Kërko

 Papa në të Dielën e Pashkëve Papa në të Dielën e Pashkëve 

Papa: kështu po e jetoj emergjencën e pandemisë

Si po e jeton Papa krizën e shkaktuar nga Covid-19? E përgatitjen për më pas? Intervistë e Françeskut realizuar nga Austen Ivereigh.

R. SH. - Vatikan

Si po e jeton Papa krizën e shkaktuar nga Covid-19? E përgatitjen për më pas? Intervistë e jashtëzakonshme e Papës kjo, dhënë në distancë, duke i regjistruar në audio pyetjet e gazetarit dhe shkrimtarit britanik Austen Ivereigh. Intervista u publikua njëkohësisht nga The tablet (Londër) e Commonweaal (New York). ABC ofron tekstin origjinal në spanjisht e Civiltà Cattolica, atë në italisht.

Pyetja e parë drejtuar Papës ishte: “Si po jeton pandeminë e izolimin?”

“Kuria - shpjegoi Françesku - përpiqet të vijojë punën, të jetojë normalisht, duke organizuar turne, që të mos grumbullohen shumë njerëz njëherësh. Mendim i mirë, ky. Zbatojmë rregullat e caktuara nga autoritetet shëndetësore. Për këtë arsye edhe për drekën kemi dy turne. Secili punon në zyrë të vet, ose nga shtëpia. Të gjithë janë në punë. Askush nuk rri me duar kryq.

Si po e jetoj unë shpirtërisht? Lutem më shumë, ngaqë besoj se duhet ta bëj këtë. E mendoj për njerëzit, sepse më shqetëson fati i tyre! Mendimi për njerëzit më ngushëllon, më bën mirë, më shkëput nga mendimet vetëm për vete. Të martën vjen rrëfyesi e atëhere i vë në rregull këto lloj mendimesh. Mendoj shumë edhe për përgjegjësitë e mia aktuale, për sot e për kohët që do të vijnë. Cili do të jetë shërbimi im, si Ipeshkëv i Romës e Kyetar i Kishës, në vijim? Ky vijim ka nisur tashmë të duket tragjik e i dhimbshëm, prandaj për të duhet menduar që sot. Dikasteri për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor organizoi një komision, që punon për këtë e takohet vazhdimisht me mua.

Shqetësimi im më i madh - që e ndjej fort sidomos gjatë lutjes - është si duhet shoqëruar populli i Zotit e si mund t’i qëndroj sa më pranë. Këtë kuptim ka edhe Mesha e orës 7.00 të mëngjesit në live streaming, që ndiqet nga shumë njerëz, të cilët ndjehen të shoqëruar, ashtu edhe disa nga  fjalët e mia si dhe riti  i 27 marsit në Sheshin e Shën Pjetrit. Është punë e vazhdueshme pranie, përmes Lëmoshtarisë Apostolike, për t’i shoqëruar njerëzit në këtë situatë urie e sëmundjeje. Po e jetoj me shumë paqartësi këtë çast. Çast, që kërkon frymë të veçantë krijuese!

Në pyetjen e dytë Auszten Ivereigh kujton romanin “Të Fejuarit” të Alessandro Manzonit, ngjarjet e të cilit zhvillohen në kohën e kolerës, që u përhap në Milano në vitin 1630, në të cilin përshkruhen  njerëz të Kishës me qëndrime tejet të ndryshme. E, prej këndej, pyet si e shikon Papa misionin e Kishës në këtë çast?

“Kardinali Federigo - përgjigjet Françesku - është hero i vërtetë i kolerës së Milanos. Por, në njërin nga kapituj tregohet sesi ai kalonte duke i përshëndetur njerëzit i mbyllur në lektigë, ndoshta pas ndonjë dritareje, për t’u mbrojtur. Populli mbetet keq, sepse e donte bariun sa më pranë e nuk i pëlqen ta shikojë duke e mbrojtur veten në tepri. Sot populli ka nevojë ta ndjejë bariun sa më pranë, me vetmohimin e kapuçinëve, që nuk pyesnin fare për kolerë.

I krishteri duhet të jetë krijues, të hapë horizonte të reja, dritare të reja,  rrugë të reja drejt Zotit e drejt njerëzve. E duhet të  jetojë në një mënyrë të re edhe në shtëpi. Sepse nuk është e lehtë të mbyllesh brenda katër mureve. Më kujtohet një varg i Eneides që, në rrethanat e humbjes së betejës, i këshillon luftëtarët të mos i ulin krahët. Përgatituni, prandaj, për kohë më të mira, duke kujtuar gjërat që ndodhin sot! Kujdesuni që tani, për kohët që do të vijnë. E kur të vijnë, do t’ju bëjë mirë të kujtoni atë që ndodhi. Kini kujdes për të sotmen, por me vështrimin drejt ardhmërisë. Me frymë krijuese. Me krjimtari të thjeshtë, që shpik çdo ditë diçka të re. Në familje nuk është vështirë të krijosh. Po nuk duhet ikur, në këtë kohë, nuk duhen kërkuar rrugë të tjera.

Pyetja e tretë lidhej me politikat, që po vënë në jetë qeveritë, si përgjigje që i jepet krizës:

“Disa qeveri - kujton Papa - morën masa shembullore, me detyra të dorës së parë të mirëmenduara, për ta mbrojtur sa më shumë e më mirë popullsinë. Por po shikojmë edhe se i gjithë mendimi ynë, na pëlqen apo jo, po rrotullohet gjithnjë rreth ekonomisë. Mund të thuhet se në botën financiare të sakrifikosh duket si gjë krejt normale. E kjo është thjesht kultura e hedhurinës. Prej kreut, deri në fund! E kështu edhe kultura e eutanazisë, legale a e fshehtë qoftë, ajo që të moshuarave ua jep ilaçet deri një farë pike. Mendoj  për enciklikën e Palit VI, për Humanae Vitae. Kur flitej për pilulën, e Pali VI paralajmëronte valën e neomaltuzianizmit, që sot e shikojmë në seleksionimin e njerëzve, sipas mundësisë për të prodhuar, për të qenë të nevojshëm: e kjo është kultura e hedhurinës! Të pastrehët mbeten të pastrehë! I pashë këto ditë në një fotografi, në Las Vegas, të vënë në karantinë në mes të një parku. Sepse i pastrehi nuk mund të shkojë në hotel. Edhe kur hotelet janë bosh! E këtu shihet qartë teoria e hedhurinës!”.

Së fundi gazetari e pyeti Françeskun si mund të jetohen këto Kreshmë e këto Pashkë kaq të jashtëzakonshme. I kërkoi edhe një mesazh të posaçëm për pleqtë e izoluar, të rinjtë e mbyllur në shtëpi e për të gjithë ata, që vijojnë të varfërohen për shkak të krizës:

“Ju po më flisni për pleqtë e izoluar. Jetojnë në vetmi e distancë. Sa pleq -u përgjigj Françesku - kanë fëmijë, që nuk shkojnë t’i shikojnë as në kohë normale! Më kujtohet, në Buenos Ajres, kur vizitoja shtëpitë e pleqve e pyesja si shkonin punët në familje. “Ah, mirë, mirë fort” - gjegjeshin. “Po vjen kush t’ju vizitojë?”. “Vijnë, vijnë, gjithnjë”. Pastaj infermierja më thoshte se kishin kaluar gjashtë muaj nga koha kur fëmijët e tyre qenë dukur në këtë vend, ku i kishin mbyllur prindërit. Në vetmi, braktisje, larg nga gjithkush e nga gjithçka dëshironin. E kjo, edhe pse të moshuarit vijojnë të jenë rrënjët e të rinjve. E i riu ka gjithnjë nevojë për rrënjë, edhe kur është plot me gjethe të gjelbërta. Po rrënjët i duhen. Ndryshe nuk mund të japë fryte.

Njerëzit, që u varfëruan nga kriza, janë të mashtruarit e sotëm, që u shtohen të “zhveshurve” të përhershëm. Ç’kuptim ka sot humbja e gjithçkaje, parë në dritën e Ungjillit? Ungjilli na kujton se duhet të hyjmë në botën e tyre, ta kuptojmë atë, që deri dje kishte, e sot nuk ka më asgjë. Këtë u kërkoj njerëzve: të kujdesen për pleqtë e të rinjtë. Të përgjigjen për këta  njerëz, që nuk kanë tjetër gjë, veç shpirtit.

E kjo më kujton një varg të Virgjilit: çastin kur Enea i mundur në Trojë, humbi gjithçka e i mbetën vetëm dy rrugëdalje: o të rrinte aty duke dënesur e t’i jepte fund jetës, ose të bënte çka ia donte zemra, të ikte në mal, për t’u larguar nga lufta. Një varg domethënës: “U dorëzova e, si e mora mbi shpinë tim atë, u nisa kah malet”. Është ajo, që duhet të bëjmë të gjithë sot: të marrim  rrënjët e traditave tona e të ngjitemi mbi male”. Domethënë, në kërkim të rrugëve të reja!

08 prill 2020, 11:13