Kërko

 Audienca e pëgjithshme Audienca e pëgjithshme  

Françesku flet për rëndësinë e lutjes, sepse njeriu është “lypës i Zotit”!

Sot Papa nisi një cikël të ri katekizmi, me temën e lutjes. E këtë ua kujtoi besimtarëve, duke analizuar figurën e Bartimeut, të verbrit të Jerikos që, nga faqja e Ungjillit të Markut, e shpall duke bërtitur në kupë të qiellit fenë e vet e i shpreh Jezusit dëshirën për ta parë përsëri e përsëri. Në lypësin e mjerë shikojmë njeriun, i cili nuk i nënshtrohet së keqes, që e mundon, por e pohon, duke bërtitur me zë të lartë, shpresën në shpëtimin, që vjen nga Zoti!

R. SH. - Vatikan

Papa e nisi katekizmin me historinë e Bartimeut, njërit nga personazhet e Ungjillit sipas Markut (Mk 10,46-52). Ishte i verbër e rrinte ulur buzë rrugës, me dorën e shtrirë, në pritje të lëmoshës, në rrethinat e qytetit të tij Jerikos. Nuk është personazh pa emër - kujtoi Papa - ka fytyrë, ka emër. Quhet Bartime e është i biri  i Timeut.

Papa e vijoi audiencën, duke treguar historinë e këtij lypësi, që një ditë dëgjoi se Jezusi do të kalonte asajt. Nuk ishte për t’u çuditur: Jeriko ishte udhëkryq. Ndaj aty përshkoheshin gjithfarë njerëzish, duke nisur nga tregtarët e shtegtarët. Prandaj ngulet aty, Bartimeu. I gatshëm për të bërë gjithçka mundej, vetëm e vetëm që të takohej me Jezusin.

Lutja, frymëmarrje e fesë

E prandaj hyn në faqet ungjillore si zë, që bërtet në kupë të qiellit. Ai -  vijoi të kujtonte Papa në audiencën e përgjithshme - nuk shikon; nuk e di, prandaj, nëse Jezusi është pranë, apo larg, por e kupton nga turma që, në një shenjë kohe, shtohet e afrohet aty, ku rrinte i verbri. Ishte fare vetëm. Askush nuk kujtohet për të. E ai, çfarë bën? - pyeti Papa – Bërtet. Përdor armën e vetme, që kishte: zërin! Lëshon një britmë të fuqishme “O i Biri i Davidit, Jezus, kij mëshirë për mua!” (v. 47).

Britmë, që e përsërit papushuar, aq sa i bezdis njerëzit, që e rrethojnë, të cilët i kërkojnë të heshtë e të mos e vijojë më atë britmë. Po Bartimeu nuk hesht. Madje bërtet edhe më fort: “O i Biri i Davidit, kij mëshirë për mua!” (v.47). Me përshkrimin e kësaj skene ungjillore, e nisi Papa, në audiencën e përgjithshme, ciklin e ri të katekizmit, kushtuar lutjes. Me këtë shprehje: “Biri i Davidit”. Eshtë shumë e rëndësishme - nënvizoi - sepse Bir i Davidit  do të thotë “Mesia”. E është edhe besojmë, që del nga goja e këtij njeriu të përbuzur e të harruar nga bota.

Forca e fesë tërheq mëshirën e Zotit

E Jezusi e dëgjon britmën e tij - kujtoi në vijim Françesku. - Lutja e Bartimeut e preku zemrën e Zotit. E për të u hapën portat e shëlbimit. Jezusi e thirri. E ai kërceu në këmbë e ata, që më parë donin ta detyronin të heshtëte, e ndjekin pas drejt Krishtit. Jezusi i flet, i kërkon të shprehë dëshirën e tij - kjo ka shumë rëndësi - e atëhere britma shndërrohet në shprehje të dëshirës më të zjarrtë, që mund të ketë një njeri i verbër: “Dua të shoh përsëri!” (V.50). E merr nga Zoti përgjigjen:

“Shko! Feja jote  të shpëtoi!”.

Shohim tek ky varfanjak i mjerë, i përbuzur, gjithë forcën e fesë, që tërheq mëshirën dhe pushtetin e Zotit. E Papa shpjegoi, përmes kësaj mrekullie, ç’ do të thotë të kesh fe  të vërtetë.

“Fe do të thotë të kesh dy duar të lartuara drejt qiellit e një zë, që bërtet, për të kërkuar shëlbimin!”.

Feja, protestë kundër një dënimi, që nuk e kuptojmë

Katekizmi - kujtoi Papa Françesku - pohon  se “përvujtëria është themeli i lutjes. Lind nga toka, nga “humusi”, prej nga vjen fjala “i humbur”, domethënë i përvuajtur, i etur për fjalën e Zotit, për fenë. Sepse feja  është britmë, mungesa e fesë, përpjekje për ta mbytur këtë britmë:

“Feja është protestë kundër gjendjes së dhimbshme, që nuk e kuptojmë pse e nga na vjen; mungesa e fesë është t’i nënshtrohesh gjendjes, me të cilën jemi mësuar. Feja është shpresë për shpëtim, mungesa e saj, përshtatje ndaj së keqes, që na mundon korp e shpirt”.

Bartimeu, njeri që di të ngulmojë

Papa kujtoi se në një figurë si kjo e Bartimeut, është shkruar gjithçka. Ai është ngulmues. Njeri që, përballë atyre të cilët i shpjegojnë se e ka kot që lutet, nuk hesht. Përkundrazi: britma e tij për ndihmë lartohet në kupë të qiellit. E, në fund fiton:

“Më i fortë se çdo argument i kundërt, në zemrën e njeriut është një zë që bërtet. Një zë, që del vetvetiu, pa e komanduar kush, një zë që kërkon kuptimin e udhës sonë mbi dhe, posaçërisht kur na rrethon errësira: ‘Jezus, kij mëshirë për ne. Mëshirë për ne të gjithë!’”.

Britma e heshtur,  në zemrën e “lypësit të Zotit”

Thua këto fjalë nuk janë të shkruara në mbarë gjithësinë?– përfundoi Françesku - Në atë gjithësi, që bërtet në kupë të qiellit e lutet që misteri i mëshirës të përmbushet përfundimisht? E vërteton fakti se nuk luten vetëm të krishterët, por të gjithë burrat e gratë, e, siç e pohon Shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve - e dimë se mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes. Dhe jo vetëm ajo! Por, edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur shpërblimin e trupit tonë.  Eshtë një britmë e heshtur, që gufon nga  çdo krijesë, e posaçërisht, nga zemra e njeriut, sepse njeriu është lypës i Zotit”. Përkufizim i bukur - komentoi në përfundim Françesku - që e gjejmë në Katekizmin e Kishës Katolike.

06 maj 2020, 11:49