Kërko

Jezusi bartë kryqin për ne Jezusi bartë kryqin për ne 

Papa në një tweet: Krishti kryqëzuar tregon masën e dashurisë që Zoti ka ndaj nesh

Papa Françesku “Në këto ditë të shenjta, në shtëpi, të qëndrojmë para të Kryqëzuemit, shenjë e masës së dashurisë që Zoti ka për ne.

R.SH. - Vatikan

“Në këto ditë të shenjta, në shtëpi, të qëndrojmë para të Kryqëzuemit, shenjë e masës së dashurisë që Zoti ka për ne. Të kërkojmë hirin që të jetojmë për të shërbyer. Të përpiqemi të kontaktojmë ata që vuajnë, ata që janë vetëm dhe janë nevojtarë. Mos të mendojmë vetëm për atë që na mungon, por për të mirën që mund të bëjmë”. Kështu Papa Françesku në një tweet botuar në faqen e internetit në gjuhë tё ndryshme @Pontifex, 7 prill 2020.

Në Kryqin e Krishtit gjejmë jetën e re

Të gjithë të mund të gjejnë jetën e re ”duke u nisur pikërisht nga Kryqi i Jezusit", këtu u tha Papa Françesku shtegtarëve të pranishëm, mё 14 shtator 2016, në Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, duke i ftuar të gjithë besimtarët ta sodisin Krishtin e kryqëzuarTa vështrojmë kryqin, mbi të cilin Biri i Zotit ka vdekur për shpëtimin tonë. Kryqi është përgjigja e Zotit ndaj së keqes e ndaj mëkatit të njeriut. Është përgjigje e dashurisë, e mëshirës dhe e faljes. T’ia tregojmë këtë Kryq botës e ta përlëvdojmë në zemrat tona, në familjet tona e në komunitet tona”.

Papa Françesku iu referua kësaj Feste duke përshëndetur të rinjtë, të sëmurët dhe çiftët e reja të sapomartuar: “Të dashur të rinj, përforcojeni dialogun tuaj me Zotin, duke përhapur dritën e Tij e paqen e Tij; të dashur të sëmurë, gjeni ngushëllimin në kryqin e Zotit tonë Jezus, që vazhdon veprën e vetë të shëlbimit në jetën e çdo njeriu; e ju, të dashur çifte të reja të sapomartuar, përpiquni të mbani marrëdhënie të pandërprerë me Krishtin e Kryqëzuar, në mënyrë që dashuria juaj të jetë përherë më e vërtetë, e frytshme dhe e qëndrueshme”.

 

Për ta ndjekur Jezusin duhet të përulemi siç bëri Ai mbi kryq

Për të shkuar përpara “në udhën e jetës së krishterë” duhet të përulemi, ashtu siç bëri Jezu Krishti mbi Kryq. Këtë nënvizoi Papa Françesku në homelinë e Meshës kremtuar më 14 shtator 2015, në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, Papa Françesku,  më 14 shtator 2015 tha se “udha e të krishterit është ajo e përuljes sipas shembullit të Jezusit mbi Kryq”. “Kjo – shpjegoi Ati i Shenjtë – është udha që Jezusi ka ndërmarr për të fituar kundër gjarprit në fushën e tij.

Të vështrosh Kryqin e Jezu Krishtit, jo ato kryqe artistike, të pikturuara mirë: të vështrosh realitetin, çka ishte kryqi në atë kohë. E të vështrosh përshkimin e tij e të vështrosh Hyjin, që asgjësoi vetveten, u përulë për të na shpëtuar. Edhe kjo është udhë e të krishterit. Nëse një besimtar i krishterë don të shkojë përpara në udhën e jetës së krishterë duhet të përulet, siç qe përulur Jezusi. Kjo është udha e përvujtërisë, po, por edhe bartja mbi vete e poshtërimeve siç i ka bartur Jezusi”. Në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, Papa i kërkoi  Zojës së Bekuar hirin “për të qan nga dashuria, të qan nga mirënjohja sepse Hyji ynë na ka dashur dhe ka dërguar Birin e Tij” për t’u “përulur e asgjësuar për të na shpëtuar ne”.

Kryqi është ‘rregulli’ i Jezusit, pa të i krishteri mbetet në gjysmë të rrugës

“Kush nuk e merr Kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”. I dëgjojmë përsëri, duke shfletuar Ungjillin e Shën Mateut, këto fjalë të pakundërshtueshme, me të cilat Jezusi u jep mësimin themelor dishepujve. Na kujtojnë një mori rrethanash në të cilat, me vërejtje nga më të mprehtat, Papa Françesku u shpreh kështu më 16 korrik 2013 duke ven theksin mbi rëndësinë që ka Kryqi i Krishtit për gjithë të krishterët, meshtarë e shekullarë. Në fund të fundit, vërejti një herë Ati i Shenjtë, krishterimi pa kryq është krishterim i mbetur në vend, në gjysmë të rrugës.

Po kujtojmë disa nga mendimet e Papës Françesku , kushtuar pikërisht Kryqit, pa të cilin mbetemi gjithnjë në gjysmë të rrugës së krishterimit.  Kryqi është froni i Jezusit. E pikërisht nga ky fron zbret gjaku, që lan, me mëshirë të pafundme, sëmundjet e botës. Jezusi merr mbi vete…. E pse Kryqi? Sepse Jezusi merr mbi vete të keqen, ndyrësinë, mëkatin e botës, edhe mëkatin tonë, mëkatin e ne të gjithëve, dhe e lan, e lan me gjakun e vet, me mëshirën, me dashurinë e Hyjit. Këtë të mirë na bën ne të gjithëve Jezusi, nga froni i Kryqit. Kryqi i Krishtit, i përwqafuar me dashuri, nuk të mbush kurrë me trishtim, por me gëzim, me gëzimin e njeriut, që u shëlbua e që bën nga pakëz, atë që bëri Zoti në ditën e vdekjes së Tij” (Mesha të Dielën e Larit, 24 mars 2013).

Paradoks i amshuar i Kryqit: për atë, që e rrok me bujari, kulmi i dhimbjes prodhon frytin e kundërt, atë të gëzimit. E... duhet të njësohemi me logjikën e Kryqit të Krishtit, që është logjika e daljes nga vetvetja, për t’u dhuruar, është logjika e dashurisë. Është kryqi, gjithnjë kryqi me Krishtin, sepse nganjëherë na ofrojnë kryq pa Krisht; e kjo nuk shkon! Kryqi siguron suksesin e shpëtimit tonë.

Nga Kryqi, akti më i lartë i mëshirës e i dashurisë, rilindim si krijesa të reja

 Kryqi i Krishtit është dru, që flet për dashuri, për falje! Kryqi i Krishtit është Fjala, me të cilën Hyji iu përgjigj së keqes së botës. Nganjëherë na duket se Hyji nuk i përgjigjet së keqes, se rri në heshtje. Në të vërtetë Zoti foli, u përgjigj, e përgjigjja e tij është Kryqi i Krishtit: një Fjalë, që është dashuri, mëshirë, falje. E edhe gjykim: “Zoti na gjykon, duke na dashur. Ta kujtojmë këtë: Zoti na gjykon duke na dashur! Nëse e pranoj dashurinë e tij, shpëtoj, nëse nuk e pranoj, dënohem, jo prej Tij. Dënoj vetveten, sepse Hyji nuk dënon; Ai di vetëm të dojë e të shëlbojë. Të dashur vëllezër, fjala e Kryqit është edhe përgjigjja, që i japin të krishterët së keqes, e cila vijon të veprojë në ne e rreth nesh. Të krishterët duhet t’i përgjigjen së keqes me të mirë, duke marrë mbi vete kryqin, si Jezusi” (Udha e Kryqit në Koloseum, 30 mars 2013).

07 prill 2020, 14:10