Kërko

09645_04062017 ok.jpg

“Dhurata e bukur” e Papës, në ditën e emrit

Kisha kujton sot Shën Gjergjin martir; është dita e emrit të Papës Françesku. Me këtë rast, disa respiratorë do të dorëzohen në Rumani, Spanjë dhe Itali, vende veçanërisht të prekura nga epidemia e koronavirusit. Është përgjigje për nevojat e disa spitaleve, njoftuar që më 27 mars. Papës po i vijnë urime nga e gjithë bota.

R.SH. - Vatikan

Mos merr, por jep. Kjo është fryma, me shije krejt ungjillore, që e dallon ditën e sotme, në të cilën Kisha përkujton shën Gjergjin martir, vdekur në vitin 303, pasi nuk e mohoi fenë, gjatë persekutimeve të perandorit Dioklecian kundër të krishterëve. Për të, tradita kujton se, i mbrojtur nga Kryqi, vrau kuçedrën që përpinte njerëzit: simbol i fesë, që triumfon mbi të keqen.

Dita e emrit e Papës Françesku

Kjo është dita, në të cilën festohet edhe emri i Jorge Mario Bergoglio-s, Papës Françesku. E pikërisht sot, me dëshirën e Atit të Shenjtë, u bëhen dhuratë disa spitaleve të botës, aparate për frymëmarrjen dhe materiale mjekësore si, maska, syze mbrojtëse për mjekët dhe infermierët, tuta për terapinë intensive. Ato do të dërgohen në qytetin Suceava të Rumanisë, vatër koronavirusi në vend, ku priten 5 aparate për frymëmarrje të teknologjisë së fundit; 2 të tjerë do të shkojnë në spitalin e Leçes, në Itali, dhe 3, në Madrid të Spanjës.

Përqafimi i Françeskut

 “Shenjë e bukur, në këtë ditë të veçantë, në të cilën Ati i Shenjtë nuk merr dhurata, por ua jep ato të tjerëve”: kështu pohoi kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtari Apostolik, duke treguar për dorëzimin e afërt të materialeve, që e quan “përqafim të Papës, në situatën e vështirë për gjithë botën”. Rumania po përjeton një emergjencë të vërtetë në qytetin e vogël Suceava, ku do të shkojnë aparatet për frymëmarrje, pasi në të janë përqendruar pothuajse 25% e rasteve të përgjithshme kombëtare me koronavirus. Qyteti, i cili ndodhet në rajonin më të varfër të vendit e të Bashkimit Evropian, së bashku me disa komuna përreth, është në karantinë. Në Rumani viktimat e kanë kaluar shifrën 515, ndërsa të infektuarit janë pothuajse 10 mijë. Aparatet për frymëmarrje dhe i gjithë materiali i dhuruar nga Papa do të transportohen në tw njëjtin avion, me të cilin do të udhëtojë edhe ekipi i 11 mjekëve dhe i 6 punonjësve shëndetësorë rumunë, dërguar më 7 prill nga qeveria e Bukureshtit në spitalin e Lecco-s, për të punuar krah Italisë, në çastin më të vështirë të betejës kundër koronavirusit.

Ndihmë për Spanjën dhe Italinë

Ndërkaq, nunciatura dhe kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Carlos Osoro Sierra, do të kujdesen për dorëzimin e tre aparateve të frymëmarrjes destinuar për Madridin. Spanja është mbyllur në shtëpi deri më 9 maj. Numri i të prekurve me koronavirus e kalon 208 mijëshin, viktimat janë mbi 21 mijë, ndërsa të shëruarit, pothuajse 86 mijë. Ndërsa, dy aparatet e frymëmarrjes për spitalin e Leçes do të dorëzohen sot nga vetë kardinali Krajewski. Në udhëtimin e kthimit në Vatikan, Lëmoshtari i Papës do të ndalet në Napoli, për të marrë ilaçet e destinuara për të varfërit e Romës. “Ashtu si kafja e paguar - shpjegon kardinali – kryeipeshkvi promovoi ilaçet e paguara. Për ta falënderuar Papën, për afërsinë e tij gjatë emergjencës së koronavirusit, janë përgatitur ilaçe për të varfërit e Romës”. Disa ditë para Pashkëve, spitalit Cotugno në Napoli i mbërritën, drejtpërdrejt nga Vatikani, dy ventilatorë për mushkëritë, pajisje mjekësore për mjekët dhe infermierët, por edhe vezët e Pashkëve. Vitin e kaluar, gjithnjë në ditën e emrit e përmes Lëmoshtarisë Apstolike, Papa Françesku u dhuroi Rruzaret e realizuara për DBR-në e Panamasë, të rinjve të kryedioqezës së Milanos, si edhe një vezë çokollate 20 kilogramëshe të varfërve të mensës së Karitasit në Stacionin Termini të Romës.

Urimet për Papën

 Këto orë, Papës po i mbërrijnë urime nga e gjithë bota, për ditën e emrit. Në mesazhin e tij për Pashkët, presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, e pati falënderuar Françeskun për “fjalët e gjalla plot jetë e shpresë”, që i ka drejtuar disa herë vendit, duke e uruar me përzemërsi edhe për ditën e emrit.

Photogallery

Kardinali Krajewski merr në dorëzim aparatet për frymëmarrje
23 prill 2020, 12:25