Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa u shkruan lëvizjeve popullore: pagë universale për të përjashtuarit

Letra e Papës Françesku: “Ju, punonjës të ekonomisë jo formale, të pavarur, ose popullore, nuk keni një pagë fikse për t’i rezistuar këtij çasti” të vështirë, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

E quan “ushtri e padukshme, që lufton në llogoret më të rrezikshme”. Thotë se është një ushtri, që “nuk ka armë tjetër përveç solidaritetit, shpresës dhe ndjenjës së bashkësisë, e cila lulëzon këto ditë kur askush nuk shpëtohet vetëm”. Në ditën e Pashkëve, ndërsa bota vazhdonte të përjetonte emergjencën e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 dhe rritej shqetësimi për pasojat e saj, sidomos ndër më të varfërit, Papa Françesku u dërgoi një mesazh “vëllezërve dhe motrave të lëvizjeve dhe organizatave popullore”, me të cilët ka dialoguar që nga fillimi i papnisë. Është e vërtetë se virusi i prek të gjithë, pa dallim kombësie a përkatësie fetare e shoqërore, por, vëren Papa Françesku, janë të varfërit dhe të mënjanuarit ata, që, këtyre ditëve e në të ardhmen, do të paguajnë çmimin më të lartë. E, duke menduar për vështirësitë e tyre në këtë çast, Ati i Shenjtë thekson se, ndoshta, ka ardhur koha të mendohet për një pagë universale në favor të të përjashtuarve.

Papa Françesku u drejtohet shumë njerëzve, që vazhdojnë t’i shërbejnë shoqërisë, pavarësisht se larg reflektorëve të mediave. “Mendoj – shkruan ai - për ata njerëz, veçanërisht për gratë, që e shtojnë bukën në kuzhinat e bashkësive, duke gatuar ndonjë çorbë të shijshme për qindra fëmijë, veç me dy qepë dhe me një pako oriz; mendoj për të sëmurët, mendoj për të moshuarit. Nuk paraqiten kurrë në mediat tradicionale. As fshatarët dhe familjet fshatare, që vazhdojnë të kultivojnë për të prodhuar ushqim të shëndetshëm, pa e shkatërruar natyrën, pa e përdorur veç për vete e pa spekulluar me nevojat e njerëzve. Dua që ta dinë se Ati ynë Qiellor i shikon, i vlerëson, i njeh dhe u jep forcë në punën e tyre”.

 Më pas, Papa përmend situatën e shkaktuar nga koronavirusi dhe ndihmën konkrete, që lëvizjet popullore u japin të vuajturve. “Sa i vështirë është qëndrimi në shtëpi për ata, që jetojnë në një banesë të vogël dhe të pasigurt, ose për ata, që nuk kanë një çati mbi krye. Sa i vështirë është për migrantët, për njerëzit e privuar nga liria, ose për ata, që po shërohen nga varësi të ndryshme. Ju jeni aty, - u thotë Papa lëvizjeve popullore - fizikisht pranë tyre, për t’i bërë gjërat më pak të vështira, më pak të dhimbshme. Ju përgëzoj dhe ju falënderoj shumë”.

Pastaj, Papa Françesku flet për modelin aktual ekonomiko-financiar në lidhje me emergjencën. “Shpresoj që qeveritë ta kuptojnë se paradigmat teknokratike (si ato që kanë në qendër shtetin, ashtu edhe ato, që kanë në qendër tregun) nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar këtë krizë, ose problemet e tjera të mëdha të njerëzimit. Tani më shumë se kurrë - shpjegon Ati i Shenjtë - janë njerëzit, bashkësitë, popujt, që duhet të jenë në qendër, të bashkuar për t’u shëruar, për t’u kujdesur, për të ndarë gjithçka me të tjerët”.

“Unë e di - shton Françesku - që jeni përjashtuar nga përfitimet e globalizimit. Nuk i gëzoni ato kënaqësi sipërfaqësore, që anestetizojnë shumë ndërgjegje. E megjithatë, gjithmonë, i vuani dëmet e globalizimit. Të këqijat, që na prekin të gjithëve, ju godasin dy herë. Shumë prej jush jetojnë nga dita në ditë, pa asnjë garanci ligjore për t’u mbrojtur. Shitësit ambulantë, ricikluesit, punonjësit e panaireve, bujqit e vegjël, ndërtuesit, punëtorët e kanalizimeve, ata që kryejnë veprimtari të ndryshme kujdesi për të tjerët. Ju, punonjës të ekonomisë informale, të pavarur a popullore, nuk keni një pagë fikse për t’i rezistuar këtij çasti... dhe karantinat bëhen të padurueshme për ju”.

“Ndoshta është koha – përfundon Papa – të mendohet për një pagë universale, e cila i njeh dhe u jep dinjitet detyrave fisnike dhe të pazëvendësueshme, që kryeni; në gjendje të garantojë e ta krijojë këtë realitet kaq njerëzor e të krishterë: asnjë punëtor pa të drejta”.

15 prill 2020, 10:36