Kërko

Papa lutet për të burgosurit e mendon për të varfërit: në ta shikojmë Jezusin

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi përsëri të burgosurit dhe problemin e rëndë të mbigrumbullimit të njerëzve në burgje, duke u lutur që drejtuesit të përpiqen për ta zgjidhur. Gjatë homelisë foli për të varfërit, viktima të padrejtësisë së politikave ekonomike botërore, duke kujtuar se në fund të fundit, do të gjykohemi për qëndrimin që mbajtëm ndaj tyre.

R. SH. - Vatikan

Sot Françesku kryesoi, në Kapelën e Shën Martës, Meshën e të Hënës së Javës së Madhe. Në fillim të kremtimit, u lut për zgjidhjen e problemit të mbigrumbullimit të njerëzve ndër burgje:

“Mendoj për një problem të rëndë, atë të mbigrumbullimit të njerëzve ndër burgje, që vërehet në të katër anët e botës. Dëshiroj, prandaj, që sot të lutemi për zgjidhjen e tij. Ku ka turma njerëzish, aty është rreziku që, në këtë pandemi, të ndodhin fatkeqësi të mëdha. Të lutemi për drejtuesit, të cilët duhet të marrin masa lidhur me këtë çështje, duke gjetur rrugën e drejtë dhe krijuese për ta zgjidhur problemin”.

Gjatë homelisë Françesku komentoi fragmentin e Ungjillit sipas Gjonit (Gjn 12, 1-11), në të cilin Maria, motra  e Lazrit, i lyen këmbët e Jezusit me një parfum të shtrenjtë, duke ngacmuar keqas Judën, i cili nis e kritikon: ky parfum - thotë ai, që gatitet ta tradhtojë Zotin - mund të shitej e fitimi t’u ndahej të varfërve. Ungjilltari vëren se tradhtari e thoshte këtë jo pse i bëhej vonë për të varfërit, por nga që ishte hajdut. E me që mbante kasën, mezi ç’priste që ajo të mbushej, për ta zbrazur sakaq në xhepat e vet. Po Jezusi ia pret fjalën e i thotë: “Lëre ta ruajë për ditën e varrimit tim. Të varfërit janë gjithnjë rreth jush, po mua nuk do të më keni gjithnjë pranë”.

E Papa foli pikërisht për të varfërit: janë shumë, shumica të fshehur ndër skuta. Nuk i shikojmë, sepse jemi indiferentë. Shumica janë viktima të politikave financiare dhe të padrejtësisë strukturore të ekonomisë botërore.  Turpërohen sepse nuk kanë mjetet e nevojshme për të jetuar e shkojnë në Karitas fshehurazi. Do t’i takojmë në gjyqin e mbramë - kujtoi Papa. Jezusi njësohet me ta!  

Më pas, teksti i plotë i homelisë:

Fragmenti i Ungjillit të sotëm përfundon me një vërejtje: “Krerët e priftërinjve atëhere vendosën ta mbysin edhe Lazrin, sepse shumë judenj, që shkonin në shtëpinë e tij, nisën të besonin në Jezusin”. Pak më parë vërejtëm hapat e tundimit: joshjen e parë, pasuar nga iluzioni që rritet – e ky është hapi i dytë – e në të tretin rritet, ngjitet e shfajsohet. Po nuk mbaron këtu. Ka edhe hapa të tjerë. Shkon përpara, nuk ndalet. Prandaj nuk u mjafton më ta vrasin Jezusin, duan ta shohin përsëri në varr edhe Lazrin, sepse ishte dëshmitar i jetës. Po unë sot dua të ndalohem tek një fjalë e Jezusit. Gjashtë ditë para Pashkëve - jemi pikërisht tek porta e Mundimeve - Maria bën një gjest kundrimi: Marta shërben - e Maria i hap portën kundrimit. Ndërsa Juda e ka mendjen tek paratë, e jo pse i vjen keq për të varfërit, por pse ishte hajdut e, me që mbante kasën, mezi ç’priste t’i vidhte paratë. Kjo histori e mbarështuesit të pabesë është gjithnjë aktuale. Njerëz si Juda gjinden edhe në nivele të larta: të mendojmë për disa organizata bamirëse ose humanitare, që kanë një sërë nëpunësish, shumë; struktura shumë të pasura me njerëz, e 60% e lëmoshëve, që jepen për varfërit, shpenzohet për rrogat e tyre. 40% u mbetet të varfërve. Është një nga mënyrat për të grabitur paratë të varfërve! Po përgjigjja është Jezusi. E këtu dua të ndalohem; “Të varfërit janë gjithnjë me ju. Të varfërit janë”. Janë shumë; së pari është i varfëri, që e shikojmë, po kjo është pjesa më e vogël. Pjesa më e madhe e të varfërve janë ata, që nuk i shikojmë, të varfërit e fshehur. E ne nuk i shikojmë, sepse hyjmë në kulturën e indiferencës, që është mohuese. Ndaj edhe i mohojmë: “Jo, jo, pallavra! Nuk janë aq shumë, sa thuhet...” - duke  e bërë kështu, gjithnjë më të padukshëm realitetin aspak të vogël të të varfërve. Sepse janë shumë, shumë!

E kur nuk hyjmë në këtë kulturë, ndodh që i shikojmë të varfërit si një lloj stolie e qyteteve: a, po, ajo plakusha, që kërkon lëmoshë… Aty, në skutë…Shumica e të varfërve janë viktima të politikave ekonomike, të politikave financiare. Disa nga statistikat e fundit e përmbledhin situatën me këto fjalë: paratë janë kryesisht në duart e pak njerëzve, ndërsa shumica është tejet e varfër. Është varfëri e një mori njerëzish, viktima të padrejtësisë strukturore të ekonomisë botërore. E ka shumë të varfër, të cilëve u vjen turp të duken si të tillë, edhe pse nuk kanë mundësi të arrijnë as fundin e muajit. Të varfërit janë më shumë se të pasurit. Shumë, shumë më tepër… E ajo që thotë Jezusi është e vërtetë. “Të varfërit i keni gjithnjë pranë jush”. Po unë, a i shikoj? A e vërej këtë realitet? Sidomos, realitetin e fshehur? Ata,  të cilëve u vjen turp të pohojnë se nuk e arrijnë as fundin e muajit? Më kujtohet sesi në Buenos Ajres më patën thënë se ndërtesa e një fabrike të braktisur, bosh prej vitesh, banohej nga pesëdhjetë familje me fëmijë, që kishin marrë secili nga një pjesë nga fabrika e braktisur. E, duke i vizituar, pashë se çdo familje kishte mobilje të mira, nga ato që kanë familjet e shtresave të mesme. Kishin edhe televizorë, por banonin aty, sepse nuk mund të paguanin qiranë. Të varfër të rinj, që detyrohen të largohen nga shtëpitë, sepse nuk mund të paguajnë e detyrohen të shkojnë atje. Është padrejtësia e organizimit ekonomik ose financiar, që i çon deri në këtë pikë. E janë shumë, shumë, ata që do t’i takojmë në gjyqin e mbramë. Pyetja e parë, që na bën Jezusi, është; “Si shkon me të varfërit? A u dhe të hanë? Kur ishin në burg, a i vizitove? A shkove t’i shikosh, kur ishin në spital? A i ndihmove vejushën e jetimin? Sepse atje isha unë! E sipas kësaj do të gjykohemi! Por nëse sot unë i injoroj të varfërit, i lë mënjanë, besoj se nuk ekzistojnë, edhe Zoti do të më injorojë mua në ditën e gjyqit. Jezusi na kujton: “Të varfërit i keni gjithnjë pranë”, gjë që domethënë: “Unë do të jem përherë me ju, në të varfërit. Atje do të jem i pranishëm!”. E kjo nuk do të thotë se je komunist, kjo është zemra e Ungjillit: do të gjykohemi për këtë!

 Para se të largohej nga Kapela kushtuar Shpirtit Shenjt, u këndua kënga mariane “Ave Regina Caelorum” (Të Falem Mbretëreshë e Qiellit):

“Të falem, Mbretëreshë e Qiellit, Zoja e Engjëjve; Ti portë e rrënjë e shëlbimit! Sille dritën mbi botë. Gëzoju, Virgjër e Lume, Ti më e bukura mbi   gjitha gratë; të falemi, o gjithëshenjte, lutju Krishtit për ne!”.

06 prill 2020, 11:20