Kërko

 Kremtimi i të Dielës së Larit Kremtimi i të Dielës së Larit 

Si mund t’i ndiqni kremtimet e së Dielës së Larit

Mesha Shenjte dhe lutja e Engjëllit të Tënzot do të transmetohen drejtpërdrejt në Mondovizion, në Vaticannews e në të gjitha kanalet tona të internetit, për t’i krijuar krishterimit mundësinë të bashkohet me lutjen e Papës.

R. SH. - Vatikan

Kisha përgatitet për të jetuar, nesër, të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit, takimi i parë prekës drejt Pashkëve, në një mënyrë tejet të veçantë, për shkak të krizës shëndetësore, që po kalon bota nën kërcënimin e koronavirusit. Kisha pa besimtarë e pa procesione tradicionale, që i jepnin një ngjyrim tejet prekës këtyre ditëve! Në një javë, e cila nis me të Dielën e hyrjes ngadhënjimtare të Jezusit në Jeruzalem, për të përfunduar me të Dielën e Ngjalljes.

E akoma, duhen kujtuar edhe masat për respektimin e rregullave kundër ngjitjes së sëmundjes, që i pengojnë  besimtarët për të ndjekur simbolikisht Krishtin në Jeruzalem, me degë lari e palmash ndër duar. Në këtë situatë do të jenë mjetet e komunikimit, që do t’i afrojnë njerëzit me Papën e me lutjen e tij, me Bazilikën e Vatikanit e me përqafimin e madh festiv të Sheshit të Shën Pjetrit që, kështu, nuk do të mbetet më i zbrazur.

Ftesë për t’u lutur bashkë me Papën

Siç theksoi Zyra e kremtimeve papnore marsin e kaluar, e duke pasur parasysh edhe porositë e Kongregatës të Kultit Hyjnor dhe Disiplinës së Sakramenteve, në Dekretin e 25 marsit 2020, Papa Françesku do t’i kremtojë Ritet e Javës së Madhe në Altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke u nisur që nesër.

Në orën 11.00 do të kremtohet Mesha Shenjte e ndjekur nga lutja e Engjëllit të Tënzot, në orën 12.00: kremtimet do të transmetohen drejtpërdrejt në Mondovizion nga Vatican Media e mund të ndiqen në shumë gjuhë në Radio Vatikan, në faqen tonë kryesore (duke klikuar këtu), në faqen Facebook (duke hyrë prej këtu) e edhe drejtpërdrejt në kanalin tonë youtube (kliko këtu).

 

04 prill 2020, 13:11