Kërko

Papa: Kisha virtuale "nuk është Kishë", kremtimi në distancë deri në dalje nga tuneli

Papa kujtoi gjatë Meshës gratë shtatzëna, në këtë kohë të pasigurt. Theksoi, posaçërisht, se duhet të ruhemi nga feja virtuale, sepse Kisha virtuale "nuk është Kishë", kremtimi në distancë është për të dalë nga tuneli e jo për të qëndruar aty. Kisha ёshtё me popullin e me Sakramentet.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në të Premten e Tetëditshit të Pashkëve. E nisi me një mendim kushtuar grave shtatzëna:

“Dëshiroj që sot të lutemi për gratë në pritje të foshnjës, gratë shtatzëna, që do të bëhen nëna e janë të shqeta e të trazuara. Me një pyetje në buzë: ‘Në ç’botë do të jetojë im bir?'. Të lutemi për ta, që Zoti t’u japë guximin t’i rrisin këta fëmijë me besimin se do të vijë një botë tjetër. E ndryshme prej kësaj ku po jetojmë: botë që Zoti do ta dojë shumë!".

Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 21 1.14), në të cilin Krishti i ngjallur u duket dishepujve të kthyer në breg, pas një peshkimi të pafryt në Detin e Tiberiades. Të ftuar nga Zoti për t’i hedhur rishtas rrjetat,  i mbushin përplot me peshq. Eshtë një skenë - kujtoi Françesku - që zhvillohet krejt natyrshëm, sepse dishepujt qenë rritur në familjaritet me Jezusin. Ne të krishterët - shpjegoi Papa - duhet të rritemi me frymën e këtij familjariteti, që është sa personal, aq edhe komunitar. Familjariteti pa bashkësi, pa Kishë, pa Sakramente, është i rrezikshëm, mund të bëhet familjaritet gnostik, i bazuar mbi dijen, por i shkëputur nga  populli i Zotit. Në këtë pandemi - vërejti në vijim Papa gjatë homelisë së Meshës në Shën Martë - komunikon përmes mjeteve, por nuk je bashkë me të tjerët, siç po ndodh edhe në këtë meshë. Është situatë e vështirë, në të cilën besimtarët nuk mund të marrin pjesë në kremtime e mund të kungohen vetëm shpirtërisht. Duhet të dalim nga ky tunel, për të qenë përsëri bashkë, sepse kjo nuk është Kishë e vërtetë, por Kishë që rrezikohet të jetë “e viralizuar”. Zoti - u lut Papa - na mësoftë familjaritetin konkret, këtë intimitet me Të, por në Kishë, jo në ekran, me Sakramentet e me popullin shenjt të Zotit.

Më pas, teksti i plotë, jo zyrtar, i homelisë:

“Dishepujt ishin peshkatarë: Jezusi i kishte thirrur pikërisht në punë: Andreu e Pjetri po punonin me rrjetat. I lanë rrjetat në çast e e ndoqën pas Jezusin. E kështu bënë edhe Gjoni me Jakobin: lanë babain e djemtë, që punonin me ta, e shkuan pas Jezusit, Zotit, që i thirri ashtu si ishin, peshkatarë. E ky fragment i Ungjillit të sotëm, ky peshkim i mrekullueshëm, na bën të mendojmë për një peshkim tjetër edhe më të mrekullueshëm, atë që na e tregon Luka, në kapitullin e pestë: edhe aty ndodhi e njëjta gjë. Zunë një mori peshku, kur mendonin se do t’i nxirrnin rrjetat bosh. Pas predikimit, Jezusi u tha: 'Dilni në det të hapur!'. - ' Por, o Zot, punuam gjithë natën e nuk zumë asnjë peshk për be!'. - 'Shkoni!' - u tha rishtas. 'Me besim në fjalët Tua - ia ktheu Pjetri - po i hedh  rrjetat'. I hodhi e i nxori me një sasi të tillë peshqish, që i la të gjithë me gojë hapur. Sot, në peshkimin tjetër, nuk flitet më për habi. Shihet një farë natyrshmërie, vërehet se është bërë një copë e mirë rruge në njohjen e Zotit. Shihet progresi në intimitetin me Zotin. Kur Gjoni pa rrjetat, i tha Pjetrit: 'Është Zoti!'. Pjetri hoqi petkat e u hodh në ujë për të shkuar tek Zoti. Herën e parë u gjunjëzua para Tij e i tha: 'Larg meje, o Zot, sepse jam mëkatar!'. Ndërsa këtë herë nuk tha asnjë fjalë. Ishte e natyrshme. Askush nuk e pyeste 'Kush je?': e dinin se ishte Zoti! Ishte i natyrshëm takimi me Zotin, familjariteti i apostujve me Zotin ishte rritur.

Edhe ne, të krishterët, jemi për udhë. Përparojmë në familjaritet me Zotin. Ai ecën me ne! E dimë se është Ai. Askush nuk ka nevojë ta pyesë: 'Kush je?'. E dinë se është Zoti. Të krishterët kanë familjaritet me Zotin.  E ky familjaritet i të krishterëve me Zotin është gjithnjë komunitar. Është intim, është personal, por në bashkësi. Familjariteti pa bashkësi, familjariteti pa bukë, pa Kishë, pa popull, është i rrezikshëm. Mund të bëhet familjaritet - të themi - gnostik, vetëm për vete, i shkëputur nga populli i Zotit. Familjariteti i Zotit me apostujt ishte gjithnjë komunitar, gjithnjë rreth tryezës, simbol i bashkësisë. Ishte gjithnjë me sakramentin, me bukën!

Po e them këtë, sepse dikush më bëri të reflektoj për rrezikun e këtij çasti të cilin po e jetojmë, e kësaj pandemie, që na bëri të gjithëve të kungohemi edhe fetarisht përmes mediave, përmes mjeteve të komunikimit, edhe në këtë Meshë, e cila na krijon mundësinë të kungohemi, por jo bashkë! Vetëm shpirtërisht bashkë! Populli është i vogël. Po është një popull tjetër i madh: jemi bashkë, e jo bashkë. Edhe sakramenti: sot e keni Eukaristinë,  po është vetëm kungim shpirtëror. E kjo nuk është Kishë: kjo është Kishë e një situate të vështirë, që Zoti e lejon, por ideali i Kishës është gjithnjë me popullin, me Sakramentin. Gjithnjë!

Para Pashkëve, kur mori dhenë lajmi se unë do ta kremtoja Solemnitetin në Bazilikën e Shën Pjetrit bosh, një ipeshkëv - ipeshkëv i mirë - më shkroi,  e më qortoi: 'Po si kështu? A nuk është Shën Pjetri aq i madh, sa të zërë së paku 30 vetë, që të shihet se dikush po e ndjek kremtimin? Nuk më duket se është gjë e rrezikshme…' Atë çast mendova 'Po ky, ku e ka hallin, që më thotë kështu?'. Nuk e kuptova menjëherë. Por meqë është ipeshkëv shumë i mirë e shumë pranë popullit, e mora me mend se diçka donte të më thoshte. Do ta pyes kur ta takoj - mendova. Pastaj e mora vesh. Ai po më thoshte: 'Ki mendjen e mos e viralizo Kishën, mos i viralizo Sakramentet, mos e viralizo Popullin e Zotit! Kisha, Sakramentet, Populli i Zotit janë konkrete. Është e vërtetë se në këtë çast  duhet ta shprehim kështu familjaritetin me Zotin, por për të dalë nga tuneli, jo për të mbetur aty!'. E ky është familjariteti i Apostujve; jo gnostik, jo i viralizuar, jo egoist, vetëm për secilin prej tyre, por familjaritet konkret, në gjirin e popullit. Familjaritet me Zotin në jetën e përditshme, familjaritet me Zotin  në sakramente, në mes të Popullit të Zotit. Ata e bënë udhën në familjaritet me Zotin; të mësohemi për ta bërë edhe ne kështu. Ata e kuptuan që në çastin e parë. E morën vesh se ky familjaritet ishte ndryshe, nga ai që përfytyronin dhe arritën në këtë përfundim. E dinin se ishte Zoti,  e ndanin bashkë gjithçka: Sakramentet, Zotin, paqen, festën!

Zoti na e mësoftë këtë intimitet me Të, këtë familjaritet me Të, por në Kishë, me Sakramente, me popullin shenjt besnik të Zotit”.

Françesku e kreu kremtimin me adhurimin dhe bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë për të marrë kungimin shpirtëror.

Lutja e Papës

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj zemrën e thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë sate! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vi tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Para se Françesku të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

17 prill 2020, 11:46