Gjon Pali II në rini Gjon Pali II në rini

Letër e Françeskut për Angelicum, ku përurohet Instituti i Kulturës Bashkëkohore, me emrin e Gjon Palit II

Letër e Papës Françesku për bashkësinë akademike të Universitetit Papnor të Shën Tomës së Akuinit, i cili përuroi sot një Institut të ri të Kulturës Bashkëkohore, që mban emrin e shën Gjon Palit II. Ati i Shenjtë uron që ky projekt të ketë guximin e së vërtetës, lirinë e shpirtit dhe ndershmërinë intelektuale. Ngjarja, në përvjetorin e lindjes së Karol Wojtyla-s, nxënësi më i shquar i Institutit.

R.SH. - Vatikan

Universiteti Papnor i Shën Tomës së Akuinit, apo “Angelicum”, siç quhet rëndom, që sot, ka një Institut të ri kushtuar Kulturës Bashkëkohore, ku do të bashkëpunojnë filozofë, teologë dhe njerëz të kulturës. Përurimi i tij u bë në 100-vjetorin e lindjes së Karol Wojtyla-s, Papës shenjt polak, që i jep edhe emrin. Me këtë rast, Papa Françesku i dërgon bashkësisë akademike një letër, ku vë në dukje se shën Gjon Pali, jo vetëm ka qenë nxënësi më i shquar i këtij Universiteti Papnor, por është edhe frymëzuesi dhe arkitekti i kulturës bashkëkohore “falë trashëgimisë së pasur dhe shumëformëshe, që la, madje, së pari, me shembullin e shpirtit të tij të hapur dhe kundrues, të apasionuar pas Zotit dhe njeriut, pas gjithësisë së krijuar prej Hyjit, pas historisë e artit”.

Njeriu dhe rrënjët e tij kulturore janë pika kryesore e referimit për çdo kumtim të Ungjillit: ky qëndrim i Gjoni Palit II gjatë gjithë jetës së tij, kaluar në dritën e Shpirtit Shenjt, duhet të mbahet gjallë, shkruan Papa Françesku, “nëse duam të jemi Kishë në dalje”, sidomos në një kuadër akademik ndërkombëtar, siç është Universiteti i shën Tomës së Akuinit.

Siç shkruante Gjon Pali II në Enciklikën e tij të parë “Redemptor hominis”, nuk ka qëndrim misionar dhe mision, vëren Papa Françesku, pa ndjenjën e respektit të thellë e të shoshitjes për çdo kulturë, konceptim ideologjik dhe njeri vullnetmirë, si edhe për “gjithçka ka dikuar në të Shpirti Shenjt, i cili fryn ku dëshiron vetë”.

Një Kishë në dalje, besnike ndaj misionit të saj dhe jo e përqendruar në administrimin dhe ruajtjen e ekzistueses, thekson Papa, duhet ta kthejë në thesar këtë qëndrim. Në këtë kuptim, “Angelicum” është vend tejet i përshtatshëm, pasi përbëhet nga mësues dhe studentë, që vijnë nga e gjithë bota, prandaj, është vend i përshtatshëm për të interpretuar sfidat e kulturës bashkëkohore. Përveç kësaj - shton Françesku - urdhri dominikan, të cilit i është besuar bashkë me hapësirën e rëndësishme kushtuar reflektimit racional mbi fenë, s’mund të bëjë tjetër, veçse ta favorizojë këtë projekt, që të karakterizohet nga guximi i së vërtetës, liria e shpirtit dhe ndershmëria intelektuale.

18 maj 2020, 14:08