Kërko

Papa: jemi të izoluar, por ta ndihmojmë njëri-tjetrin me krijimtarinë e dashurisë

“U thoni të vuajturve se Papa u qëndron afër dhe lutet që Zoti të na lirojë shpejt nga e keqja”. Ati i Shenjtë hyn në shtëpitë e gjithë botës me një videomesazh për Javën e Madhë të Pashkëve. Duke folur me ëmbëlsi, i nxit për shpresë dhe për ta përdorur këtë kohë izolimi me bujari.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku hyn sot në shtëpitë e njerëzve të gjithë botës, me një videomesazh, që i paraprin Javës së Madhe të Pashkëve. E bën këtë duke kërkuar leje, me ëmbëlsi e pa dashur të shqetësojë kënd, për të biseduar me ata, që janë mbyllur brenda në këto kohë pandemie nga koronavirusi, sidomos me më të vuajturit. U flet nënave e baballarëve, fëmijëve, që koronavirusi u vodhi gjallërinë dhe moskokëçarjen e moshës, u flet të rinjve, të moshuarve, të sëmurëve, dhe familjeve, që jetojnë me dhimbjen e zisë për të dashurit e tyre të vdekur nga Covid-19. Ja teksti i plotë i videomesazhit:

         Të dashur miq, mirëmbrëma!

         Sonte, kam mundësinë të hyj në shtëpitë tuaja në një mënyrë jo të zakonshme. Nëse do të më lejoni, dua të bisedoj me ju për disa minuta, në këtë periudhë vështirësish e vuajtjesh. Ju imagjinoj në familje, ndërsa kaloni një jetë jo të zakonshme, për të shmangur infektimin. Mendoj për gjallërinë e fëmijëve dhe të të rinjve, që nuk mund të dalin, të frekuentojnë shkollën, të bëjnë jetën e tyre. I kam në zemër të gjitha familjet, sidomos ato, që kanë ndonjë të afërm të sëmurë, ose që, fatkeqësisht, kanë pasur ndonjë vdekje, për shkak të koronavirusit, ose për arsye të tjera. Gjatë këtyre ditëve, mendoj shpesh për njerëzit e vetmuar, për të cilët është më e vështirë të përballohet ky çast. Sidomos, mendoj për të moshuarit, që janë shumë të dashur për mua.

         Nuk mund t’i harroj të sëmurët me koronavirus, njerëzit e shtruar në spital. E kam parasysh bujarinë e atyre, që ekspozohen për kurimin nga kjo pandemi, ose për të garantuar shërbimet thelbësore të shoqërisë. Sa heronj, çdo ditë, çdo orë! Kujtoj edhe ata, që po kalojnë vështirësi ekonomike e shqetësohen për punën e për të ardhmen. Mendimi shkon edhe tek të burgosurit, dhimbjes së të cilëve i shtohet edhe frika nga epidemia, për vete e për të afërmit; mendoj për të pastrehët, të cilët nuk kanë shtëpi që t’i mbrojë.

         Është çast i vështirë për të gjithë. Për shumë vetë, tejet i vështirë. Papa e di këtë dhe, me këto fjalë, dëshiron t’u tregojë të gjithëve afërsinë dhe dashurinë e tij. Le të përpiqemi, nëse mundemi, ta përdorim sa më mirë këtë kohë: të jemi bujarë; të ndihmojmë ata, që kanë nevojë për afërsinë tonë; t’i kërkojmë, edhe përmes telefonit apo rrjeteve shoqërore, njerëzit më të vetmuar; t’i lutemi Zotit për të sprovuarit në Itali e në botë. Megjithëse jemi izoluar, mendimi e shpirti mund të shkojnë larg, me krijimtarinë e dashurisë. Kjo nevojitet sot: krijimtaria e dashurisë.

         E kremtojmë në një mënyrë vërtet të pazakontë Javën e Madhe të Pashkëve, që tregon dhe përmbledh mesazhin e Ungjillit, atë të dashurisë pa kufi të Zotit. E në heshtjen e qyteteve tona, do të jehojë sërish Ungjilli i Pashkëve. Siç thotë shën Pali apostull: “E Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta” (2 Kor 5,15). Në Jezu Krishtin e ringjallur, jeta fitoi mbi vdekjen. Kjo fe e Pashkëve e ushqen shpresën tonë. Dua ta ndaj me ju sonte. Është shpresa për kohë më të mira, në të cilat të jemi më të mirë ne, më në fund, të çliruar nga e keqja e nga kjo pandemi. Është shpresë: shpresë, që nuk zhgënjen; nuk është iluzion, është shpresë.

         Njëri pranë tjetrit, në dashuri e në durim, gjatë këtyre ditëve, mund të përgatisim një kohë më të mirë. Ju falenderoj që më lejuat të hyj në shtëpitë tuaja. Bëni një gjest të dhembshur për ata, që vuajnë, për fëmijët, për të moshuarit. U thoni atyre se Papa u qëndron pranë e lutet, që Zoti të na lirojë të gjithëve e sa më shpejt nga e keqja. E ju, lutuni për mua. Ju bëftë mirë darka. Mirupafshim së shpejti!

03 prill 2020, 20:10