Kërko

Papa lutet për punonjësit e shëndetësisë, që asistojnë njerëzit me kufizime, të prekur nga Covid-19

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi njerëzit me kufizime, të prekur edhe nga koronavirusi, si dhe mjekët e infermierët, që kujdesen për ta. Në homeli, nënvizoi se i krishteri di të flasë çiltërsisht, sepse ka guximin për të thënë të vërtetën, që vjen nga Shpirti Shenjt.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në të shtunën e Tetëditshit të Pashkëve, në prag të së Dielës së Mëshirës Hyjnore. Antifona e hyrjes, që lexoi, ishte shprehje e ngazëllimit, shkëputur nga Psalmi 104: “Zoti e çliroi popullin e vet, e bëri të galdojë, i mbushi me gëzim të zgjedhurit e tij, aleluja!”. Ndjeti i lutjes iu kushtua punonjësve të shëndetësisë, që mjekojnë të sëmurët me kufizime, këto ditë të prekur edhe nga koronavirusi:

“Dje mora një letër nga një murgeshë, që punon si përkthyese e gjuhës së shenjave për shurdhmemecët. E ajo më foli për punën e vështirë të punonjësve të shëndetësisë, infermierëve, mjekëve, që janë pranë të sëmurëve me kufizime, të prekur tani edhe nga  Covid -19. Të lutemi për ta,  gjithnjë në shërbim të këtyre njerëzve me një mori aftësish, por jo me ato, që kemi ne”.

Në pjesën e parë të homelisë, Papa komentoi fragmentin e shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 4, 13-21), në të cilin krerët fetarë i kërcënojnë me forcë Pjetrin e Gjonin, që të mos mësonin më në emër të Krishtit. Po dy Apostujt gjegjen me guxim e sinqeritet: “Gjykojeni ju vetë nëse para Zotit është më e drejtë t’ju dëgjojmë ju, apo ta dëgjojmë Atë. Ne nuk mund të heshtim për çka pamë e çka dëgjuam”. Ndershmëria - theksoi Papa - është fjalë e rëndësishme. Stil i predikatarëve. Fjala greke është parresia. Domethënë, guximi i krishterë, që të nxit të flasësh hapur, lirisht. Zemra e krerëve fetarë ishte e mbyllur, nuk ishte e ndershme, ishte e prishur. Ndaj nuk mund ta duronte këtë sinqeritet: Shpirti Shenjt nuk mund të hyjë në këto zemra. Deri Pjetri, që ishte frikacak, nuk pyet fare për kërcënimet e krerëve e përgjigjet me një guxim të çuditshëm. Është guximi, që vjen nga Shpirti Shenjt. I krishteri e thotë haptazi gjithçka, sepse është  njeri që nuk di të shkojë nga fryn era. Këtë theksoi Papa, duke kaluar, më pas,  tek komenti i Ungjillit të sotëm (Mt 16, 9-15), në të cilin Jezusi një herë i qorton dishepujt për zemërngurtësinë, sepse nuk i besojnë ata, që pohojnë se e panë të gjallë, e pastaj i nxit të shkojnë në të katër anët e botës,  për t’ia shpallur me guxim Ungjillin të gjitha krijesave. Misioni lind nga Shpirti Shenjt.

Zoti - u lut në përfundim Papa - na ndihmoftë gjithnjë të jemi guximtarë: kjo nuk do të thotë të pakujdesshëm. Guximi i krishterë është gjithnjë i urtë, i matur. Por gjithnjë guxim!

Në përfundim të Meshës Papa kujtoi se nesër, e Diela e Mëshirës Hyjnore, do të kremtohet Mesha Shenjte në Kishën romake të Shpirtit Shenjt, në Sassia, duke nisur nga ora 11.00. Të hënën do të rifillojnë meshët e orës 07.00,  në Shën Martë.

18 prill 2020, 11:57