Kërko

Në përgatitje të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar në Budapest Në përgatitje të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar në Budapest 

Papa e shtyn për vitin 2021, Kongresin Eukaristik në Budapest

Pandemia e Covid-19 e shtyn edhe takimin kishtar, që do të mbahej në kryeqytetin hungarez, në shtator. Për Vatican News, kryeipeshkvi Piero Marini, kryetar i Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, siguron: është mundësi për ta përgatitur më mirë, shpresoj ta ndihmojë Evropën të reflektojë për rrënjët e saj.

R.SH. - Vatikan

Është koha, kur rishkruhen agjendat, zhvendosen ngjarje të mëdha e fillojnë përgatitjet për periudhën pas koronavirusit, me shpresën se grumbullimi i mijëra njerëzve nuk do të jetë më utopi. Pas shtyrjes së Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë dhe të Takimit Ndërkombëtar të Familjeve në Romë, edhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kishtare, që do të mbahej në shtator të këtij viti, shtyhet për shtatorin e vitit 2021. Është fjala për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar të Budapestit.

 Në një deklaratë, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, thekson se gjendja aktuale shëndetësore dhe “pasojat e saj mbi zhvendosjen dhe grumbullimin e besimtarëve e të shtegtarëve” e nxitën Papën që, në bashkëpunim me Komitetin përkatës Papnor dhe me ipeshkvijtë hungarezë, “ta shtyjë Kongresin e 52-të Eukaristik Ndërkombëtar” në shtator 2021. I kërkuam një koment imzot Piero Marinit, autoritetit më të lartë vatikanas për këto Kongrese. Pikërisht, kryetarin e Komiteti Papnor për organizimin e tyre e pyetëm me ç’lloj vlerësimesh u arrit në këtë vendim:

Vlerësimet qenë këto: u mor parasysh qëndrimi i pëgjegjësve të Shëndetit e të Higjienës, jo vetëm në Vatikan, por edhe në botë. Ata nuk mund të garantojnë sot, që në muajin shtator gjithçka do të jetë kthyer në normalitet, përfshirë fluturimet ajrore dhe komunikimet. Është kongres ndërkombëtar,me njerëz që vijnë nga të gjitha anët e botës… më duket se deri tani ishin bërë më se 60 mijë regjistrime. Prandaj, nuk mund ta kremtonim në siguri Kongresin Eukaristik, pasi nuk e dimë nëse vendet tona do të jenë të lira nga pandemia.

Ju keni marrë pjesë në Kongrese të ndryshme eukaristike ndërkombëtare, për të cilat janë dashur vite përgatitjeje. Ç’mendim keni për këtë lloj “pezullimi”?

Ky pezullim është – të themi – një kohë, që i krijon pak vështirësi Komitetit lokal, sepse do t’u duhet të lidhen sërish me të regjistruarit, me të ftuarit për Simpoziumin teologjik dhe të rishikojnë pak të gjitha qëndrimet. Nga ana tjetër, ky vit përgatitjeje më shumë është edhe mundësi për t’u thelluar më mirë në temën e Kongresit. Është mundësi për t’i bërë gjërat më qetë. Unë kam marrë pjesë në disa Kongrese Eukaristike, duke filluar nga Quebec, pastaj Dublin, pastaj Cebu, por kurrë deri tani, nuk kam parë një interes kaq të madh për një Kongres Eukaristik e kurrë regjistrimet nuk kanë qenë kaq të shumta.

Tema e zgjedhur për Kongresin e Budapestit është “Janë në Ty, të gjitha burimet e mia”. Tingëllon si ftesë për të parë ç’është më e rëndësishme, sidomos në këtë periudhë pasigurie e frike…

Po, tema është marrë nga një Psalm (87), janë fjalë drejtuar Jeruzalemit: “Janë në Ty, të gjitha burimet e mia”. Natyrisht, duhet të mendojmë se gurra e të gjitha burimeve është Zoti - “janë në Ty, të gjitha burimet e mia” – sidomos Eukaristia.

Ç’dëshironi t’i thoni popullit të Kongreseve Eukaristike e, në veçanti, Kishës hungareze?

Në veçanti, Kishës hungareze i them se kjo është kohë e volitshme për ta përgatitur edhe më mirë Kongresin e vitit 2021. Shpresojmë që pandemia të ketë marrë fund e njerëzit të marrin pjesë në numër edhe më të madh nga ç’ishin prenotuar këtë vit. Kongresi Eukaristik është i rëndësishëm, së pari, për pozicionin gjeografik të Hungarisë, vend paskomunist. Mendoj se është i tillë edhe për Evropën, e cila duhet të reflektojë mbi rrënjët e veta. Uroj që ky Kongres i vitit të ardhshëm të jetë rast, që e bën të reflektojë Kishën dhe shoqërinë mbi faktin se vërtet, gjithçka varet nga Eukaristia, së paku, për ne katolikët e besimtarët. Fjalët e Jezu Krishtit janë Ungjilli ynë e gjestet e Tij janë bërë Sakramentet tona: për ne, është themelore ta shohim këtë gjatë Kongresit.

23 prill 2020, 15:06