Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Papa: për ta parë Zotin, duhet të lirohemi nga ligësitë e zemrës

Ati i Shenjtë u përqendrua sot në Lumninë e gjashtë, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, për shkak të masave të marra për t’iu kundërvënë pandemisë së koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Njeriu duhet të përballet me betejën, që zhvillohet brenda zemrës së tij, e cila duhet të çlirohet nga ligësitë. Këtë kujtoi Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, të cilën, që nga data 11 mars, po e mban nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, për shkak të emergjencës së koronavirusit. Ati i Shenjtë vazhdoi ciklin e meditimeve mbi Lumnitë Ungjillore e, sot, u ndal në të gjashtën, pra, mbi pastërtinë e zemrës, si kusht për ta parë Zotin. Në fakt, ta kërkosh fytyrën e Zotit do të thotë të dëshirosh një marrëdhënie jo mekanike, por personale, siç na tregon historia e Jobit: fillimisht, e njeh, sepse ke dëgjuar për të, por së fundi, e njeh drejtpërdrejt, nëse jemi besimtarë të tij.

Beteja kundër ligësive të shpirtit

Ashtu si për dishepujt e Emausit, origjina e “verbërisë” është zemra jo e pastër, që nuk kupton mirë, që i sheh gjërat si në mjegull. Zoti ua hap sytë dishepujve, në përfundim të rrugës, që arrin kulmin me thyerjen e bukës. “Zoti është intim me mua, më shumë se unë vetë”, thoshte Shën Augustini, të cilit iu referua Papa për të treguar si duhet kundruar Zoti: duhet të hyjmë brenda vetvetes e t’i bëjmë vend atij.

“Për ta parë Zotin nuk ka nevojë t’i ndryshosh syzet, ose pikën e vëzhgimit, ose të ndryshosh autorët teologjikë, që të mësojnë rrugën: duhet çliruar zemra nga ligësitë e veta! Kjo është e vetmja rrugë. Kjo është pjekuri e domosdoshme: duhet ta kuptojmë se armiku ynë më i keq, shpesh, fshihet në zemrat tona. Beteja më fisnike është ajo kundër ligësive të shpirtit, që na bëjnë të mëkatojmë. Sepse mëkatet na e ndryshojnë vizionin e brendshëm, ndryshojnë vlerësimin e gjërave, bëjnë që të shohim gjëra, që nuk janë të vërteta, ose të paktën që nuk janë dhe aq të vërteta”.

Udha e pastrimit të zemrës

Për të kuptuar pra, cila është “pastërtia e zemrës”, Papa iu referua konceptimit biblik të këtij organi të rëndësishëm njerëzor, i cili nuk është i përbërë vetëm prej ndjenjash, por është edhe “vendi më intim i qenies njerëzore”. Njeriu me zemër të pastër është person, që jeton në praninë e Zotit dhe ecën me vendosmëri në udhën e Tij. Ky është rezultat i një procesi, që nënkupton “lirimin dhe heqjen dorë” nga disa gjëra. Njeriu me zemër të pastër nuk lind i tillë, por mëson, me kohë, ta “mohojë të keqen brenda vetes”, në një proces që në Bibël quhet “rrethprerja e zemrës”. Është një pastrim i brendshëm, që nënkupton se njeriu e njeh atë pjesë të zemrës, nën ndikimin e së keqes, dhe e lë Shpirtin Shenjt ta udhëheqë për të arritur ta shohë Zotin.

 “Udha, rruga e zemrës së sëmurë, nga zemra mëkatare, nga zemra që nuk i sheh gjërat mirë, sepse është në mëkat, në plotësinë e shndritjes së zemrës, është vepër e Shpirtit Shenjt. Ai na udhëheq në këtë udhëtim”.

T’ia hapim portat Shpirti Shenjt

Në këtë vizion të mrekullueshëm përmbahet një përmasë e ardhshme, vijoi komentin Papa Françesku. Është gëzimi i Mbretërisë së Qiellit, por edhe një tjetër:

“Ta shohësh Zotin do të thotë të kuptosh planet e Provanisë Hyjnore në gjithçka na ndodh, të kuptosh praninë e Hyjit në sakramente, praninë e Tij në vëllezërit, veçanërisht në të varfërit dhe në të vuajturit, do të thotë ta njohësh aty ku duket”.

Kështu, në vazhdën e Lumnive ungjillore, fillon një rrugë lirimi, që vazhdon gjithë jetën, një punë serioze që bën Shpirti Shenjt, nëse i lëmë hapësirë, një vepër e Zotit brenda nesh, edhe në sprova e në purifikime. “Të mos kemi frikë - përfundoi Papa – t’ia hapim dyert e zemrave Shpirtit Shenjt, që të na pastrojë e të na ndihmojë të ecim përpara në këtë rrugë drejt gëzimit të plotë”.

01 prill 2020, 13:30