Kërko

 Bekimi Urbi et Orbi Bekimi Urbi et Orbi 

Urbi et Orbi. Papa: Nuk është koha e egoizmit, e përçarjes, por e solidaritetit

Pas Meshës Shenjte, Françesku dha bekimin e ditës së Pashkëve. Në mesazhin drejtuar Romës e Botës kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara.

R. SH. - Vatikan

Pas Meshës Shenjte, Françesku dha bekimin apostolik të Ditës së Pashkëve të Krishtit. Në mesazhin drejtuar Urbi et Obr - Romës e Botës  kërkoi përsëri armëpushimin global dhe ndalimin e menjëhershëm të fabrikimit të armëve. Duke iu lutur Krishtit të ngjallur, kujtoi krizën shëndetësore dhe një mori emergjencash të harruara. Më poshtë, mesazhi i Françeskut drejtuar Romës dhe botës:

“Sot jehon në mbarë botën kumti i Kishës: “Jezusi u ngjall!- “Vërtet u ngjall!”.

Si një flakë e re ky Lajm i Mirë flakëroi nëpër natë; natë e një bote, prej kohe e zënë me sfidat epokale e tani e shtypur nën barrën e pandemisë, që po e vë në provë të rëndë familjen njerëzore. Në këtë natë rijehoi rishtas zëri i Kishës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!” (Sekuenca e Pashkëve).

 Është një “pandemi” tjetër, kjo, që “ngjitet” nga zemra në zemër - sepse çdo zemër njerëzore e pret këtë Lajm të Mirë. Pandemia e shpresës: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!”. Nuk është formulë magjike, që i bën të zhduken problemet. Jo, kjo nuk është ngjallja e Krishtit! Ngjallja e Krishtit është fitorja e dashurisë mbi rrënjën e së keqes, fitore, që nuk i “lë pas” vuajtjen e vdekjen, por i kapërcen, duke marrë rrugën drejt  honit e duke e shndërruar të keqen në të mirë: vulë, që e ka vetëm pushteti i Zotit!

I Ngjalluri është i Kryqëzuari, askush tjetër. Në korpin e Tij të lumnueshëm mbart plagët e pashlyeshme: plagë që bëhen frëngji shprese. Kah Ai i drejtojmë sytë tonë, duke iu lutur t’i shërojë varrët e njerëzimit të plagosur.

Sot mendimi im shkon posaçërisht tek ata, që u goditën drejtpërdrejt nga koronavirusi: tek të sëmurët, ata që vdiqën e familjarët, që qajnë për humbjen e të dashurve, të cilëve shpesh nuk arritën as t’u japin lamtumirën e fundit. Zoti i jetës i marrtë për dore të vdekurit në mbretërinë e tij; i dhashtë ngushëllim e shpresë atij, që vijon të jetë në provë, posaçërisht pleqve dhe njerëzve të vetmuar! Premtoftë të mos u mungojnë ngushëllimi  i Tij e as ndihmat e nevojshme njerëzve, që jetojnë në kushte vështirësish të veçanta,  si  atyre që punojnë ndër spitale, ose që jetojnë në kazerma e ndër burgje! Për shumëkënd janë Pashkë vetmie, të jetuara në zinë e mjerimin, që po shkakton pandemia, duke nisur nga vuajtjet fizike, tek problemet ekonomike.

Kjo sëmundje ngjitëse na la jo vetëm pa ngrohtësinë njerëzore, por edhe pa mundësinë që ta ndjejmë personalisht ngushëllimin, i cili gurron nga Sakramentet, posaçërisht nga Eukaristia e nga Sakramenti i Pajtimit. Në shumë vende nuk ka qenë e mundur të merren, po Zoti nuk na la vetëm! Duke mbetur të bashkuar në lutje, jemi të sigurt se Ai na e mban dorën mbi krye  (krh Ps. 138,5), e na përsërit me forcë: mos ki frikë! U ngjalla e jam përgjithmonë me ty!” (krh Meshari Romak)

 Jezusi, Pashka jonë, u dhashtë forcë e shpresë mjekëve e infermierëve, që po japin kudo dëshmi kujdesi e dashurie ndaj të afërmit, deri në shterrimin e forcave e, jo rrallë, edhe me flijimin e shëndetit! Tek ata, ashtu si edhe tek njerëzit e tjerë, që punojnë me zell për të garantuar shërbimet kryesore, të nevojshme për bashkëjetesën civile, tek forcat e rendit e tek ushtarakët, që në shumë vende dhanë ndihmesën e tyre për t’i  lehtësuar vështirësitë e vuajtjet e popullsisë, shkon mendimi ynë e mirënjohja jonë.

Në këto javë, jeta e miliona njerëzve ndryshoi krejt papritur. Për shumë, ngujimi në shtëpi ishte rast për të reflektuar, për t’i ndalur ritmet e ethshme të jetës, për të ndenjur me të dashurit e për të shijuar shoqërinë e tyre. Për shumë të tjerë është edhe kohë shqetësimi për ardhmërinë, e cila duket krejt e paqartë; për punën, që rrezikohen ta humbasin e për pasojat e tjera, që sjell kriza. Inkurajoj ata që kanë përgjegjësi politike të bëjnë çmos në favor të së mirës së përbashkët të qytetarëve, duke u siguruar mjetet dhe instrumentet e nevojshme, që u krijojnë të gjithëve mundësinë  të  kalojnë një jetë dinjitoze e të favorizojnë, kur e lejojnë rrethanat, rifillimin e  veprimtarive të përditshme.

Nuk është kjo koha e indiferencës, sepse mbarë bota po vuan  e duhet  ta ndjejë veten të bashkuar në përballimin e pandemisë. Krishti i ngjallur u dhashtë shpresë gjithë të varfërve, atyre që jetojnë në periferi, refugjatëve  e të pastrehëve! Nuk duhen lënë vetëm këta vëllezër e motra më të ligësht, që popullojnë qytetet dhe periferitë në të katër anët e botës. Të mos lejojmë t’u mungojnë gjërat më të nevojshme, që gjinden me vështirësi  tani, kur shumë veprimtari janë të mbyllura; ashtu si dhe ilaçet e, sidomos, mundësia për asistencën e duhur shëndetësore. Duke pasur parasysh rrethanat, u lehtësofshin dhe masat ndeshkimore ndërkombëtare, të cilat i frenojnë mundësitë e vendeve të ndëshkuara për t’u dhënë mbështetjen e duhur qytetarëve të tyre e për t’u krijuar të gjitha shteteve, posaçërisht më të varfrave, kushtet për t’i bërë ballë nevojave më të mëdha të çastit, duke ua reduktuar, nëse nuk mund t’ua falin, borxhin që rëndon mbi buxhetet e tyre.

Nuk është kjo, koha e egoizmave, sepse sfida që po përballojmë na bashkon të gjithëve e nuk bën dallime ndërmjet njerëzve. Ndërmjet të gjitha zonave të botës, të prekura nga koronavirusi,  i drejtoj një mendim të veçantë Evropës. Pas Luftës II Botërore, ky kontinent i dashur mundi të rilindej falë frymës konkrete të solidaritetit, që e ndihmoi t’i kapërcejë rivalitetet e së kaluarës. Është më urgjente se kurrë, posaçërisht në rrethanat e sotme, që këto rivalitete të mos e ngrenë më kokën, por të gjithë ta kuptojnë se janë pjesë e një familjeje të vetme e ta mbështesin njëri-tjetrin. Sot Bashkimi Evropian është përballë një sfide epokale, nga e cila varet jo vetëm ardhmëria tij, por edhe ajo e mbarë botës. Nuk duhet humbur rasti për të dhënë një provë solidariteti, edhe duke kërkuar rrugëzgjidhje të reja. Alternativa është vetëm egoizmi i interesave të veçanta dhe tundimi i rikthimit të së kaluarës, me rrezikun e vënies në provë të rëndë të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit të breznive të reja.

Nuk është kjo, koha e përçarjeve. Krishti, paqja jonë, i shndritët ata, të cilët kanë përgjegjësi në konfliktet, të marrin guximin  e t’i përgjigjen thirrjes për armëpushimin global e të menjëhershëm në të katër anët e botës! Nuk është kjo, kohë për fabrikimin dhe trafikun e armëve, kohë për të shpenzuar kapitale shumë të mëdha, që do të duhej të përdoreshin  për të mjekuar njerëzit e për të shpëtuar jetë. Është, ndërkaq, koha për t’i dhënë fund luftës së pafundme, që gjakosi Sirinë, konfliktit në Jemen e tensioneve në Irak, ashtu si edhe në Liban. Qoftë kjo, koha e rifillimit të dialogut ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve, për të gjetur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë, që u krijon të dyja palëve kushtet për të jetuar në paqe! Përfundofshin vuajtjet e popullsisë,  që jeton në zonat lindore të Ukrainës dhe sulmet terroriste kryer kundër një mori njerëzish në vendet e Afrikës.

Nuk është kjo koha e harresës! Kriza, që po përballojmë, mos na bëftë të harrojmë një mori emergjencash të tjera, që sjellin me vete vuajtje të rënda për shumë njerëz! Zoti i jetës qoftë pranë popullsive të Azisë e të Afrikës, që po kalojnë kohë krizash humanitare, ashtu si edhe në rajonin e Kabo Delgado, në veri të Mozambikut! Ua ngrohtë zemrën  refugjatëve e të shpërngulurve të shumtë, për shkak të luftërave, të thatësirës e të zisë së bukës. I mbrojtët migrantët dhe refugjatët e panumërt, shumë prej të cilëve janë fëmijë, që jetojnë në kushte të padurueshme, posaçërisht në Libi e në kufirin ndërmjet Greqisë e Turqisë!  Premtoftë që në Venezuelë të gjinden rrugëzgjidhje konkrete e të menjëhershme, të cilat synojnë të pranohet kërkesa për ndihmë ndërkombëtare ndaj popullsisë, që vuan nga shkaku i krizës së rëndë të koniukturës politike, shoqëroro-ekonomike e shëndetësore.

Të dashur vëllezër e motra

 ndiferenca, egoizmi, harresa nuk janë fjalët që dëshirojmë t’i dëgjojmë në këtë kohë. Madje duam t’i zhdukim nga të gjitha kohët! Ata duket sikur mbizotërojnë, kur në shpirtin tonë jetojnë frika e vdekja, domethënë, kur nuk e lëmë të fitojë Zotin Jezus në zemrën tonë e në jetën tonë. Ai, që e mundi vdekjen duke na hapur udhën e shëlbimit  të amshuar,  i davaritët terrinat e natyrës sonë njerëzore e na priftë në ditën e lume, që nuk njeh perëndim!

12 prill 2020, 12:58