Kërko

Papa lutet për mësuesit e nxënësit në këtë kohë pandemie

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi vëshirësitë, që u krijoi Covid 19 mësuesve e nxënësve.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot, në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), Meshën e së premtes të Javës së dytë të Kohës së Pashkëve. Kujtoi, në fillim,  botën e shkollës, të dëmtuar rëndë nga coronavirusi dhe i ftoi besimtarët të luten pikërisht për nxënësit e mësuesit:

“Të lutemi për mësuesit, të cilëve u duhet të punojnë shumë për ta dhënë mësimin përmes internetit dhe udhëve të tjera mediatike; të lutemi edhe për nxënësit, që duhet t’i japin provimet në një mënyrë të pazakontë. T’i shoqërojmë me lutje”.

Në homeli Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 6,1-15), në të cilin flitet për shumëzimin e bukëve e të peshqve. Jezusi i vë në provë apostujt, të cilët nuk dinin si ta shujtonin turmën e madhe, që i ndiqte pas, duke i bërë, kështu, të rriten shpirtërisht. Krishtit - pohoi Françesku - i pëlqente shumë të rrinte në mes të turmave, sepse janë simbol i universalitetit  të shëlbimit - gjë që i shqetësonte dishepujt. Apostujve nuk u pëlqente aspak turma, sepse u pëlqente të rrinin qetë-qetë pranë Zotit, ta dëgjonin Zotin, t’i dëgjonin fjalët e Tij. Kur Krishti i fliste turmës, ata thoshin: “Na e rrënoi fare festën”. E Zoti i qortonte gjithnjë për këtë, sepse kërkonte afërsinë e njerëzve e i mësonte barinjtë të rrinin gjithnjë pranë tyre. Populli i Zotit të lodh - nënvizoi Papa - sepse u kërkon gjithnjë barinjve sende konkrete, e bariu duhet të kujdeset pikërisht për çka kërkojnë njerëzit. Ndaj Jezusi u thotë dishepujve: “Jepuni ju vetë të hanë!”. E këtë ua përsërit rishtas: “Jepuni, jepuni njerëzve atë që kërkojnë!”. I vinte kështu, në provë. Vazhdimisht. Për t’i mësuar, e kur e shikonte se nuk e kuptonin, i ndalonte e i mësonte përsëri. Ungjilli është përplot me gjeste të tilla, që Jezusi i bënte për t’i rritur shpirtërisht dishepujt, për t’i bërë barinj të vërtetë të Popullit të Zotit.

E pasi ia shuan urinë turmës, Krishti shkon t’i lutet Atit. Kjo është afërsia e dyfishtë e bariut: pranë Atit e pranë njerëzve. E turma, pas shumëzimit të bukëve e të peshqve, dëshiron ta marrë Jezusin e ta bëjë mbret. Ndoshta - vërejti Papa - ndonjëri nga apostujt kënaqej duke i dëgjuar këto fjalë, nga që shpresonte se me këtë rast do të fitonte më shumë pushtet: tundohej nga shkëlqimi i pushtetit mbretëror:

“Po pushteti i bariut - vijoi Françesku - është  shërbimi. Nuk ka pushtet tjetër. E kur gabon në këtë pikë, bariu e rrënon fare thirrjen e tij meshtarake e bëhet drejtor sipërmarrjeje baritore, por jo bari”.

Të lutemi për barinjtë - ftoi në përfundim Papa - që Zoti t’i mësojë të mos kenë frikë të jenë pranë popullit. Gjithnjë si barinj, kurrë si mbretër!

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke  i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

24 prill 2020, 10:34