Kërko

Papa: coronavirus, politikanët e shkencëtarët të gjejnë rrugën e dobisë së popujve, jo të parave

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku u lut që qeveritarët dhe shkencëtarët të gjejnë rrugën e drejtë për t’i dhënë fund krizës së shkaktuar nga Covid-19, rrugë në favor të njerëzve. Në homeli kujtoi se jemi para dy rrugëve! Mund të zgjidhet rruga e jetës së popujve, ose ajo e zotit para! Nëse zgjidhet paraja, zgjidhet udha e urisë, e skllavërisë, e luftërave, e fabrikave të armëve, e fëmijëve pa shkollë e pa edukatë. O Zot - u lut Papa - na ndihmo të zgjedhim udhën e së mirës, në favor të gjithë njerëzve!

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës, Meshën e së hënes të Tetëditshit të Pashkëve. Fjalët e para, në hyrje të Meshës, ua drejtoi  politikanëve e shkencëtarëve:

“Të lutemi sot, për qeveritarët, shkencëtarët, politikanët, që kanë nisur ta studiojnë rrugëdaljen, pas pandemisë; këtë ‘pas’, e cila tashmë ka filluar: që të gjejnë udhën e  drejtë, gjithnjë në favor të njerëzve, gjithnjë në dobi të popujve”.

Gjatë homelisë, Françesku komentoi faqen e sotme ungjillore (Mt 28, 8-15), në të cilën Krishti i ngjallur u duket disa grave, duke i nxitur t’i lajmërojnë apostujt të nisen për në Galile: atje do ta shikojnë! Ndërkaq - kujton ungjilltari - priftërinjtë i bëjnë për vete ushtarët, që ruajnë varrin, duke ua mbushur mendjen se dishepujt e Jezusit kishin shkuar aty natën   dhe e kishin vjedhur trupin e Krishtit, ndërsa ata flinin. Ungjilli - pohoi Papa - propozon dy zgjidhje, me vlerë edhe për sot: udhën e shpresës për ngjalljen e Krishtit ose atë të nostalgjisë së varrit. Kështu edhe në përpjekjen për t’i dhënë fund e kësaj pandemie, mund të zgjidhen dy rrugë: rruga e jetës, e ringjalljes së popujve, ose rruga e zotit para. Në se zgjidhet paraja, domethënë se zgjidhet rruga e urisë!

Më poshtë, teksti i plotë i homelisë së Papës:

“Ungjilli i sotëm na flet për mundësinë e zgjedhjes ndërmjet dy rrugëve, mundësi e përditshme, njerëzore: ndërmjet gëzimit, shpresës së ngjalljes së Jezusit e asaj të nostalgjisë së varrit!

Gratë vrapojnë e sjellin lajmin: Zoti niset gjithnjë nga gratë, gjithnjë. Gratë hapin rrugët. Nuk dyshojnë; e dinin; e panë; e prekën! Panë edhe varrin e zbrazët. Eshtë e vërtetë se dishepujt nuk u besuan e thanë: ‘Epo, këto gra ndoshta kanë pak si tepër fantazi!’. Domethënë, dyshonin. Ndërsa ato ishin të sigurta. E me atë siguri ecën nëpër udhët e shekujve, deri më sot!  E dinin dhe e dinë se Jezusi u ngjall, se është i gjallë ndërmjet nesh. Po ka edhe më:  për ndokënd është më mirë të mos jetosh me varrin bosh! Sepse kur nuk i shërbejmë Zotit të vërtetë, i shërbejmë një zoti tjetër, zotit para. E këtu duhet të kujtojmë fjalët e Krishtit: janë dy zotërinj, Zoti Hyj e zoti para. Nuk mund t’u shërbehet të dyve! E pikërisht për të dalë  nga ky realitet, priftërinjtë, doktorët e ligjit, zgjodhën rrugën tjetër, atë, që ua hapte zoti para. Paguan heshtjen! Heshtjen e dëshmitarëve. Një nga rojet, sapo vdiq Jezusi, pati dëshmuar: 'Vërtet ky njeri ishte Biri i Zotit!'. Ndërsa këta, të varfërit, nuk kuptojnë, kanë frikë se mund t’u shkurtohet koka… e nisen e shkojnë te priftërinjtë. E ata i paguan, paguan heshtjen, e ky është korrupsion i pastër! Është e vërtetë se shumëkush nuk e dëshmon Jezusin, sepse nuk e njeh, ngaqë ne nuk ia kumtuam, e ky është faji ynë.  Po tjetër gjë është kur e merr me vetëdije këtë rrugë, rrugën e djallit, rrugën e korrupsionit. Të paguam e hajt, mbylle gojën! Edhe sot, përballë  rrugës së ardhshme - shpresojmë se do të gjindet shpejt - kur të marrë fund kjo pandemi, do të jemi para të njëjtave rruzëgjidhje: o do të zgjedhim rrugën e jetës, rrugën e ringjalljes së popujve, ose rrugën e zotit para; rrugën  e rikthimit në varrin e urisë, të skllavërisë, të luftërave, të fabrikave të armëve, të fëmijëve pa shkollë e pa edukatë… rrugën e varrit!”.  

13 prill 2020, 09:30