Kërko

Papa: Mëshira është përgjigjja ndaj krizës sё virusit

Në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa kremtoi Meshën në Kishën romake te Shpirtit Shenjt në Sassia, shenjtërore kushtuar përshpirtërisë së Jezu Krishtit të Mëshirshëm. “Të mos mendojmë për interesat tona, për interesat vetjake – kjo, thirrja e Atit të Shenjtë, në këto kohë koronavirusi. – Ta jetojmë këtë sprovë si mundësi për të përgatitur të nesërmen për të gjithë. Sepse pa një vizion të përbashkët nuk do të ketë të ardhme për askënd”.

R.SH. - Vatikan

“Është koha për t’i zhdukur pabarazitë, për t’i shëruar padrejtësitë, që minojnë rrënjët e shëndetit të gjithë njerëzimit”. “Të mos mendojmë vetëm për interesat tona, për interesat vetjake. Ta pranojmë këtë sprovë si mundësi për të përgatitur të nesërmen për të gjithë”. Në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku kremtoi Meshën në Kishën romake të Shpirtit Shenjt në Sassia, vetëm pak hapa larg Vatikanit, para lutjes së mesditës të Mbretëreshës Qiellore. Kjo Kishë është shenjtërore kushtuar përshpirtërisë së Jezu Krishtit të Mëshirshëm, promovuar në gjithë botën nga murgesha polake Faustina Kovalska, shpallur shenjte nga Papa Gjon Pali II, edhe ai, tejet i devotshëm ndaj Mëshirës Hyjnore. Vërtet, para 20 vitesh, qe pikërisht shenjti i ardhshëm, që ia kushtoi kishën Mëshirës Hyjnore.

Mëshira besnike e durimi i Zotit

Duke pasur parasysh kohën e pandemisë, që po kalojmë, Ati i Shenjtë zgjodhi fjalë, që flasin jo vetëm për sot, kur të gjithë jemi mbyllur nëpër shtëpi, por edhe për nesër, kur do të dalin në pah vështirësi të tjera, kryesisht ekonomike. E Papa bëri thirrje që askush të mos mbetet mbrapa. Mori shkas nga Ungjilli i sotëm sipas Gjonit, që flet për shën Tomën, i cili nuk besoi në ringjalljen e Jezu Krishtit, deri sa i preku atij varrët e kryqëzimit me dorë. Është “e diela e ringjalljes së dishepullit”, e quajti Papa këtë të diel, në të cilën Zoti nuk e la pas dishepullin e vet, por tregoi mëshirë e durim me të.

“Në jetë – theksoi Bergoglio – ecim përpara me të prekur, si fëmija që fillon të hedhë hapat e para, por bie; pak hapa e bie prapë; bie e bie sërish e, çdo herë, i ati e ngre. Dora, që na ngre gjithmonë, është mëshira: Zoti e di se pa mëshirë, mbetemi përdhe, se për të ecur, kemi nevojë që Ai të na ngrejë sërish në këmbë”.

T’ia japim Zotit gjithë mjerimin tonë

Papa Françesku kujtoi se kur motër Faustina, në vizionet e saj, i pati thënë Krishtit se ia kishte kushtuar gjithë jetën, Ai i Lumi i kërkoi mjerimet e saj, i mori mbi vete. Ta pyesim veten, nënvizoi Ati i i Shenjtë, a kemi mjerime e mëkate, që akoma s’ia kemi ofruar Zotit? Vetëm kur ia ofrojmë, e kuptojmë mëshirën e Tij hyjnore. Edhe shën Toma, vetëm pasi u mëshirua, e kuptoi kë kishte përpara e i tha: “O Zoti im!”. “Kjo është ringjallja e dishepullit: – vërejti Papa – ndodh kur humaniteti i tij i brishtë e i plagosur hyn në atë të Jezusit. Aty shuhen dyshimet, aty, Zoti bëhet ‘Zoti im’, aty, fillojmë ta pranojmë veten dhe ta duam jetën”.

Në kohë koronavirusi, edhe ne, të ligshtë, si shën Toma

Në sprovën, që po kalojmë, vijoi homelinë e tij Papa, edhe ne jemi si shën Toma. Kemi nevojë për Zotin, që sheh në ne, përtej brishtësive tona, një bukuri të pashlyeshme. “Zbulojmë se jemi si kristale të bukura, të brishta e të çmuara njëkohësisht. E se, nëse si kristali, jemi transparentë para Tij, drita e Tij, drita e mëshirës, do të shkëlqejë në ne e, përmes nesh, në botë”. Zoti e priti shën Tomën, nënvizoi Ati i Shenjtë. Në ndryshim nga dishepujt e tjerë, ai s’e kishte kuptuar ringjalljen, por Zoti nuk e la pas.

“Tani – ngriti zërin Françesku – ndërsa mendojmë për daljen e ngadaltë e të lodhshme nga pandemia, përvijohet pikërisht ky rrezik: të harrojmë ata, që kanë mbetur mbrapa. Ka rrezik të na godasë një virus edhe më i keq, ai i egoizmit indiferent. Transmetohet, duke u nisur nga ideja se jeta përmirësohet, nëse përmirësohet për mua; se gjithçka do të shkojë mirë, nëse do të shkojë mirë për mua. Fillohet këtu e arrihet në përzgjedhjen e njerëzve, në mënjanimin e të varfërve, në sakrifikimin e atyre, që kanë mbetur pas, në altarin e progresit”.

T’i zhdukim pabarazitë

Por pandemia nuk përzgjedh e na kujton se jemi të gjithë njëlloj. Është koha t’i zhdukim pabarazitë, kërkoi Papa, i cili dha shembullin e bashkësive të para të krishtera, ku gjithçka ndahej sipas nevojave ndërmjet anëtarëve. Sot duket e kundërta, denoncoi Françesku. Një pjesë e vogël e njerëzimit ka ecur përpara, ndërsa shumica ka mbetur mbrapa. “Të mos mendojmë për interesat tona, për interesat vetjake – kjo, thirrja përfundimtare e Atit të Shenjtë. – Ta jetojmë këtë sprovë si mundësi për të përgatitur të nesërmen për të gjithë. Sepse pa një vizion të përbashkët nuk do të ketë të ardhme për askënd”.

19 prill 2020, 12:19