Kërko

1586632955002.JPG

Papa, Natën e Pashkëve: me Ty, o Krisht, kryqi kthehet në ringjallje

Mesazh shprese, homelia e Papës Françesku në kremtimin e Natës së Pashkëve, në një kohë kur një virus i padukshëm merr jetë njerëzish anëmbanë botës. Por guri i varrit i hequr nga Jezu Krishti, nënvizoi Ati i Shenjtë, e mundi vdekjen edhe për ne e për të gjithë ata, që po vuajnë, për shkak të pandemisë së Covid 19.

R.SH. - Vatikan

Në të Shtunën e Madhe, nga altari i katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, në orën 21.00, Papa Françesku kryesoi kremtimin e Natës së Pashkëve. Riti i bekimit të zjarrit u bë nën Altarin e Rrëfimit (nën të cilin ndodhet varri i Shën Pjetrit). Procesioni fillestar u përvijua nga Altari i Rrëfimit në Altarin e Katedrës, duke kaluar, anash, pranë “altarit të Shën Jozefit”. Siç ishte njoftuar, nuk u përgatit qiriu i Pashkëve e natyrisht, nuk kishte besimtarë, prandaj nuk u bë as riti i ndezjes së qirinjve për ta. Por, u ruajt ndezja progresive e dritave në Bazilikë, deri në ndriçimin e plotë të saj, që u kurorëzua me himnin e “Lavdit” (Gloria). Nuk u kremtuan pagëzimet, që zakonisht, janë traditë Natën e Pashkëve, por, pa dyshim, u rinovuan premtimet e pagëzimit.

Ora e Nënës

 E Shtuna e Madhe është dita e heshtjes së Zotit deri në Natën e Pashkëve, që është ora e Nënës, e cila pret, ashtu në heshtje, me zemrën e shporuar nga dhimbja, pasi e pa të Birin të përqeshur e të gozhduar në kryq. Heshtje, që ndërpritet nga “Nëna e të gjitha netëve”, siç e quante shën Augustini. E “Aleluja”, që këndohet sërish, hyn triumfuese në errësirën e vdekjes, për të lajmëruar se jeta nuk përfundon tek guri i varrit. Ja homelia e plotë e Papës Françesku, në këtë Natë Shenjte:

“Pas të shtunës” (Mt 28,1) gratë shkuan te varri. Kështu filloi Ungjilli i kësaj Nate Shenjte, me të shtunën. Është dita e Treditëshit të Pashkëve, që e lëmë më shumë pas dore, të zënë siç jemi me pritjen drithëruese për të kaluar nga kryqi i së Premtes në alelujen e së Dielës. Por, këtë vit, po e ndiejmë më shumë se kurrë të Shtunën e Madhe, ditën e heshtjes së madhe. Mund ta gjejmë veten në ndjenjat e grave, atë ditë. Si ne, edhe ato e kishin ende në sy dramën e vuajtjes, të asaj tragjedie të papritur, që ndodhi tepër shpejt. E kishin parë vdekjen e kishin vdekje në zemra. Dhimbja shoqërohej nga frika: a do të kishin të njëjtin fund si Mësuesi? E pastaj, frika për të ardhmen, gjithçka për t’u rifilluar nga e para. Kujtesa, plot plagë; shpresa, krejt e mbytur. Ishte ora më e errët për to, ashtu si edhe për ne.

Mos hiqni dorë nga dashuria, edhe në orën më të errët

Por në këtë situatë, gratë nuk paralizohen. Nuk u nënshtrohen forcave të errëta të vajtimit e të keqardhjes, nuk mbyllen në pesimizëm, nuk i ikin realitetit.  Bëjnë diçka të thjeshtë e të jashtëzakonshme: përgatisin parfume për trupin e Jezusit, në shtëpitë e tyre. Nuk heqin dorë nga dashuria: në errësirën e zemrës, bëjnë të shkëlqejë mëshira. Të Shtunën, në ditën që do t’i kushtohet asaj, Zoja lutet dhe shpreson. Duke sfiduar dhimbjen, beson në Zotin. Këto gra, pa e ditur, në errësirën e asaj të Shtune, përgatisnin “agimin e ditës së parë të javës”, ditë, që do të ndryshonte historinë. Jezusi, si fara në tokë, po përgatitej të lindte një jetë të re në botë; e gratë, me lutje dhe dashuri, e ndihmonin shpresën të lulëzonte. Sa njerëz, në ditët e trishtuara që jetojmë, kanë bërë e bëjnë si ato gra, duke mbjellë filiza shprese! Me gjeste të vogla kujdesi, dashurie, lutjeje.

Mos kini frikë: ja, lajmi i shpresës

Në agim, gratë shkojnë te varri. Atje engjëlli u thotë: “Mos kini frikë. Ai nuk është këtu, është ringjallur” (vv. 5-6). Para varrit, ato dëgjojnë fjalë jete... E pastaj, takojnë Jezusin, autorin e shpresës, që ua konfirmon lajmin dhe u thotë: “Mos kini frikë” (v. 10). Mos kini frikë, mos kini frikë: ja, lajmi i shpresës. Është për ne, sot. Janë fjalët, që Zoti na përsërit në natën, që po kalojmë.

Sonte, fitojmë një të drejtë themelore, që nuk do të na mohohet kurrë: të drejtën për të shpresuar. Është shpresë e re, e gjallë, që vjen nga Zoti. Nuk është thjesht optimizëm, nuk është rrahje shpatullash, ose inkurajim i rremë. Është dhuratë nga Qielli, që nuk mund ta gjejmë vetë. “Gjithçka do të shkojë mirë”, themi me këmbëngulje këto javë, duke u kapur pas bukurisë së humanitetit tonë e duke nxjerrë nga zemra fjalë inkurajuese. Por, ndërsa ditët kalojnë e frika shtohet, edhe shpresa më e guximshme mund të avullojë. Shpresa e Jezusit është ndryshe. Dikon në zemra sigurinë që Zoti di ta kthejë gjithçka për mirë, sepse edhe nga varri bën të dalë jeta.

Të mos vëmë gurë sipër shpresës

Varri është një vend, ku hyhet e nuk dilet. Por Jezusi doli për ne, u ngjall për ne, për të sjellë jetë, aty ku ka vdekje, për të filluar një histori të re, aty ku i ishte vënë një gur sipër. Ai, që e hoqi gurin nga hyrja e varrit, mund të heqë edhe gurët, që na e mbyllin zemrën. Prandaj, të mos dorëzohemi, të mos vëmë gurë sipër shpresës. Mund dhe duhet të shpresojmë, sepse Zoti është besnik. Nuk na la vetëm, erdhi të na vizitojë: erdhi në çdo gjendje tonën, në dhimbje, në ankth, në vdekje. Drita e tij ndriçoi errësirën e varrit: sot, dëshiron të arrijë në qoshet më të errëta të jetës. Motër, vëlla, edhe nëse e ke varrosur shpresën e zemrës, mos u dorëzo: Zoti është më i madh. Errësira dhe vdekja nuk e kanë fjalën e fundit. Guxim, me Zotin, asgjë nuk është e humbur!

Me Ty, o Krisht, kryqi kthehet në ringjallje

Guxim: është fjalë, që në Ungjij, del gjithmonë nga goja e Jezusit. Vetëm një herë e shqiptojnë të tjerët, për t’i thënë një nevojtari: “Guxim! Ngrihu, [Jezusi] po të thërret!” (Mk 10,49). Është Ai, i Ringjalluri, që na ngre ne, nevojtarëve. Nëse je i ligshtë dhe i brishtë gjatë rrugës, nëse bie, mos ki frikë, Zoti ta shtrin dorën dhe të thotë: “Guxim!”. Por ti, si don Abbondio, mund të thuash: “Guximin, askush s’ia jep dot vetes” (I Promessi Sposi, XXV). Nuk mund t’ia japësh, por mund ta marrësh, si dhuratë. Mjafton t’ia hapësh zemrën lutjes, mjafton ta ngresh pak atë gur të vendosur në hyrjen e zemrës, që ta lësh dritën e Jezusit të hyjë. Mjafton ta ftosh: “Eja, o Jezus, hyr në frikën time e më thuaj edhe mua: Guxim!”. Me Ty, o Zot, do të sprovohemi, por nuk shqetësohemi. Dhe, çfarëdo trishtimi të banojë në ne, do ta ndiejmë se duhet të shpresojmë, sepse me Ty, kryqi kthehet në ringjallje, sepse Ti je me ne në errësirën e netëve: je siguri në pasiguritë tona, Fjalë në heshtjet tona, dhe asgjë nuk mund të na e vjedhë kurrë dashurinë, që ndien për ne.

Të dërguar nga Krishti, ta çojmë shpresën në jetën e përditshme

Ja kumti i Pashkëve, kumt shprese. Ai përmban një pjesë të dytë, dërgimin. “Shkoni për t’iu thënë vëllezërve të mi që të shkojnë në Galile” (Mt 28,10), pohon Jezusi. “Ai ju paraprin në Galile” (v.7), thotë engjëlli. Zoti na paraprin. Është mirë ta dimë se Ai ecën para nesh, se e ka vizituar jetën dhe vdekjen tonë, për të na paraprirë në Galile, pra, në vendin që Atij dhe dishepujve të Tij u kujtonte jetën e përditshme, familjen, punën. Jezusi dëshiron që ne ta sjellim shpresën atje, në jetën e përditshme. Por për dishepujt, Galileja ishte edhe vendi i kujtimeve, sidomos, i thirrjes së parë. Kthimi në Galile do të thoshte të kujtoheshin se ishin dashur dhe thirrur nga Zoti. Secili prej nesh ka Galilenë e vet. Kemi nevojë ta vazhdojmë atë udhëtim, duke kujtuar se jemi lindur dhe rilindur nga një thirrje dashurie falas. Kjo është pika, nga ku duhet rifilluar gjithmonë, veçanërisht në kriza, në kohë sprove. Kujtesa e Galilesë personale...

Të çojmë kudo këngën e jetës

Por ka edhe më. Galileja ishte rajoni më i largët nga vendi ku ndodheshin, nga Jeruzalemi. Dhe jo vetëm gjeografikisht: Galileja ishte vendi më larg shenjtërisë së Qytetit të Shenjtë. Ishte zonë e populluar me njerëz të ndryshëm, që ushtronin lloj-lloj kultesh: ishte “Galileja pagane” (Mt 4,15). Jezusi i dërgon atje, u kërkon të rifillojnë nga ai vend. Çfarë na tregon kjo? Se kumtimi i shpresës nuk duhet të kufizohet brenda gardhit tonë kishtar, por duhet t’u çohet të gjithëve. Sepse të gjithë duhet të inkurajohen e, nëse nuk e bëjmë ne, që jemi prekur nga “Fjala e jetës”, kush tjetër mund ta bëjë? Sa bukur kur jemi të krishterë, që ngushëllojnë, që mbajnë barrën e të tjerëve, që inkurajojnë: lajmëtarë të jetës në kohë vdekjeje! Në çdo Galile, në çdo rajon të atij njerëzimi, të cilit i përkasim e na përket, sepse të gjithë jemi vëllezër dhe motra, të çojmë këngën e jetës! T’i heshtojmë klithmat e vdekjes, mjaft me luftra! Të ndalet prodhimi dhe tregtia e armëve, sepse kemi nevojë për bukë e jo për pushkë. Të ndalen abortet, që vrasin jetën e pafajshme. Të hapen zemrat e atyre që kanë, për të mbushur duart e zbrazëta të atyre, që u mungojnë edhe gjërat më të nevojshme.

Shtrëngohemi rreth Teje, o Jezus i Ringjallur

Në fund, gratë “përqafuan këmbët” e Jezusit (Mt 28,9), ato këmbë, që për t’u takuar me ne, bënë një udhë të gjatë, aq sa hynë e dolën edhe nga varri. Gratë përqafuan këmbët, që e shkelën vdekjen dhe hapën rrugën e shpresës. Ne, shtegtarë në kërkim të shpresës, sot, shtrëngohemi rreth Teje, o Jezus i Ringjallur. I kthejmë shpinën vdekjes dhe ta hapim zemrën Ty, që je Jeta.

11 prill 2020, 22:42