Kërko

 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa: paqja nuk është qetësi, por kërkim i pajtimit, “gjithnjë e gjithsesi”

Paqja e Krishtit është fryt i vdekjes dhe i ringjalljes. Të jesh veprimtar i paqes, do të thotë të japësh jetën “duke gjetur rrugë gjithnjë të reja për të dashur”. Në katekizmin e audiencës së përgjithshme Françesku komentoi Lumninë e shtatë ungjillore, të cilën e quajti më aktiven e më krijuesen.

R. SH. - Vatikan

“Lum ata, që punojnë për paqen, sepse do të thirren bijtë e Zotit”. Kësaj lumnie ia kushtoi Papa katekizmin e audiencës së përgjithshme, të cilën edhe sot e shqiptoi nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në transmentim të drejtpërdrejt në Vatican News-internet. Lumnia më aktive e quajti. Por menjëherë pas, kujtoi se për ta kuptuar me të vërtetë, së pari duhet shpjeguar ç’do të thotë “paqe”, fjalë që shpesh keqkuptohet ose banalizohet. E, në vijim, shpjegoi se fjala paqe mund të shpjegohet në dy mënyra. Për të ka dy ide! E para në Bibël shprehet me fjalën shalom e do të thotë begati, shëndet i lulëzuar, mirëqenie:

“Kur në hebraishte urohet shalòm, urohet një jetë e bukur, e plotë, e begatë, por edhe e jetuar me vërtetësinë e drejtësinë, që do të përmbushen plotësisht në Mesinë, Princin e paqes”.

Paqja nuk është ndërgjegje e zbutur

Por fjala paqe ka edhe një kuptim tjetër, atë të qetësisë shpirtërore. Është paqe e kuptuar si qetësi, harmoni, ekuilibër shpirtëror. E Françesku komentoi:

“Ky kuptim i dytë është i paplotë e nuk mund të absolutizohet, sepse në jetë shqetësimi mund të jetë edhe çast i rëndësishëm i rritjes; e shpesh është Zoti vetë që e mbjell në shpirtin tonë shqetësimin, i cili na shtyn të shkojmë drejt Tij, ta kërkojmë, për ta gjetur. Në këtë kuptim, është çast i rëndësishëm rritjeje, ndërsa mund të ndodhë që qetësia shpirtërore të përkojë me një ndërgjegje të zbutur, e jo me shpëtimin shpirtëror. Shpesh herë Zotit i duhet të jetë ‘shenjë kundërshtie’, të na i shkundë siguritë tona të rreme, për të na çuar drejt shëlbimit”.

Paqja, që jep bota

Jezusi na kujton vazhdimisht se paqja që sjell Ai, është e ndryshme nga ajo e botës. E atëhere Françesku pyet: “Si ta jep paqen bota?”. Duke kujtuar konfliktet e panumërta, që zakonisht përfundojnë me paqe o për shkak të fitores së njërës palë, o përmes ndonjë traktati, vëren se historia është plot me traktate të përgënjeshtruara, me luftëra që pasojnë njëra-tjetrën, ose me metamorfozën e  vetë këtyre luftërave në mënyra a në vende të tjera.

E vijoi:

“Edhe në kohët tona, një luftë ‘copa-copa’ luftohet në një mori skenaresh e mënyrash. Duhet të paktën të dyshojmë se në kuadrin e globalizmit, ku shikohen vetëm interesat ekonomike ose financiare, “paqja” e disave, përkon me ‘luftën’ e të tjerëve. E kjo nuk është paqja e Krishtit!”.

Paqja e Krishtit:  nga dy vetë, të bësh një të vetëm!

Në  leximin e parë të sotëm, shkëputur nga Letra drejtuar Efezianëve, Shën Pali shpjegon se Jezusi e sjell paqen, duke zhdukur armiqësinë e duke i pajtuar njerëzit. E këtë e bën duke dhuruar jetën e vet mbi kryq. Ja, atëhere, kush janë veprimtarët e paqes. E Françesku vëren se kjo Lumni “është më aktivja, shprehimisht veprimtare”, sepse nënkupton “nismën e zellit për paqen”.

“Dashuria, për vetë natyrën e saj, është krijuese dhe e kërkon pajtimin me çdo kusht. Thirren bij të Zotit ata, që e mësuan artin e paqes dhe e ushtrojnë, që e dinë se nuk ka pajtim, pa dhurimin e jetës e se paqja duhet kërkuar gjithnjë, gjithkund. Gjithnjë e gjithkund: kjo nuk duhet harruar! Duhet kërkuar kështu!”.

Ta bësh këtë, do të thotë të veprosh si bir i Zotit, përmes hirit të Tij. Papa pohoi se ekulibri i vërtetë shpirtëror vjen prej paqes së sjellë nga Krishti, i aftë për të lindur “një njerëzim të ri, të mishëruar në një radhë pafund Shenjtorësh e Shenjtoresh, shpikës, krijues, që kërkuan e gjetën rrugë gjithnjë të reja, për të dashur”. Në këtë jetë - përfundoi Papa - gjindet lumnia e vërtetë. Lum kush ecën nëpër këtë udhë!

Vuajtja, rast për t’u shëlbuar

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve, Françesku përsëriti ftesën për të qenë dëshmitarë gazmorë të Krishtit “të vdekur e të ngjallur për ne”, si dhe për ta shikuar Krishtin që, me fitoren e Tij mbi vdekjen, “na ndihmon  t’i pranojmë vuajtjet edhe provat e jetës si rast i çmuar për shpëtimin dhe  shëlbimin tonë”.

15 prill 2020, 11:45