Kërko

Vatican News
2020.04.07 Messa Santa Marta 2020.04.07 Messa Santa Marta  (Vatican Media)

Papa u lut për të pafajshmit që pësojnë gjykime e dënime të padrejta

Në Meshën kremtuar në Shën Martë, Papa kujtoi persekutimin që pësoi Jezusi dhe u lut për ata që vuajnë dhunën dhe dënimet e padrejta. Në predikim, duke komentuar Ungjillin që flet për tradhtinë e Judës e mohimin e Pjetrit, Papa na fton të kërkojmë hirin e Tënzot për të qenë të qëndrueshëm në shërbim e mision, pavarësisht nga rëniet tona njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot në mëngjes Meshën në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan, të Martën e Javës së Shenjtë e të Madhe të Pashkëve. Antifona e hyrjes së Meshës sotme, që Papa lexoi në fillim të kremtimit, marr nga Psalmi 26, thotë: "Mos më lësho, o Zot, në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, të cilët shfryjnë dhunë". Në fillim të kremtimit Eukaristik, Papa Françesku kujtoi të pafajshmit e persekutuar nga gjykimet e dënimet e padrejta:

Në këto ditë Kreshmësh kemi parë persekutimin që pësoi Jezusi dhe se si doktorët e Ligjit u vërsulën e luftuan kundër tij: ai u gjykua në mënyrë të ashpër, më këmbëngulje, në mënyrë të ashpër, duke qenë i pafajshëm. Do të doja të lutesha sot për të gjithë ata persona që vuajnë nga gjykimet e dënimet e padrejtë ,për ata të cilëve kundërshtarët u kanë ra në qafë pa hak as hile.

Në predikimin e tij, Papa Françesku komentoi leximet biblike të Meshës së sotme, marrë nga Libri i Izaisë profet (49, 1-6), kënga e dytë e Shërbëtorit të Zotit dhe nga Ungjilli i Gjonit (Gjn 13, 21-33. 36-38, që flet për tradhtinë e Judës dhe mohimin e Pjetrit. T’ia kërkojmë Zotit hirin – tha Papa – për të qenë të qëndrueshëm në shërbim, pavarësisht nga rëniet e mëkatet tona njerëzore.

Në vijim disa fragmente nga homelia e sotme e Papës Françesku:

Profecia e Izaisë që kemi dëgjuar është një profeci mbi Mesinë, mbi Shëlbuesin, por edhe një profeci mbi  popullin e Izraelit, mbi popullin e Zotit: mund të themi se mund të jetë një profeci për se cilin prej nesh. Në thelb, profecia nënvizon se Zoti ka zgjedhur shërbëtorin e tij nga kraharori amnor: dy herë  e thotë kështu (cf. Is 49,1). Që nga fillimi shërbëtori i tij qe zgjedhur, që nga lindja ose para lindjes. Populli i Zotit u zgjodh para lindjes, e edhe të gjithë ne. Askush nga nesh nuk ra rastësisht në botë. Çdonjëri ka një fat të lirë, fatin e zgjedhjes nga Zoti. Unë kam lindur me fatin e të qenurit bir i Zotit, i të qenurit shërbëtor i Zotit, me detyrën e shërbimit, të ndërtimit. Dhe këtë, që “prej prehrit të nënës”.

Shërbëtori i Zotit, Jezusi, shërbeu deri në vdekje: shërbimi tij dukej si një disfatë, si një humbje, por kjo ishte mënyra e shërbimit. E kjo nënvizon mënyrën e shërbimit që ne duhet ta marrim si shembull në jetën tonë. Të shërbesh do të thotë durosh veten, t'ia japësh veten të tjerëve....

Le të mendojmë sot për Jezusin, shërbëtor, besnik në shërbim. Thirrja a misioni tij është për të shërbyer, deri në vdekje e madje deri  në vdekje mbi kryq (cf. Fil 2,5-11). Le të mendojmë për secilin prej nesh, që jemi pjesë e popullit të Zotit, jemi shërbëtorë, thirrja a misioni jonë është të shërbejmë, jo për të përfituar nga vendi ynë në Kishë. Të shërbejmë. Gjithmonë në shërbim.

Le të kërkojmë hirin e Tënzot për të qenë të qëndrueshëm në shërbim. Megjithëse ndonjëherë kemi rrëshqitje, rënie, por  të paktën ka kemi hirin e Tënzot për të qarë sikur qau Pjetri, i cili u pendua pse e mohoi Jezusin.

Papa Françesku e përfundoi kremtimin e Meshës me  adhurimin dhe bekimin Eukaristik, duke i ftuar të gjithë besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror, në këtë kohë të vështirë, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, që ka pezulluar kremtimin e Meshëve me pjesëmarrjen e njerëzve, për të shmangur kontaktet. Ja fjalët e tij për Kungimin shpirtëror:

 I ftoj të gjithë ata, që janë larg dhe e ndjekin meshën në televizion, të bëjnë kungimin shpirtëror.

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë! 

07 prill 2020, 11:02