Kërko

Elena_The_Big_Issue_UKaem.jpg

Papa, gazetave të rrugës: faleminderit për historitë tuaja të shpresës

Përmes të varfërve fitojmë vetëdije mbi ç’po na ndodh. Kështu shkruan Papa Françesku, në një mesazh për gazetat, që shpërndahen nga vullnetarët, imigrantët dhe të pastrehët, në vështirësi, për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Realitet, gjithnjë, në zemër të Papës.

R.SH. - Vatikan

Nuk janë fletë të thjeshta letre, por shenjë e dinjitetit të rigjetur, shenjë e ringjalljes së fituar falë një pune, që nuk të lë të padukshëm për shoqërinë; janë zë krejt i veçantë, që shkon nga pëshpëritja te britma kundër kushteve të padrejta. Kjo është historia e më se 100 gazetave të rrugës, të cilave u drejtohet Papa Françesku, në një letër, duke i quajtur “të jashtëzakonshme”, duke i inkurajuar të vazhdojnë punën e tyre edhe përballë vështirësive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Çmimi më i lartë

          Ati i Shenjtë kujton  se “në botën tonë, që ndodhet para shumë sfidave të vështira për t’u përballuar e, të shtypur nga pandemia, jeta e miliona njerëzve ka ndryshuar e është vënë në provë”, por natyrisht, problemet më të mëdha i kanë ata, që jetojnë në rrugë.

          “Njerëzit më të ligshtë, të padukshmit, njerëzit pa strehë, ka rrezik të paguajnë çmimin më të lartë”, shkruan Françesku. Për ta shqetësohet Papa, për ata, që i shesin gazetat e rrugës, “shumica e të cilëve – pohon – janë të pastrehë, njerëz krejtësisht të mënjanuar, të papunë: mijëra njerëz, që në të gjithë botën, jetojnë dhe e kanë një punë falë shitjes së këtyre gazetave të jashtëzakonshme”.

Përvoja e gazetave të rrugës

Është një realitet, shpjegon Papa, ku bëjnë pjesë më se 100 gazeta rruge nga e gjithë bota, botuar në 35 shtete të ndryshme, në 25 gjuhë. Rëndësia e tyre kryesore: janë burim të ardhurash për më se 20.500 të pastrehë. Në Itali, Papa kujton “përvojën e mirë të ‘Scarp de’ tenis’, projekti i Karitasit, që u jep mundësi më se 130 njerëzve në vështirësi të kenë të ardhura dhe të fitojnë të drejtat themelore të qytetarisë”.

Më të fortë se më parë

          Koronavirusi u ka krijuar shumë probleme këtyre realiteve, prandaj, Papa Françesku u shpreh afërsinë e tij, duke shpresuar në një të ardhme më të mirë. Sipas Atit të Shenjtë, pikërisht puna e gazetave të rrugës nxjerr në pah edhe historitë e shumta të shpresës, që nuk mungojnë në botën e të mënjanuarve.

          “Këto ditë, të shikojmë të varfërit mund të na ndihmojë edhe ne të vetëdijësohemi për ç’po ndodh e për gjendjen tonë të vërtetë”.

Dëshmi e varfërisë

          Papa Françesku ka treguar gjithnjë vëmendje për gazetat e rrugës. Në fillim të papnisë së tij, u ka dhënë atyre tre intervista. Më 27 tetor 2015, u është përgjigjur pyetjeve të gazetës holandeze “Straatnieuws”. Bisedë, në të cilën pati treguar për fëmijërinë e tij në Argjentinë e për jetën e përditshme në Vatikan. “Duhet të vazhdoj të flas për gjërat, ashtu siç janë”: pohon Papa, kur e pyesin pse ngul këmbë në tema si të mënjanuarit e refugjatët. Thotë se e ndjen këtë si “detyrë” e flet mbi dëshirën e tij “për një botë pa të varfër”, për të cilën duhet luftuar gjithnjë, duke pasur parasysh tre “t”-të: trabajo (punën), techo (shtëpinë) dhe tierra (tokën).

          “Kisha duhet të flasë, duke thënë të vërtetën e duke dëshmuar: dëshmia e varfërisë. Nëse besimtari flet për varfërinë, ose për të pastrehët e kalon një jetë prej faraoni: …kjo s’mund të bëhet”.

Të veshim këpucët e të tjerëve

          Në shkurt 2017, para vizitës baritore në Milano, Papa u intervistua nga “Scarp de’ tenis”, gazeta e rrugës, lindur në kryeqendrën lombarde në vitin 1994. Papa Françesku foli për mikpritjen e të varfërve, e cila, sipas Atit të Shenjtë, duhet të ecë paralelisht me integrimin. Ndërmjet të varfërve, pati thënë atëherë, ka solidaritet, “sepse e ndiejnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin”. E kur u japim lëmoshë, duhet t’i shohim si njerëz e jo si të kishim përpara ndonjë qen. Papa vuri në dukje se nuk është e lehtë “të veshësh këpucët e tjetrit”, pasi nevojiten aftësi të mëdha për t’i kuptuar njerëzit, për të kuptuar çastet dhe gjendjet e vështira.

          “Shpesh, për ta plotësuar këtë mungesë shpirtmadhësie, pasurie e humaniteti, themi tepër fjalë. Flasim. Flasim. Japim këshilla. Por, kur ka vetëm fjalë, ose fjalë të tepërta, nuk e kemi atë ‘shpirtmadhësi’ për t’i veshur këpucët e të tjerëve”, theksonte Papa për “Scarp de’ tenis”.

Mendje, zemër e duar

          Gjithnjë në vitin 2015, Papa i pati dhënë një intervistë edhe gazetës së Villas në Buenos Ajres, “La Carcova”, shpërndarë nga vullnetarët për banorët e lagjeve të varfëra në periferinë e kryeqytetit argjentinas. Pyetje kolektive, lindur spontanisht e pastaj, formuluar në Shtëpinë e Shën Martës nga atë Pepe, famullitari i kishës së shën Gjon Boskos. Kalohej nga politika në Argjentinë në realitetin e tmerrshëm të drogës dhe në mundësinë për ndryshime edhe kur duket sikur gjithçka është e humbur nëse ia beson jetën Zotit e i kërkon ndihmë Shpirtit Shenjt. Françesku ndalej edhe në konceptin e “përkatësisë” në vatrën familjare, në trashëgiminë për t’ua kaluar fëmijëve, të cilët duhen marrë për dore e duhen shoqëruar në udhët e fesë. Të rinjve u kërkonte të ndjekin tri udhë, në mënyrë që nga “të rinj-muze”, të cilët dinë shumë, por mbeten të mbërthyer në botën virtuale, të shndërrohen në “të rinj që ndiejnë”.

          “Më pëlqen të flas për tri gjuhët: gjuhën e mendjes, gjuhën e zemrës dhe gjuhën e duarve. Duhet të ketë harmoni ndërmjet të trijave. Në mënyrë që ti ta mendosh atë që ndien, ta ndiesh atë që mendon e atë që bën dhe, ta bësh atë që ndien e që mendon. Kjo është konkrete. Të mbetesh gjithnjë në planin virtual është si të jetosh vetëm me kokë, pa trup”.

27 prill 2020, 12:05