Papa lutet që Evropa të ketë unitetin vëllazëror, të ëndërruar nga etërit themelues

Gjatë Meshës në Shën Martë, Françesku u lut që Evropa, në këtë kohë kur ndjehet fort nevoja e bashkimit ndërmjet Kombeve, t’ia dalë mbanesh të ketë unitetin aq të nevojshëm vëllazëror. Në Homeli, kujtoi dashurinë e Zotit, që na deshi aq, sa të japë jetën: “Shumë të krishterë e kalojnë kohën duke shikuar kryqin, e aty gjejnë gjithçka, nga që Shpirti Shenjt i bën të kuptojnë se aty përmblidhet gjithë shkenca, gjithë dashuria e Zotit, gjithë dituria e krishterë”.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shën Martë (shih videon) në të mërkurën e javës së dytë të Kohës së Pashkëve. Në hyrje, një mendim kushtuar Evropës:

“Në këtë kohë, në të cilën është i nevojshëm uniteti i plotë ndërmjet nesh, të lutemi për Evropën, që Evropa t’ia dalë mbanesh të ketë atë unitet, atë vëllazërim, që e patën ëndërruar etërit themelues të Bashkimit Evropian”.

Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 3, 16-21), në të cilin Jezusi i thotë Nikodemit: “Zoti e deshi aq shumë botën, sa të japë Birin e vetëm, që kush beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur”. Zoti, në të vërtetë, nuk e dërgoi të Birin në botë për ta dënuar botën, por që bota të shpëtohej përmes Tij. E gjykimi është ky, pohon Krishti: “Drita  erdhi në botë, por njerëzit deshën më shumë errësirën, sesa dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga”. Dashuria e Zotit të duket si marrëzi - kujtoi në vijim Papa - Ati na dha Birin e vetëm, që vdiq në kryq për ne. Po Kryqi është  libri i madh i dashurisë së Zotit për ne. Shumë të krishterë e kalojnë jetën duke kundruar Kryqin e aty gjejnë gjithë shkencën, gjithë dashurinë e Zotit, gjithë urtinë e krishterë: kryqi është drita e Zotit! Po shumë të tjerë - shtoi Papa - nuk e durojnë dot dritën! Janë lakuriqa nate. U pëlqen të rrojnë në natë, në errësirë! E edhe ne, kur jetojmë të zhytur në mëkat, kërkojmë terrin, na pëlqen të fshihemi në errësirë. E ecim nëpër jetë duke prekur me duar, si të verbërit. Papa na fton t’i bëjmë vetes këtë pyetje: “Kush jam unë: bir i Zotit, bir i dritës, apo bir i errësirës?".

Duke shikuar kryqin, kuptojmë se në të është e gjithë dashuria e Zotit

Ta lëmë dashurinë e Zotit, që e dërgoi Krishtin për të na shpëtuar, të hyjë në ne e dritën që sjell Jezusi, dritën e Shpirtit Shenjt, të hyjë në shpirtin tonë e të na ndihmojë ta shikojmë gjithçka me dritën e Hyjit, me dritën e vërtetë, e jo me errësirën, që na e dynd në shpirt zotëria i terrinave!

Dy gjëra duhet t’i kemi mirë parasysh: Dashurinë e Zotit në Krishtin, në kryqin, në të përditshmen tonë, në pyetjen e përditshme, që mund e duhet t’ia bëjmë vetes: “Unë, a ec në dritë, apo në terr? Jam bir i Zotit, apo jam katandisur në një lakuriq të mjerë nate?”.

Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament  dhe me bekimin eukaristik, duke  i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Françeskut:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Françesku të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

22 prill 2020, 10:02