Kërko

07445_19042019-Via-Crucis.jpg

Mesazh i Papës për burgun e Padovës, nga vijnë meditimet e Udhës së Kryqit 2020

"Në Udhën e Kryqit, do t’ua jepni hua historinë tuaj të gjithë atyre, që jetojnë të njëjtën gjendje në botë. Është ngushëlluese të lexosh një histori, në të cilën përmblidhen jo vetëm historitë e të burgosurve, por edhe e të gjithë atyre, që apasionohen për botën e burgut", thekson Papa Françesku në mesazhin, me të cilin falenderon të gjithë anëtarët e kapelanisë së burgut padovan.

R.SH. - Vatikan

“Të dashur miq të famullisë ‘Due Palazzi’ të Padovës”: fillon kështu mesazhi, me të cilin Papa Françesku falenderon sot të gjithë anëtarët e kapelanisë së burgut padovan, që sivjet kanë shkruar meditimet e Udhës së Kryqit, kremtuar në Vatikan e në gjithë botën, në kushte të jashtëzakonshme, diktuar nga pandemia e koronavirusit. Për Atin e Shenjtë, pesë të burgosurit; familja, së cilës i kanë vrarë vajzën; bija e një të burgosuri të përjetshëm; edukatorja; magjistrati mbikqyrës; nëna e një të burgosuri, frati vullnetar dhe polici, autorë të tekstit, janë të gjithë “miq”, që kanë nxjerrë nga zemra gjithçka u frymëzon secila nga Ndalesat e Udhës së Kryqit, që në një mënyrë apo në tjetrën, lidhet me përvojën e tyre të dhimbshme.

         “I lexova meditimet – thotë Papa në mesazhin zanor, transmetuar përmes një radioje italiane – të cilat i keni ofruar si dhuratë të gjithë bashkë. U ula në palat e fjalëve tuaja e u ndjeva i mirëpritur, si në shtëpi. Faleminderit, që ndatë me mua, një pjesë nga historia juaj. Zoti tregon për veten e na flet përmes historisë, na fton ta dëgjojmë me kujdes e mëshirë. Dua t’ju falenderoj edhe pse [s’i keni përmendur] emrat e i keni lënë të zhduken jo në detin e anonimëve, por në atë të shumë njerëzve të lidhur me botën e burgut. Kështu, në Udhën e Kryqit, do t’ua jepni hua historinë tuaj të gjithë atyre, që jetojnë të njëjtën gjendje në botë. Është ngushëlluese të lexosh një histori, në të cilën përmblidhen jo vetëm historitë e të burgosurve, por edhe e të gjithë atyre, që apasionohen për botën e burgut. Së bashku, është e mundur. Së bashku. Ju përqafoj fort. Megjithëse jam i sigurt se don Marco jua kujton gjithmonë, po jua kërkoj: lutuni për mua. Ju kam gjithnjë në zemër. Faleminderit”.

10 prill 2020, 11:56