Kërko

 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa: të krijohet lëvizja “nga poshtë” për tokën, sfidat globale fitohen gjithnjë së bashku

Nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa ia kushtoi sot katekizmin e audiencës së përgjithshme mbrojtjes së krijimit, me rastin e 50-vjetorit të Ditës së Tokës.

R. SH. - Vatikan

Duhet të ndërgjegjësohemi për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët, që u ndot e u plaçkit, duke krijuar një lëvizje “nga poshtë”. Pikërisht pandemia tragjike e Covid-19 por tregon qartë se vetëm të bashkuar, e duke marrë mbi vete fatin e të ligshtëve, “mund t’i fitojmë sfidat globale”. Ky është horizonti, që hapi Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme të së mërkurës. Duhet, prandaj, “një kthesë ekologjike” - kujtoi - si dhe “një plan i përbashkët” për të shmangur dëmtimin  e mëtejshëm të tokës,  duke pasur kujdes edhe për krijesat e tjera  e duke ushqyer dashurinë e mëshirën për të tjerët. Me këtë ndërprerje të shkurtër të ciklit në vijim, kushtuar Lumnive, Papa e përqendroi, sot paradite, reflektimin mbi mbrojtjen e gjithësisë, me rastin e 50-vjetorit të Ditës Botërore të Tokës, kushtuar pikërisht Atit të Shenjtë, në pesëvjetorin e enciklikës “Bekuar qofsh”,  kremtuar sivjet në Itali, për shkak të coronavirusit, me “maratonën mulitimediale” të drejtpërdrejtë prej 12 orësh, nisur në orën 08.00 të mëngjesit, me të ftuar e me lidhje ndërkombëtare.

Toka nuk është depo pasurish, siç mund të mendojë ndokush, ndërsa për ne, besimtarët, bota natyrore është “Ungjilli i Krijimit”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Kjo është “mënyra e re” me të cilën duhet shikuar krijimi, gjithësia! Jemi e vetmja familje njerëzore e ndërvarur, e bërë nga materia tokësore, me frymën jetike që vjen nga vetë Zoti, e prej këndej, jemi të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, të ngjashëm me Të. Por, për shkak të egoizmit, u ngarkuam me përgjegjësinë e “rojtarëve” të tokës, duke vënë në rrezik vetë jetën tonë. E këtu Papa i vlerësoi sinqerisht “lëvizjet e ndryshme ndërkombëtare e lokale, që u formuan për të zgjuar ndërgjegjet përgjumura”. Do të jetë ende e nevojshme - shtoi - që bijtë tanë të dalin në rrugë, për të na mësuar çka është e drejtë e çka nuk është. Domethënë, se nuk mund të ketë të ardhme për ne, “nëse vijojmë ta shkatërrojmë ambientin, që na mban gjallë”. Më pas, inkurajimi drejtuar të gjithë atyre, që mund të japin një kontribut sado të vogël:

“Dëshiroj të inkurajoj të organizohen ndërhyrje të përqendruara edhe në nivel kombëtar e lokal. Është e mbara të bëhen bashkë njerëz nga çdo gjendje shoqërore e të krijojnë një lëvizje popullore ‘nga poshtë’”.

Bëhet fjalë për krijimin e harmonisë, edhe në marrëdhëniet tona me  njerëzit, me të afërmin, me më të varfërit, me Tokën. E harmonia është pikërisht ajo, që bën Shpirti Shenjt:

“Duke kremtuar sot Ditën Botërore të Tokës, jemi të thirrur të rigjejmë  kuptimin e respektit të shenjtë ndaj tokës, sepse ajo nuk është vetëm shtëpia jonë, por edhe shtëpia e Zotit. Që këtu lind në shpirtin tonë vetëdija se shkelim mbi një tokë të shenjtë”.

Zoti, para krijimit, pa se ishte gjë e mirë, por përballë “këtyre tragjedive natyrore, që janë përgjigjja e tokës ndaj keqtrajtimit tonë, nuk besoj që vijon të thotë se është gjë shumë e mirë” - nënvizoi Papa, duke kujtuar  se jemi ne, që e shkatërruam veprën e duarve të Zotit.

Papa kujtoi, në vijim, edhe një fjalë të urtë spanjolle, që thotë kështu: “Zoti fal gjithnjë; ne, njerëzit, herë falim e herë nuk falim; po Toka nuk të fal kurrë”. Po ta rrenojmë - vërejti Françeku - përgjigjja që do të na japë, do të jetë tejet e keqe!

E fortë, edhe thirrja e Papës për ta kundruar urtinë e popujve të lashtë, që “dinin të jetonin mirë” jo në kuptimin se ia kalonin mirë, por në atë, që na kujton se jetonin në harmoni me Tokën.

Françesku i nxiti edhe ata, të cilët kanë autoritetin t’i prijnë procesit që çon në dy takime “tepër të rëndësishme”, Cop15 kushtuar biodiversitetit, që do të mbahet në Kunming (Kinë) dhe Cop26 mbi ndryshimet klimaterike, në Glasgow (Mbretëria e Bashkuar). Është fjala për bashkëpunim, si bashkësi ndërkombëtare.

Françesku e përfundoi audiencën me një porosi: na ftoi të gjithë që, në këtë kohë Pashkësh, ta vlerësojmë si duhet dhuratën madhështore të tokës e të kujdesemi për vëllezërit, si e më shumë se për vetveten!

22 prill 2020, 11:38