

Rruga drejt së ardhmes

          Papa nënvizon se ky bashkim është, natyrisht, fryt i dikimit të Shpirtit Shenjt, por duhet që gjithë të krishterët të vihen për udhë drejt horizontit të përbashkët. Prandaj, kërkon Françesku në fund të letrës, “t’i lutemi me besim Shpirtit Shenjt, që të na i drejtojë hapat e, secili ta ndiejë me forcë të re thirrjen për të punuar në favor të çështjes ekumenike; Ai frymëzoftë gjeste të reja profetike e përforcoftë dashurinë vëllazërore ndërmjet gjithë dishepujve të Krishtit, ‘që bota të besojë’ (Gjn 17,21) e ta shumëfishojë lavdin për Atin, që është në Qiell”. 

25 maj 2020, 12:14