Kërko

 Krishti i ngjallur: figure në një  Kishë ortodokse Krishti i ngjallur: figure në një Kishë ortodokse 

Papa u uron Kishave të Lindjes solemnitetin e Pashkëve

Papa, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kujtoi: “Posaçërisht në këtë kohë prove, e ndjejmë sa dhuratë e madhe është shpresa, që lind kur ringjallesh bashkë me Krishtin!”. Patriku i Kostandinopojës, Bartolomeu dhe ai i Moskës, Kirill, ua bënë besimtarëve urimet për Solemnitetin e sotëm, në dy mesazhe të ndryshme.

R. SH. - Vatikan 

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa u bëri urimet për Pashkë vëllezërve e motrave të Kishave të lindjes, që e kremtuan sot solemnitetin e Pashkëve:

“Së bashku kumtojmë: ‘Vërtet Zoti u ngjall!’. Posaçërisht në këtë kohë prove, e ndjejmë sa dhuratë e madhe është shpresa, që lind kur ringjallesh bashkë me Krishtin! Gëzohem posaçërisht me bashkësitë katolike lindore që, për arsye ekumenike, i kremtojnë Pashkët së bashku me ato ortodokse: ky vëllazërim qoftë burim ngushëllimi atje, ku të krishterët janë pakicë”.

Në këtë të Diel të Dytë të Pashkëve, ishte domethënëse ta kremtoje Eukaristinë këtu, në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia - shtoi Françesku - që Shën Gjon Pali II deshi të ishte Shenjtërore e Mëshirës Hyjnore. Përgjigjja, që japin të krishterët në stuhitë e jetës e të historisë, nuk mund të jetë tjetër, veçse mëshira: dashuria e mëshirshme për njëri-tjetrin e për të gjithë, posaçërisht për atë që vuan, që mundohet më shumë, që braktiset. Nuk është mëshirim, as asistencializëm, por përdëllim që buron nga zemra. E Mëshira Hyjnore vjen nga Zemra e Krishtit të Ngjallur. Gurron nga plaga, gjithnjë e gjakosur e brinjve, e hapur për ne, që kemi përherë nevojë  për falje e ngushëllim. E unë uroj që mëshira e krishterë të jetë edhe frymëzim për ndarjen e përbashkët, të drejtë, ndërmjet kombeve e institucioneve të tyre, për t’i bërë ballë, në mënyrë solidare, krizës aktuale - kujtoi Papa.

Kremtuan në shtëpi, edhe 260 milionë ortodoksë

Të krishterët ortodoksë janë më se 260 milionë, të shpërndarë në mbarë botën. Edhe atyre, autoritetet fetare e civile u kërkuan të rrinë në shtëpi, nga frika e përhapjes së koronavirusit. Vetëm në Rusi numërohen më se 43 mijë raste, por specialistët pohojnë se epidemia këtu  arriti të paktën disa javë më vonë se në Evropën Perëndimore.

Pashkët ortodokse në Tokën Shenjte

Pashkët ortodokse u festuan edhe në Tokën Shenjte. Në Jeruzalem u kremtua riti i “Zjarrit të Shenjtë” i cili, prej aty, rrezaton në të gjitha kishat lindore të botës. Në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, pothuajse të zbrazur,  dhjetë përfaqësues të klerit ortodoks armen morën pjesë në kremtimin e shumëpritur, gjatë të cilit Patriku greko-ortodoks i Jeruzalemit u lut, duke mbajtur llambën, që rri e ndezur gjatë gjithë vitit, por që shuhet e rindizet me këtë rast. Kështu e do tradita! Zjarri i shenjtë zbret nga qielli e besimtarët i ndezin  në të, qirinjtë e tyre! Marrin, simbolikisht, dritë nga drita e Zotit!

19 prill 2020, 12:34