Françesku: Gjon Pali II, njeri i lutjes, i afërsisë e i drejtësisë

Papa e kremtoi sot Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Kapelën e Varrit të Shën Gjon Palit II, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Papës polak.

R. SH. - Vatikan

Në njëqind vjetorin e lindjes së Gjon Palit II (18 maj 1920), Papa Françesku kryesoi Meshën (kremtimi i plotë, në video), në Kapelën e Bazilikës së Shën Pjetrit, ku pushon në paqe Papa Wojtyla. Ndërmjet bashkëkremtuesve, kardinali Angelo Comastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit dhe kryeprift i Bazilikës vatikanase; kardinali polak Konrad Krajewski, lëmoshtar apostolik; imzot Piero Marini, për 18 vjet mjeshtër i kremtimeve liturgjike gjatë Papnisë së Gjon Palit II, si dhe kryeipeshkvi polak, Romeo Pavlowski, kreu i Seksionit III të Sekretarisë së Shtetit, që merret me personelin diplomatik të Selisë së Shenjtë.

E sotmja ishte Mesha e fundit e mëngjesit, kremtuar drejtpërdrejt në streaming nga Françesku që më 9 marsin e kaluar, menjëherë pas ndërprerjes së kremtimeve me pjesëmarrjen e popullit, për shkak të pandemisë së Covid 19.

Me rifillimin, në Itali e në vende të tjera, të kremtimeve me besimtarët, që nesër, 19 maj, përfundon transmetimi i drejtpërdrejtë i Meshës të orës 07.00 në Shën Martë. Papa uron që Populli i Zotit të mund të rikthehet  në atmosferën e familjaritetit komunitar me Zotin në sakramentet, duke respektuar gjithnjë - siç e theksoi edhe dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore  - rregullat e caktuara për mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve.  Kujtojmë se Bazilika e Shën Pjetrit u higjienizua të premten e kaluar.

Papa, në krye të Meshës, iu lut “Zotit të mëshirës, i cili e thirri Gjon Palin II t’i prijë mbarë Kishës, të na ndihmojë edhe ne që, të forcuar nga mësimi i Tij, t’i hapim plot besim zemrat tona për hirin e Krishtit, Shëlbuesit të vetëm të njeriut”.

Në homeli, Françesku kujtoi se “Zoti e do popullin e vet”, e populli i Izraelit, kur Zoti i dërgonte një profet, një njeri  të  Tijin, thoshte: “Zoti e vizitoi popullin e vet, sepse e do!”. E të njëjtën gjë thoshte edhe turma, e cila e ndiqte Jezusin, duke parë mrekullitë, që bënte: “Zoti e vizitoi popullin e vet!”. E sot - theksoi Papa - edhe ne mund të themi: “Njëqind vjet më parë Zoti e vizitoi popullin e vet. Dërgoi një burrë, të cilin e përgatiti për t’u vënë në krye të Kishës”. Zoti e do popullin e vet, Zoti e vizitoi popullin e vet, i dërgoi një Bari”.

Françesku theksoi, në vijim, tre tiparet kryesore të Bariut të Mirë, që kishte Gjon Pali II: “Lutjen, afërsinë me popullin dhe dashurinë për drejtësinë”.

Shën Gjon Pali II ishte njeri i Zotit, sepse lutej, e lutej shumë, pavarësisht nga puna e jashtëzakonshme për udhëheqjen e Kishës. E dinte mirë se detyra e parë  e ipeshkvit është të lutet. E dinte, dhe e bënte! Ishte model i ipeshkvit. Kjo, detyra e tij e parë. E na mësoi se kur ipeshkvi bën rrëmimin e ndërgjegjes në mbrëmje, duhet ta pyesë veten: “Sa orë u luta sot?” Ishte njeri i lutjes.

Tipari i dytë - njeri i afërsisë. Nuk ishte i shkëputur nga populli, madje shkonte ta takonte popullin e tij, duke u bërë gjithnjë i afërt me të. E afërsia është një nga tiparet e Zotit me popullin e vet. Kujtojmë se Zoti i thotë popullit të Izraelit: “Shiko, e cili popull i pati zotat e vet kaq pranë, sa më ke ti?”. Një afërsi e Zotit me popullin e vet, që pastaj bëhet edhe më e ngushtë në Jezusin, bëhet më e fortë, në Krishtin! Bariu është gjithnjë pranë popullit të vet. Përndryshe nuk është bari, është hierark, admnistrator, ndoshta i mirë, por nuk është bari. Afërsia me popullin! E  Shën Gjon Pali II na dha një shembull të shkëlqyer të kësaj afërsie: “pranë të mëdhenjve e të vegjëlve, të afërmve e të largtëve, gjithnjë pranë, pranë të gjithëve”.

“Tipari i tretë, dashuria për drejtësinë. Po drejtësi e plotë!”. Burrë, që e donte drejtësinë, drejtësinë shoqërore e drejtësinë e popujve, drejtësinë që i dëbon luftërat. Drejtësinë e përsosur! Prandaj Gjon Pali II ishte edhe njeri i mëshirës, sepse drejtësia e mëshira ecin krah për krah, nuk mund të dallohen, shkojnë bashkë; drejtësia është drejtësi, mëshira- mëshirë, po nuk mund të gjinden njëra pa tjetrën. E, duke folur për njeriun e drejtësisë e të mëshirës, mendojmë sa shumë bëri Gjon Pali II që njerëzit ta kuptonin mëshirën e Zotit. Të mendojmë si e çoi përpara devocionin për Shën Faustinën”, kujtimi liturgjik i së cilës tani shtrihet në mbarë Kishën. “Ai e pati ndjerë se drejtësia e Zotit kishte fytyrën e mëshirës. E kjo është dhuratë, që na e la ai: “drejtësi e mëshirshme e mëshirë e drejtë”.

“Të lutemi sot, që të na japë të gjithëve, posaçërisht barinjve të Kishës, por të gjithëve, hirin e lutjes, hirin e afërsisë e hirin e drejtësisë-mëshirë e mëshirës-drejtësi”.

Në përfundim të Meshës, Françesku e luti Zotin të ndezë në shpirtin tonë flakën e mëshirës, që ushqeu pambarimisht jetën e Gjon Palit II dhe e nxiti “ta  shkrinte gjithë vetveten për Kishën”.

18 maj 2020, 09:53