Gjon Pali II n Takimin e Asizit Gjon Pali II n Takimin e Asizit  Editorial

Ato duar të shtrira për të gjithë, aktualitet e dëshmi

Njëqindvjetori i lindjes së Gjon Palit II, një Pape që eci në hullinë e Koncilit II të Vatikanit, duke hapur shtigje gjithnjë të reja!

R. SH. - Vatikan

Më 27 tetor të vitit 1986, në një çast dramatik të historisë sonë të vonë, kur ishte tejet e mundshme perspektiva e një lufte bërthamore, Shën Gjon Pali II, me guxim e duke përballuar shumë kundërshtime, edhe të brendshme,  thirri në Asizi përfaqësuesit e të gjitha feve të botës. “Mjafton t’i shikosh të mbledhur së bashku për t’u lutur një mori krerësh fetarë - pati thënë - për të kuptuar se mbarë botës po i drejtohet ftesa të bëhet e vetëdijshme se ekziston një përmasë tjetër e paqes e edhe një mënyrë tjetër për ta mbrojtur, që nuk është rezultat i bisedimeve, i kompromiseve politike ose i pazarllëqeve ekonomike. “Është thjesht rezultat i lutjes që, ndonëse në larmi fesh, shpreh lidhjen me Pushtetin më të lartë,  që ia kalon të gjitha aftësive tona  njerëzore”. “Ne jemi këtu - pati shtuar Papa Wojtyla - të sigurt se ndjehet fort nevoja e lutjes së përbashkët, të përvuajtur, lutjes besimplote, nëse duam që bota të bëhet, më në fund, një vend ku ka paqe të vërtetë e të përhershme”.

Kremtojmë këtë 18 maj njëqindvjetorin e lindjes të Papës së Madh,  ardhur prej përtej perdes së hekurt që, në shërbimin e tij të gjatë papnor, i priu Kishës së mijëvjeçarit të ri, e pa duke u shembur Murin e  Berlinit, që ndante më dysh Evropën e shpresoi të shikojë agimin e një bote të re, me paqe! Por, për fat të keq - i u desh - nësa ishte i motnuar e i sëmurë - të ballafaqohej me luftëra të reja e me terrorizmin destabilizues, pa pikë mëshire, që e shpërdoron emrin e Zotit për të mbjellë vdekje e shkatërrim. E, për t’iu kundërvënë, në janar 2002, i mblodhi përsëri fetë në Asizi, pa iu nënshtruar kurrë ideologjisë së ndeshjes ndërmjet qytetërimeve e duke synuar gjithnjë, deri në fund të fundit, takimin ndërmjet popujve, kulturave, feve. Dëshmoi një fe shkëmbore, një asketizëm prej mistiku të madh, një humanizëm të pashoq! U foli të gjithëve, bëri çmos për të shmangur shpërthimin e një konflikti të mundshëm, për të favorizuar tranzicionet paqësore e për të siguruar paqen dhe drejtësinë.

I ra globit kryq e tërthor, për të përqafuar popujt e botës, duke kumtuar Ungjillin. Luftoi me të gjitha forcat për të mbrojtur dinjitetin e çdo jete njerëzore. Vizitoi sinagogën e Romës. Kapërceu - i pari papë në histori - pragun e një xhamie. Eci gjithnjë në hullinë e Koncilit II të Vatikanit. Diti të hapë shtigje përherë të reja e të panjohura, i gatshëm të diskutojë edhe për mënyrën e ushtrimit të shërbesës së Pjetrit, në favor të unitetit të të krishterëve.

Dëshmia e Tij sot është më aktuale se kurrë!

17 maj 2020, 11:14