Kërko

Fatima. Papa: të bashkuar me Marinë, të lutemi për paqen dhe fundin e pandemisë

Gjatë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku kujtoi festën e sotme të Zojës së Fatimës, në përvjetorin e dukjes së saj të parë tre barinjve, më 13 maj 1917. Duke respektuar masat e sigurisë për të shmangur përhapjen e Covid -19, edhe në Shenjtëroren mariane në Portugali, sivjet kremtimet u mbajtën në streaming e pa procesionin e përvitshëm.

R. SH. - Vatikan

ë ditën kur Kisha përkujton dukjen e parë të Virgjërës Mari  vegimtarëve të Fatimës, më 13 maj 1917, Papa i nxiti besimtarët “të ngulmojnë në dashurinë e Zotit e të të afërmit”. E bëri këtë thirrje në përfundim të audiencës së përgjithshme, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik:

“Në përvjetorin e Dukjes së parë të Zojës, vegimtarëve të vegjël të Fatimës, ju ftoj t’i luteni Virgjërës Mari të na bëjë të gjithëve ngulmues  në dashurinë për Zotin e për të afërmin”.

Shën Gjon Pali II dhe Zoja e Fatimës

Gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve polakë, Françesku ftoi për të rikujtuar dukjet e Zojës së Fatimës, mesazhin e saj drejtuar botës si dhe atentatin kundër Gjon Palit II i cili, në shpëtimin e jetës së tij, pa gjithnjë dorën amtare të Zojës së Bekuar:

“Në lutjen tonë t’i kërkojmë Zotit, nëpër ndërmjetësinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës, paqen për botën, fundin e pandemisë, shpirtin e pendesës e kthesën tonë”.

Kremtim në streaming

Në këto çaste pandemie, që po jetojmë, Papa Françesku i përqafoi  besimtarët e mbarë botës, të papranishëm, por në lidhje radiotelevizive e në streamig. Po kështu, pa praninë e tyre fizike, u mbajtën në këto orë edhe kremtimet në Portugali, duke respektuar masat e sigurimit për të shmangur infektimin me Covid 19. Sivjet nuk u kremtua shtegtimi ndërkombëtar. Ndërsa, gjithnjë në streamig, sonte do të transmetohet drejtpërdrejt Rruzarja. E sot u kremtua, po në streamig, edhe Mesha ndërkombëtare, kryesuar nga ipeshkvi i Leiria-Fatimës, kardinali Antonio Augusto dos Santos Marto, të cilin Papa e  përshëndeti gjatë audiencës së përgjithshme.

13 maj 2020, 12:21