Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore 

Françesku: Kisha është shoqe udhe e çdo njeriu

Të kumtojnë, të pagëzojnë e të mësojnë për të ecur në rrugën e Ungjillit, duke dhënë dëshmi: ky është misioni, që Jezusi ua beson Apostujve në ditën e Ngjitjes në Qiell. E kujtoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke pohuar: “Krishti është gjithnjë me ne, të mësohemi për ta shikuar realitetin në dritën e të Ngjallurit!”

R. SH. - Vatikan

Në solemnitetin e Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, që kremtohet sot në Itali dhe në vende të tjera, Papa, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, reflektoi mbi fragmentin e Ungjillit (krh Mt 28,16-20), përmes të cilit takohemi me Apostujt e mbledhur në Galile, “mbi malin, që ua kishte treguar vetë Jezusi”. Këtu Zoti i ngjallur takohet për herë të fundit me të tijtë.

Simbolika e malit

Mali - shpjegoi Papa - ka një ngarkesë të fortë simbolike. Mbi mal Jezusi shpalli lumnitë (krh Mt 5,1-12); mbi male shkonte të lutej, takohej me turmat, shëronte të sëmurët:

“Po këtë herë, mbi mal nuk është më Mësuesi që vepron e mëson. Është Ai, që u kërkon dishepujve të veprojnë e të kumtojnë, duke ua besuar atyre mandatin për ta vijuar veprën e Tij”.

Krishti i ngarkon me misionin për të shkuar tek të gjithë njerëzit – kujtoi në vijim Papa. - E u tha:

“Shkoni e bëjini dishepuj mbarë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt e duke i mësuar të vënë në jetë  gjithçka ju urdhërova”.

Po cila ështe përmbajtja e misionit?

“Përmbajtja e misionit, që Jezusi ua besoi Apostujve, është të kumtojnë, të pagëzojnë, t’i mësojnë njerëzit për të ecur në udhën e Mësuesit, domethënë, të Ungjillit”.

Më pas Papa u ndalua tek mesazhi i shëlbimit.

“Ky mesazh - kujtoi - kërkon, para së gjithash, detyrën e  dëshmisë,  për të cilën edhe ne, dishepujt e sotëm, jemi të thirrur të tregojmë arsyen e fesë sonë”.

Përballë një detyre kaq të rëndësishme, e duke menduar sa të ligshtë jemi, ndjehemi krejt të paaftë, ashtu si duhet të jenë ndjerë edhe vetë  apostujt. Por, nuk duhet ta humbasim guximin! Mjafton të kujtojmë fjalët e Jezusit, para se të ngjitej në qiell:

“Unë jam me ju çdo ditë, deri në fund të fundit të botës!”.

Jezusi është gjithnjë mes nesh

Ky premtim na siguron për praninë ngushëlluese të Jezusit mes nesh. Po në ç’mënyrë realizohet kjo prani? - pyeti Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore:

“Përmes Shpirtit të Tij, që i prin Kishës në rrugët e historisë, si shok udhe për çdo njeri. Këtij Shpirti që, i dërguar nga Krishti e nga Ati, i fal mëkatet dhe i shenjtëron të gjithë ata që, të penduar, e hapin plot besim zemrën për dhuratën e Tij. Me premtimin për të mbetur gjithnjë me ne, deri në fund të fundit të kohëve, Jezusi përuron stilin e pranisë së Tij në botë si i Ngjallur; prani që  shfaqet në Fjalën, në Sakramentet, në veprimin e vazhdueshëm të Shpirtit Shenjt në shpirtrat  e njerëzve”.

Festa e Ngjitjes së Zotit në Qiell - vijoi të kujtonte Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore -  na kujton  se Jezusi, ndonëse u ngjit në qiell për të ndenjur i lumnuar në të djathtën e Atit, është akoma e përgjithnjë ndërmjet nesh: prej këtu buron forca jonë, ngulmimi e gëzimi ynë!

Përvoja e Apostujve është edhe jona - pohoi Françesku.

Sytë e fesë

 “Krishti  na bën ta shikojmë botën me sy të rinj, me sytë e fesë, që shohin shumë përtej së dukshmes, kalimtares: na mëson ta shikojmë realitetin që na rrethon, në dritën e pranisë së Tij si i Ngjallur. E atëhere edhe çdo njeri, që takojmë, shihet, pranohet, duhet në një mënyrë të re, sepse Krishti  ia larton dinjitetin dhe e bën model të denjë për t’u ndjekur”.

Virgjëra Mari - u lut në përfundim Papa - e shoqëroftë udhën tonë me mbrojtjen e saj amtare: “nga Ajo mësojmë ëmbëlsinë dhe guximin për të qenë në botë, dëshmitarë të Zoti të ngjallur!”.

24 maj 2020, 12:59