Papa: ndjehet etja për shpresë, është ora e Ngushëlluesit

Sa do të dëshiroja që, si të krishterë, të ishim dëshmitarë më këmbëngulës të mëshirës për njerëzimin e prekur rëndë nga pandemia. Kjo, dëshira që i shpreh Papa Françesku në një videomesazh me rastin e Rrëshajëve, lëvizjes së lutjes globale “Thy Kingdom Come” – “Ardhtë Mbretëria Jote!”.

R. SH. Vatikan

“Kemi para nesh një botë që ndryshon, të shtypur nga revolucioni i një virusi epokal, e kemi edhe probleme të dinjitetit njerëzor, që presin zgjidhje të menjëhershme, ankthe për t’u kuptuar, nevoja për t’u plotësuar. E është edhe një mënyrë e krishterë për ta bërë gjithë këtë, duke e ditur se  veprimi i së mirës këshillohet nga Shpirti Shenjt”.  Papa Françesku  u drejtohet, përmes një videomesazhi, të gjithë atyre, që marrin pjesë në lutjen globale të Thy Kingdom Come (Ardhtë Mbretëria jote), lëvizje e nisur në vitin 2019, nga kryeipeshkvi i Canterbury e primat anglikan, Justin Welby, së bashku me atë të New Yorkut  e “një rast për të krishterët, që të bashkohen në lutje për ungjillëzimin e botës”, siç nënvizohet në një komunikatë të Këshillit Papnor për Unitetin e të Krishterëve.

Të lehtësohen zemrat e plasura

Në videomesazh, Papa ndalohet tek domethënia e Rrëshajëve, ngjarje  përmes së cilës vëren: “Zoti e mbushi me jetë botën”, ndërsa sot gjithçka infektohet me vdekjen, që po bën kërdinë kudo”. Atë ditë - vijoi Papa - popujt që flisnin gjuhë të ndryshme, u takuan, gjë krejt e kundërt  me “masat e drejta e të nevojshme për të qëndruar larg njëri-tjetrit”, që duhet të respektohen në të gjitha kontinentet. “Ndjehet fort nevoja - thekson Françesku - t’i ngushëllojmë zemrat e  thyera e Shpirti Shenjt është vetë Ngushëlluesi, që na siguron se nuk jemi vetëm, por nën mbrojtjen e vetë Zotit". Prej këndej, të aftë për të bërë të njëjtën gjë, domethënë, për të ngushëlluar: “Dëshirojmë që ndokush të kujdeset për ne? Të kujdesemi për atë, që nuk ka askënd. Na duhet shpresa për nesër? T’i japim shpresë së sotmes!”.

Ta jetojmë, atë që besojmë

Udha është ajo e rregullës së artë: t’ua bëjmë të tjerëve, çka na pëlqen të na e bëjnë ne! Dëshirojmë të dëgjohemi? Të dëgjojmë! Kemi nevojë për inkurajim? Të inkurajojmë! Duam që dikush të kujdeset për ne? Të kujdesemi për atë, që nuk ka askënd pranë! Kërkojmë shpresë për nesër? Të japim shpresë sot! – ngulmon Françesku, që kujton se në botën e sotme “ka zi tragjike për shpresë”. Prandaj Papa i fton gjithë të krishterët “të bëhen akoma më shumë e akoma më bashkë, dëshmitarë të mëshirës për njerëzimin e vënë para një prove kaq të rëndë.

T’i kërkojmë Shpirtit Shenjt - kujon Françesku - dhuratën e unitetit, sepse vëllazërimin mund ta përhapim kudo vetëm nëse ne vetë jetojmë si vëllezër! Nuk mund të kërkojmë që njerëzimi të jetë i bashkuar, nëse ne  ecim nëpër rrugë të ndryshme. Atëhere të lutemi për njëri-tjetrin, ta ndjejmë fort përgjegjësinë për njëri-tjetrin.

Të pasur me humanizëm

E pastaj, një mendim konkret, sepse vuajtja, për Papën, është gjithnjë Korpi i Krishtit, që duhet prekur. Ta lusim këto ditë Shpirtin Shenjt - fton Françesku - të dikohet mbi ata, të cilët marrin vendime delikate e urgjente, që ta mbrojnë jetën njerëzore dhe dinjitetin e punës. E të investohet për shëndetin, punën, zhdukjen e pabarazive e të varfërisë. Kurrë, më shumë se sot - përsërit Papa - nuk është ndjerë nevoja për një shikim plot humanizëm. Duhet të rifillojmë të ecim kah Zoti e kah i afërmi: jo të ndarë, jo të anestizuar përballë britmës të të harruarve e të planetit të plagosur. Kemi nevojë të jemi të bashkuar, për t’u bërë ballë pandemive, që pushtojnë botën: asaj të virusit, por edhe të urisë, të luftërave, përbuzjes së jetës, indiferencës. Vetëm duke ecur së bashku, do të mund të arrijmë larg!

31 maj 2020, 11:09