Kërko

Papa Françesku dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në një takim të vitit 2018, në Vatikan Papa Françesku dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në një takim të vitit 2018, në Vatikan 

Presidenti francez i telefonon Papës Françesku: t’u falet borxhi vendeve të varfëra

Nga Elizeu, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i telefonoi dje pasdite Papës Françesku, në një bisedë të gjatë e të përzemërt. Ati i Shenjtë shprehu mbështetjen e tij për vendin. Të dy theksuan sërish nevojën e faljes së borxheve për vendet më të varfëra. Më pas, Macron bisedoi me përfaqësuesit e Kishës Katolike.

R.SH. - Vatikan

Bisedë e gjatë telefonike ndërmjet Papës Françesku dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Dje pasdite, të dy liderët folën për krizën botërore shkaktuar nga pandemia e Covid-19 dhe mbi përgjigjen, që çdo vend duhet t’i japë asaj. U theksua veçanërisht, nevoja për të lehtësuar borxhin e vendeve të varfëra, nismë, për të cilën kanë bërë thirrje si Papa në ditën e Pashkëve, ashtu edhe vetë presidenti Macron.

Thirrja për faljen e borxheve

 Kujtojmë se në mesazhin Urbi et Orbi, të Dielën e Pashkëve, Françesku kërkoi që të gjitha shteteve t’u krijohej mundësia “për t’u bërë ballë nevojave më të mëdha të çastit, duke e ulur e, madje, duke e falur, borxhin që rëndon në bilancet e vendeve më të varfra”. Presidenti Macron e mbështeti këtë qëndrim të nesërmen, në fjalimin për kombin, transmetuar nga të gjitha televizionet franceze, gjatë të cilit ai nguli këmbë në domosdoshmërinë për të ndihmuar vendet afrikane, “duke anulluar masivisht borxhet e tyre”.

Shëndetësia në vendet afrikane e armëpushimi universal

 Dje pasdite, qe presidenti francez ai, që i telefonoi Françeskut, për të vijuar bisedën për rreth 45 minuta, një vit pas telefonatës së Atit të Shenjtë, në rastin e djegies së katedrales së Notre Dame, më15 prill 2019. Papa shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e shëndetësisë në vendet afrikane, të cilat kanë më pak mjete për ta përballuar pandeminë e koronavirusit. Më pas, gjatë bisedës, u fol për armëpushimin universal, objektiv për të cilin Franca po punon edhe në gjirin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nga ana e tij, Papa Françesku, i cili është shprehur më se një herë në favor të kësaj thirrjeje të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, kërkoi që kriza e Covid-19 të përballohet me “frymë solidariteti” edhe në Bashkimin Evropian, duke siguruar mbështetje e përkrahje për të gjitha nismat humanitare aktuale të Francës. Macron nuk mungoi ta ftojë Atin e Shenjtë për një vizitë në vend.

Macron bisedon me përfaqësuesit e Kishës Katolike

Pas telefonatës me Atin e Shenjtë, presidenti Macron bisedoi në distancë edhe me përfaqësuesit e Kishës Katolike, kryesuar nga imzot Éric de Moulins-Beaufort, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Francës, si edhe me ata të shoqatave laike franceze. Për rreth një orë e gjysmë, Macron shprehu mirënjohjen e tij për respektimin e masave kundër koronavirusit, megjithë dhimbjen për pamundësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në meshë, sidomos gjatë Javës së Madhe të Pashkëve. Kujtojmë se numri i të vdekurve nga koronavirusi në Francë e ka kapërcyer 20 mijëshin. Ndërkaq, imzot Moulins-Beaufort vuri në dukje varfërinë, që ka goditur sidomos migrantët pa dokumente, të cilët bënin punë të padeklaruara, dhe shprehu nevojën e solidaritetit me shtresat më të prekura të popullsisë. Ai shtroi problemin e kapelanëve të spitaleve, të cilët duhet të lejohen t’i ngushëllojnë të sëmurët, duke respektuar masat e sigurisë, por duhet edhe të ndihmohen, pasi nuk mund ta përballojnë punën të vetëm, me bindjen se njeriu nuk ka nevojë vetëm për kura mjekësore, por edhe për ato shpirtërore. Gjithsesi, hapja e vendeve të kultit parashikohet edhe më tej se data 11 maj, kur studentët do të fillojnë të kthehen gradualisht në shkollë. Kishat mund të frekuentohen sërish, ndoshta, në qershor.

22 prill 2020, 10:27