kw_15-Karol-Wojtyla-papa-Giovanni-Paolo-IIAEMbis.jpg

Ipeshkvijtë e Polonisë, letër për 100-vjetorin e lindjes së Gjon Palit II

Çastet dhe veçoritë më të rëndësishme të jetës dhe të figurës së Papës shenjt Gjon Pali II, që të kuptohet aktualiteti i jashtëzakonshëm i tij.

R.SH. - Vatikan

Çfarë do të kishte thënë sot shën Gjon Pali II? Cili është mesazhi, që do t’u kishte dhënë bashkëkombasve të tij, në majin e vitit 2020, në këtë çast kaq të vështirë për gjithë botën, që lufton kundër koronavirusit? Kjo është pyetja, që bën Konferenca Ipeshkvnore Polake, në një letër, e cila do të lexohet në të gjitha kishat e vendit, të dielën, më 17 maj, në prag të përvjetorit të lindjes së Papës polak.

Mos kini frikë

Ipeshkvijtë i përgjigjen pyetjes, me këto fjalë të shenjtit: “Mos kini frikë! Hapjani, madje, hapjani dykanatësh portat Krishtit! Hapjani kufijtë e shteteve, sistemet ekonomike dhe ato politike, fushat e gjera të kulturës, qytetërimit, zhvillimit, pushtetit të Tij shëlbues. Mos kini frikë! Krishti e di ‘ç’ka brenda njeriut’. Vetëm Ai e di!” “Krishti e di – shtojnë prelatët – çfarë mbart secili prej nesh brenda vetes sot, i njeh përsosurisht gëzimet, shqetësimet, shpresat, frikën dhe dëshirat tona. Vetëm Ai mund t’u përgjigjet pyetjeve, që shtrojmë tani”.

 Ipeshkvijtë pohojnë me bindje: “nëse Papa polak do të kishte jetuar sot, sigurisht, do t’i kishte kuptuar njerëzit në izolim e karantinë. Do të ishte lutur për të sëmurët, për të vdekurit e për familjet e tyre”. Ai, që gjatë jetës, u shtrua shpesh në spital, pa mundur të kremtojë meshën; ai, që vuajti humbjen e të vëllait, Edmund, i cili ndërroi jetë në moshën 26-vjeçare, sepse si mjek, u infektua nga një pacient. Pra, “Shën Gjon Pali II – lexohet në letër – e kuptoi dhe e vlerësoi punën e mjekëve, të infermierëve, të ekipeve të shpëtimit dhe të punonjësve të shëndetësisë që takoi, për të cilët u lut shpesh” gjatë gjithë jetës.

Gjon Pali II në spitalin "Bambino Gesù" (1979)
Gjon Pali II në spitalin "Bambino Gesù" (1979)

Të mbrohet jeta e t’i qëndrojmë besnikë Ungjillit

 Mësimet e Papës polak, që pati vizituar 132 vende e rreth 900 qytete, gjatë papnisë së tij, janë akoma të vlefshme. Që në vitin 2002, shën Gjon Pali II e pati ftuar Kishën “të lundronte në thellësitë e hapësirës së internetit”. Pati kërkuar më se një herë edhe mbrojtjen e jetës njerëzore, që nga fillimi e deri në përfundimin e saj të natyrshëm – konstante kjo, në magjisterin e papëve. Vetë Papa Françesku, në hyrjen e librit “100 vjet. Fjalë e imazhe”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shën Gjon Palit II, rrëfen se e ka ndjekur “shumë gjatë jetës së tij si meshtar e ipeshkëv, duke kërkuar në lutje dhuratën për t’i qëndruar besnik Ungjillit, siç e dëshmonte ai”.

 Së fundi, letra kujton fjalët e kardinalit Stanisław Dziwisz, kur përshkruan çastin e atentatit kundër Papës polak, si pati qëndruar i qetë, megjithëse gjendja ishte dramatike e kërcënimi i vdekjes, konkret; e si, megjithëse ndiente dhimbje për plagët, nuk hyri aspak në panik e para se ta humbte vetëdijen, ia besoi menjëherë vetveten shën Marisë, duke thënë se e falte atentatorin.

11 maj 2020, 12:20