Papa lutet për të moshuarit, që kanë frikë nga pandemia

Në fillim të Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku iu lut Zotit të jetë pranë njerëzve të moshuar e të mbyllur në shtëpitë e pleqve, në këtë kohë të vështirë. Në homeli kujtoi besnikërinë e Zotit, që vijon të ecë, si shëlbues, me popullin e vet: kjo besnikëri na gëzon e na e ngroh zemrën.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi, në Shtëpinë e Shën Martës, Meshën Shenjte të së mërkurës së Tetëditshit të Pashkëve. Mendimin e parë ua kushtoi  të moshurave:

“Të lutemi sot për të moshuarit, posaçërisht për ata, që janë në shtëpitë e pushimit. Kanë frikë! Frikë se do të vdesin të vetmuar. Kjo pandemi u duket agresive atyre, që janë rrënjët tona, historia jonë. Ata na dhanë fenë, traditat. Na mësuan se kemi një Atdhe! Të lutemi, që Zoti të jetë pranë tyre në këtë çast të vështirë”.

Në homeli, Françesku komentoi leximet e sotme, shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 3,1-10) në të cilat një burrë, lindur i çalë, shërohet përmes lutjes së Pjetrit, “në emër të Krishtit” - e nga Ungjilli i sotëm (Lk 24, 13-35), në të cilin Krishti i ngjallur ecën me dishepujt e Emmausit, duke u shpjeguar misterin e vdekjes së Tij. Dy dishepujt, që e ftojnë në shtëpi, e njohin vetëm në të thyer të bukës, kur ulen në sofër. Zoti - pohoi Papa - e mban besnikërisht premtimin, është gjithnjë besnik ndaj popullit të vet, gjithnjë shëlbues i tij. Besnikëria e Zotit është festë dhe gëzim për ne të gjithë: besnikëri durimtare, që ta ngroh zemrën, ashtu si ua ngrohu të çalit të shëruar dhe dishepujve të Emmausit. Besnikëria jonë është përgjigje, që i jepet besnikërisë së Tij!

Më pas, teksti i plotë i homelisë:

“Dje e kujtuam Marinë Magdalenë si ikonë të besnikërisë: besnikërisë ndaj Zotit. Po si është kjo besnikëri ndaj Zotit? Ndaj cilit Zot? Pikërisht Zotit besnik!

Besnikëria jonë nuk është tjetër, veçse përgjigje ndaj besnikërisë së Zotit. Zotit, që e mban fjalën e dhënë, e mban premtimin, ecën me popullin e  vet. Që është i aftë t’i ri- bëjë të gjitha sendet, t’i rikrijojë, siç bëri me burrin, që kishte lindur i çalë, të cilin e ngriti përsëri në këmbë. Është Zot që shëron. Zot, që ngushëllon. Që ri-krijon. Rikrijim i ri: kjo është besnikëria e Tij ndaj nesh. E rikrijimi është shumë më i mrekullueshëm se krijimi! Eshtë Zot, që shkon përpara e nuk lodhet kurrë duke punuar - për ta çuar përpara edhe popullin! Nuk tutet nga lodhja. Ashtu si bariu që, kur kthehet në shtëpi e kujtohet se i mungon një dele, shkon ta kërkojë delen e humbur. Si bariu, që punon me orë të zgjatura jo për t’u paguar më shumë, por thjesht për dashuri, për besnikëri… Zoti ynë është Zot që punon gjithnjë, pa pagesë, falas! Sepse është besnik. Është besnikëria e atij atit, që ngjitet shpesh mbi tarracë për të parë nëse po i kthehet djali plangprishës. Ngjitet e pret, për të festuar kthimin! Besnikëria e Zotit është festë, është gëzim, që të bën të sillesh si i çali, që hyri në tempull duke ecur, duke kërcyer, duke lavdëruar Zotin. Besnikëria e Zotit është festë, festë falas. Për ne të gjithë! Besnikëria e Zotit është durimtare! Zoti është i durueshëm me popullin e  vet, e dëgjon, i prin, i shpjegon gjithçka ngadalë e ia ngrohë zemrën, siç bëri me dishepujt, që po iknin larg Jeruzalemit: ua ngrohu zemrën, që të riktheheshin në shtëpi. Ashtu si bëri edhe me Pjetrin, që e pati mohuar. Dimë vetëm se Zoti i ngjallur iu duk Simonit: se çka u tha atë çast, ne nuk e dimë. Por e dimë mirë se ishte besnikëria e Zotit, që e kërkoi Pjetrin. Besnikëria e Tij i paraprin gjithnjë besnikërisë sonë! Zoti na prin gjithnjë. Është lulja e bajames, që lajmëron pranverën, duke çelur e para! Të jesh besnik do të thotë ta lavdërosh këtë besnikëri, të jesh besnik ndaj besnikërisë. Eshtë përgjigje që i jepet besnikërisë!”.

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë ata, që e ndiqnin përmes televizionit, të bëjnë Kungimin shpirtëror.

Në përfundim, lutja e Papës:

O Krisht, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo  të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”

Para se Papa të largohej nga Kapela kushtuar Shpirtit Shenjt, u këndua kënga mariane “Ave Regina Caelorum” (Të Falem Mbretëreshë e Qiellit):

“Të falem, Mbretëreshë e Qiellit, Zoja e Engjëjve; Ti portë e rrënjë e shëlbimit! Sille dritën mbi botë. Gëzoju, Virgjër e Lume, Ti më e bukura mbi gjitha gratë; të falemi, o gjithëshenjte, lutju Krishtit për ne!”.

15 prill 2020, 10:20