Papa lutet për ata, që kryejnë shërbimet e përmortshme. Feja është gjithnjë misionare!

Gjatë Meshës, kremtuar sot në Shën Martë, Françesku u lut për të gjithë ata që, me shërbimin e tyre, i shoqërojnë viktimat e kësaj pandemie në shtegtimin e tyre të fundit. Gjatë homelisë kujtoi se çdo i krishterë është misionar e se kjo nuk do të thotë të bësh prozelitizëm, por ta jetosh fenë me porta gjithnjë të hapura, ta kuptosh fenë si shërbim!

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha kremton festën e Shën Markut ungjilltar. Fjalët e para ua kushtoi  atyre që, në këtë kohë kaq të trishtë, kryejnë shërbimet e përmortshme:

“Të lutemi së bashku sot për ata, që kryejnë shërbimet e përmortshme. Eshtë tepër e dhimbshme, tepër e trishtueshme puna që bëjnë. Edhe atyre u shkakton dhimbje kjo pandemi, që e kanë pranë çdo ditë. Të lutemi për ta!”.

Në homeli Françesku komentoi Ungjllin e Shën Markut, Shenjtit, që e kremton sot Kisha katolike. Kujtoi se është njëri nga katër ungjilltarët, se ishte shumë pranë Shën Pjetrit e se e shkroi i pari Ungjillin. Po të keni ndopak kohë të lirë - u kujtoi besimtarëve - nuk do të bëni keq ta merrni në dorë e ta lexoni. Nuk është i gjatë, por të kënaq thjeshtësia me të cilën apostulli e rrëfen jetën e Krishtit. Në Ungjillin e Markut e takojmë Jezusin si shëlbues, si bir i vetëm i Zotit, ashtu si iu dëftua mbarë Izraelit, e edhe popullit. Në të gjejmë më shumë hollësira, sesa në Ungjijtë e tjerë, për çastin kur Zoti u ngjit në qiell. E, sidomos për çastin kur, para se të nisej, iu duk të Njëmbëdhjetëve (Mk 16, 15-20), i nxiti të shkojnë në mbarë botën për t’ia shpallur Ungjillin çdo krijese e u foli edhe për shenjat, që do t’i shoqëronin ata, të cilët do të besonin: në emrin  e Tij “do të dëbonin djajtë, do të flisnin gjuhë të reja, do të merrnin në dorë gjarpërinjtë, do të vinin duart mbi kokën e të sëmurëve, e këta do të shëroheshin e, nëse do pinin ndonjë helm, nuk do t’u bënte kurrfarë dëmi”. Pas këtyre fjalëve, Jezusi ngjitet në qiell, për t’u ulur në të djathtën e Hyjit Atë.

Feja - kujtoi Papa - o është misionare, o nuk është fare fe! Feja nuk është gjë, të cilën mund a duhet ta mbaj vetëm për vete, që të rritem në fe: kjo është herezi gnostike. Feja duhet të përhapet kudo sidomos me dëshminë e jetës. Nganjëherë mungojnë bindjet e fesë, e cila nuk është vetëm një e dhënë, që shënohet në kartën e identitetit. Kush ka fe, duhet të dalë nga vetvetja e ta bëjë fenë e vet të dukshme “shoqërisht”. E kjo nuk do të thotë të bësh prozelitizëm. Do të thotë ta dëshmosh fenë me shërbim, duke jetuar si i krishterë. Para se të flasë për  fenë e vet, i krishteri duhet ta jetojë dukshëm këtë fe. Feja nuk transmetohet për ta bindur tjetrin, por për t’i dhuruar një thesar. E duhet transmetuar përvujtërisht, ashtu si na e kujton sot Letra e parë e Pjetrit (1Pt 5, 5-14). Në transmetimin e fesë është gjithnjë i pranishëm vetë Zoti, ndërsa në transmetimin e ideologjive, janë “mësuesit”. Zoti na ndihmoftë të jetojmë një fe me porta gjithnjë të hapura, një fe transparente - u lut në përfundim Papa  - një fe, që  nuk e shkandullon, por e shëlbon botën!

Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës.

Lutja e Papës:

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj zemrën e thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Para se Françesku të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

 

 

25 prill 2020, 09:18