2020.04.10 Venerdi' Santo – Celebrazione della Passione del Signore - Basilica di San Pietro  2020.04.10 Venerdi' Santo – Celebrazione della Passione del Signore - Basilica di San Pietro  

Udha e Kryqit: meditimet e shkruara nga burgu

Pesë të burgosur, një familje viktimë e vrasjes, vajza e një të burgosuri të përjetshëm, një edukatore, një magjistrat i mbikqyrjes, nëna e një të burgosuri, një katekist, një meshtar i akuzuar padrejtësisht, një frat vullnetar, një polic, të gjithë, të lidhur me Kapelaninë e burgut “Due Palazzi” në Padova: këta janë autorët e meditimeve, që do të lexohen gjatë Udhës së Kryqit, kryesuar këtë vit nga Papa, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, për shkak të emergjencës koronavirus.

R.SH. - Vatikan

“Të shoqërosh Krishtin në Udhën e Kryqit, me zërin e ngjirur të njerëzve të botës së burgjeve, është mundësi për të qenë dëshmitarë të duelit të jashtëzakonshëm ndërmjet Jetës dhe Vdekjes, duke zbuluar se si fijet e së mirës ndërthuren pashmangshëm me fijet e së keqes”. Këto fjalë lexohen në hyrjen e meditimeve të Udhës së Kryqit 2020, publikuar në faqen e re të internetit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit - LEV. Tekstet, për mbledhjen e të cilave është kujdesur kapelani i Institutit Ndëshkimor “Due Palazzi” (Dy Pallatet) në Padova, don Marco Pozza, dhe vullnetarja Tatiana Mario, janë shkruar në vetën e parë njëjës, por synojnë të jenë zëri i të gjithë atyre, që jetojnë në të njëjtat kushte, në gjithë botën.

Jezusi erdhi të më shohë në burg

 “Kryqëzoje, kryqëzoje!” Kush komenton Ndalesën I të Udhës së Kryqit (“Jezusi dënohet me vdekje”) është i burgosur i përjetshëm. Kryqëzoje, shkruan ai, “është britma, që e kam dëgjuar edhe unë për veten”. “Kryqëzimi” i tij filloi që fëmijë, kur e mënjanonin plotësisht, ndërsa tani thotë se i ngjan më shumë Barabës se Krishtit. Ndien neveri për të kaluarën e vet. “Pas 29 vitesh burgimi – pohon më tej – nuk e kam humbur akoma aftësinë për të derdhur lot, për t’u turpëruar për të këqiat, që kam bërë… por kam kërkuar gjithnjë diçka, që të ishte jetë”. Sot “ndiej në zemër se ai Njeri i pafajshëm, dënuar si unë, erdhi të më kërkojë në burg për të më edukuar për jetën”.

Dashuria është më e fortë se e keqja

Në Ndalesën II (“Jezusin e ngarkojnë me kryq”), e shkruajnë meditimin dy prindër, të cilëve iu vra vajza. “E jona ka qenë jetë plot sakrifica, bazuar mbi punën dhe familjen. Shpesh e pyesim veten: pse na gjeti pikërisht neve kjo e keqe? Nuk kemi paqe”. Të mbijetosh pas vdekjes së fëmijës është e tmerrshme, por “pikërisht në çastin kur dëshpërimi duket se të mposht, Zoti, me mënyra të ndryshme, vjen për të na takuar, duke na dhuruar hirin e dashurisë bashkëshortore, duke na bërë ta mbështesim njëri-tjetrin, pavarësisht nga mundimet”. Këta prindër vazhdojnë të bëjnë mirë e, në këtë mënyrë, gjejnë një formë shpëtimi, nuk duan të dorëzohen para së keqes. E kuptojnë përmes përvojës së tyre se “dashuria e Zotit është e aftë ta rilindë jetën”.

Në botë ka edhe mirësi

Në Ndalesën e tretë (“Jezusi bie për herë të parë”), një i burgosur tregon se rënia e parë ishte edhe fundi i tij. Pas një jete të vështirë, gjatë së cilës nuk e kishte kuptuar se e keqja po rritej brenda tij, i mori jetën dikujt. “Një mbrëmje, në një çast të vetëm, si të ishte një ortek - shkruan ai – u lëshuan kundër meje kujtimet e të gjitha padrejtësive të pësuara në jetë. Zemërimi i furishëm e vrau mirësinë, bëra një të keqe jashtëzakonisht më të madhe se sa të gjitha të këqiat, që më kishin bërë”. Në burg, ky burrë gati sa nuk vrau veten, por më pas, e gjeti sërish dritën, përmes takimit me njerëz, që i rizgjuan “besimin e humbur”, duke i dëshmuar se mirësia ekziston edhe në këtë botë.

Vështrimi i dashurisë ndërmjet nënës dhe birit

 “As për një çast të vetëm nuk e kam ndierë tundimin për ta braktisur djalin, kur u dënua”, thotë nëna e një të burgosuri. Fjalët e saj komentojnë Ndalesën IV (“Jezusi takon Nënën”) të Udhës së Kryqit, që në kohë të zakonshme, do të kremtohej në Koloseum. Që nga arrestimi i djalit “plagët shtohen çdo ditë që kalon, madje ta marrin frymën. Ndiej afërsinë e Zojës... Asaj ia kam besuar tim bir: vetëm Marisë mund t’ia besoj frikën time, pasi ajo vetë e ndjeu atë, ndërsa ngjitej në Kalvar”. E nëna vazhdon: “Imagjinoj që Jezusi, duke i ngritur sytë, haste në vështrimin e saj plot dashuri e nuk ndihej kurrë vetëm. Kështu dua të bëj edhe unë”.

Ëndrra për të qenë si cireneu për të tjerët

 Është sërish një i burgosur ai, që komenton Ndalesën V (“Jezusi ndihmohet nga cireneu”). Kryqi është i rëndë për t’u bartur, shkruan ai, por “të gjithë e njohin Simonin prej Cirene në burg: është emri i dytë i vullnetarëve, i atyre që ngjiten në këtë kalvar për të ndihmuar në bartjen e kryqit”. Një tjetër Simon prej Cirene është edhe shoku i tij i qelisë, i aftë për një bujari, që s’e pret askush. I burgosuri përfundon: “Po plakem në burg: ëndërroj që një ditë t’u besoj prapë njerëzve. Të bëhem një cirene, që i sjell gëzim dikujt”.

Vështrim, që jep mundësi të rifillosh nga e para

“Si katekist, fshij shumë lot, duke i lënë të rrjedhin: nuk mund t’i vësh pritë lumit të gufuar të zemrave, që vajtojnë”. Këto janë fjalët e një katekisti, që reflekton në Ndalesën VI (“Veronika i fshin fytyrën Jezusit”). Si mund ta qetësojmë ankthin e njerëzve “të cilët nuk mund të gjejnë rrugëdalje nga gjithçka janë bërë, duke u dorëzuar para së keqes?” Mënyra e vetme është të rrish me ta, pa ndierë frikë prej tyre, “duke ua respektuar heshtjen, duke ua dëgjuar dhimbjen, duke u përpjekur t’i shikosh përtej paragjykimeve”. Ashtu siç bën Jezu Krishti me dobësitë tona. E katekisti shkruan: “Secilit, edhe njerëzve të mbyllur në burg, u jepet mundësia çdo ditë të bëhen njerëz të rinj, falë atij vështrimi, që nuk gjykon, por dikon jetë dhe shpresë”.

Vullneti për ta rindërtuar jetën

 Në Ndalesën VII (“Jezusi bie për herë të dytë”), një i burgosur, fajtor për tregtinë e drogës, që mori edhe gjithë familjen me vete në burg, provon turp pa fund për veten. Ai shkruan: “Vetëm sot arrij ta pranoj: në ato vite nuk dija çfarë bëja. Tani që e di, me ndihmën e Zotit, po përpiqem ta rindërtoj jetën”. Ideja se e keqja vazhdon ta komandojë është e padurueshme për të, është kthyer në Udhën e tij të Kryqit. I lutet Zotit “për të gjithë ata, që nuk kanë arritur ende t’i shpëtojnë pushtetit të djallit, joshjes së veprave të tij dhe formave të tij të tundimit”.

Për mua, shpresa është e detyrueshme

 “Që prej 28 vitesh po vuaj një dënim, po rritem pa baba”: kjo është përvoja e vajzës së një të burgosuri të përjetshëm, që shkruan meditimin e Ndalesës VIII të Udhës së Kryqit (“Jezusi takohet me gratë e Jeruzalemit”). Gjithçka në familjen e saj është thyer në mijëra copëra, ajo vetë udhëton nëpër Itali për të ndjekur të atin, që ndryshon burg herë pas here e, duke menduar për jetën e saj, shkruan: “ka prindër, të cilët, për dashuri, mësojnë të presin që fëmijët të piqen. Mua, për dashuri, më ka qëlluar si fat të pres kthimin e tim eti. Për njerëz si ne, shpresa është e detyrueshme”.

Forca për t’u ringritur e guximi për të kërkuar ndihmë

Bie vërtet poshtë dhe ringrihet përsëri: kjo është dëshmia e një të burgosuri, që sheh vetveten në ngjarjet e Ndalesës IX (“Jezusi bie për herë të tretë”). “Si shën Pjetri, edhe unë kam kërkuar e kam gjetur një mijë justifikime për gabimet e mia. Çudi për t’u çuditur, një thëngjill i së mirës ka mbetur gjithnjë i ndezur në shpirtin tim”, shkruan ai. E përfundon: “Është e vërtetë që jam shpartalluar në një mijë copë, por bukuria është se ato copa mund të ngjiten akoma prapë. Nuk është e lehtë, por është e vetmja gjë, që ka ende kuptim këtu brenda”.

Mbështetje për kë është zhveshur nga gjithçka

Në Ndalesën X të Udhës së Kryqit, “Jezusin e zhveshin”. E kështu i sheh një edukatore të burgosurit, si të zhveshur nga dinjiteti e nga respekti për vetveten e për të tjerët. Janë burra dhe gra “të brishtë në kulm, shpesh, të privuar nga gjithçka iu nevojitet për ta kuptuar të keqen, që kanë bërë. Nganjëherë, ngjajnë me fëmijë të porsalindur, të cilët ende mund të plazmohen”. Por, nuk është e thjeshtë të impenjohesh e të punosh me ta. “Në këtë shërbim delikat - shkruan edukatorja – kemi nevojë të mos ndihemi të braktisur, që t’i mbështesim jetët e shumta, të cilat na besohen e çdo ditë, ka rrezik të fundosen”.

Të pafajshmit e goditur me akuza të rreme

Në Ndalesën XI të Udhës së Kryqit (“Jezusin e gozhdojnë në kryq”), meditimi i përket një meshtari të akuzuar e më pas, të liruar. Udha e tij personale e Kryqit zgjati 10 vite, “të mbushura me dosje, dyshime, akuza, fyerje”. Ndërsa ngjitej në kalvar, tregon ai, takoi rrugës shumë cireneas, që e mbajtën kryqin bashkë me të. Së bashku u lutën për djalin, që e akuzoi. “Ditën kur u shpalla plotësisht i pafajshëm  nga të gjitha akuzat – shkruan meshtari - zbulova se isha më i lumtur se dhjetë vite më parë: kam prekur me dorë veprimin e Zotit në jetën time. I varur në kryq, meshtaria ime u shndrit”.

Njeriu, që qëndron pas fajit

Teksti, që komenton Ndalesën XII (“Jezusi vdes në kryq”), është shkruar nga një magjistrat(gjyqtar) mbikëqyrës. “Drejtësia e vërtetë - thekson ai - është e mundur vetëm përmes mëshirës, që nuk e gozhdon njeriun në kryq përgjithmonë”. Duhet ta ndihmojmë të ngrihet sërish në këmbë, duke zbuluar atë të mirë në zemrën e tij, që pavarësisht nga gjithçka, “nuk shuhet kurrë plotësisht”. Por kjo mund të bëhet vetëm duke mësuar “si ta kuptosh njeriun, që fshihet pas fajit të kryer”, në mënyrë që “të përvijohet një horizont, i cili mund të ngjallë shpresë tek njerëzit e dënuar”. Në fund, lutja drejtuar Zotit për “magjistratët, gjyqtarët dhe avokatët, që të jenë të drejtë në ushtrimin e shërbimit të tyre”, sidomos, në favor të më të varfërve.

T’i imagjinojmë të ndryshëm nga sa duken

Në Ndalesën XIII (“Jezusin e ulin prej kryqit”), meditimi është i një frati, i cili është vullnetar në burgje që prej 60 vitesh. “Ne të krishterët - shkruan ai - shpesh i bëjmë lajka vetes sikur jemi më të mirë se të tjerët... Duke kaluar nga një qeli në tjetrën, shoh vdekjen që banon aty brenda”. Detyra e tij është të ndalet në heshtje para shumë “fytyrave të shkatërruara nga e keqja dhe t’i dëgjojë me mëshirë”. Ta mirëpresë njeriun, por të mos e ngarkojë vështrimin e tij me gabimin që ka bërë ky njeri. “Vetëm në këtë mënyrë, do të ketë besim e do të rigjejë forcën për t’iu nënshtruar së Mirës, duke e imagjinuar veten ndryshe nga sa ndihet tani”. Ky është misioni i Kishës.

Gjestet e fjalët, që sjellin ndryshime

“Jezusi varroset” është Ndalesa e fundit, XIV: fjalët e një polici, që shërben në burg, diakon i përhershëm, mbyll Udhën e Kryqit 2020, e cila do të kremtohet në kushte të jashtëzakonshme, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në punën e tij, ky polic prek çdo ditë vuajtjet me dorë dhe e di se në burg “njeriu i mirë mund të kthehet në sadist. Por edhe njeriu i keq mund të bëhet më i mirë”. Kjo varet edhe prej tij. Prandaj, impenjimi i tij i përditshëm është t’u japë një mundësi tjetër atyre, që kanë favorizuar të keqen, t’i bëjë të mendojnë, duke përdorur “gjestet, vëmendjen dhe fjalët e afta të ndryshojnë”. Aftësi për t’u rikthyer shpresën njerëzve të lodhur e të frikësuar nga mendimi se pasi të vuajnë dënimin, do të refuzohen sërish nga shoqëria. “Në burg - përfundon polici - u kujtoj atyre se, me Zotin, asnjë mëkat nuk do ta ketë kurrë fjalën e fundit”.

06 prill 2020, 19:13