Papa: askush nuk duhet ta shfrytëzojë këtë çast dhimbjeje, për të përfituar prej tij

Gjatë Meshës, kremtuar si çdo mëngjes në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Françesku i kërkoi Zotit të na dhurojë ndërgjegje të pastër e dëshirë për të bërë gjithnjë mirë në këtë kohë kaq tragjike. Në homeli ftoi për t’u ruajtur nga tundimet, të cilat nisin prej gjërave të vogla e më pas të bëjnë të biesh në mëkat, duke ua ngjitur dhe të tjerëve e edhe duke u shfajsuar.

R. SH. - Vatikan

Antifona e hyrjes të së shtunës së Javës V të Kreshmëve, e shkëputur nga Psalmi i famshëm 21, është një nga më tronditëset. Nis ky Psalm me fjalët e fundit shqiptuar nga Krishti në Kryq: “Zoti im, Zoti im, pse më  braktise?”. E me këto fjalë, britmë e fortë e të pafajit, që kërkon ndihmë, e filloi Papa Meshën e sotme në Shën Martë. Për të vijuar me lutjen e përgjëruar: “Mos rri larg meje, o Zot! Nxito, Ti, forca ime! Ndihmomë, sepse unë jam krimb e jo njeri, turp e marre, i denjë për t’u tallur nga të gjithë”. E, në hyrje të kremtimit, duke kujtuar çastet e vështira, që po kalon mbarë njerëzimi këto ditë të ngarkuara me ankth e sidomos prirjen e ndokujt për ta shfrytëzuar këtë situatë kaq e rëndë, u lut edhe që askush të mos përfitojë nga pandemdia për interesat e veta:

“Në këto çaste të trazuara, çaste vështirësish e dhimbjeje, njerëzve u krijohet mundësia të bëjnë shumë vepra të mira. Por nuk mungojnë as ata, të cilëve u lind ideja të bëjnë gjëra të pabukura, ta shfrytëzojnë çastin e të përfitojnë për vete, të mbushin xhepat e veta, pa e përfillur fare çka ndodh rreth tyre! Të lutemi që Zoti t’u japë të gjithëve ndërgjegje të pastër, transparente, që të mund t’i çojnë sytë kah Ai i Lumi pa u turpëruar!”.

Në homeli Françesku komentoi Ungjillin e Gjonit (Gjn 11, 45-56),  që na kujton vendimin e Sinedrit për ta mbytur Jezusin, pas shenjës së mrekullueshme të ngjalljes së Lazrit. Vendim ky, që merret pas një procesi  të mirëmenduar, i cili nis me tundimin e pastaj shkallëzohet, duke arritur tek mëkati. Tundimi rritet e rritet e dalëngadalë u ngjitet edhe të tjerëve, si sëmundja e ligë. Pastaj shfajsohet, duke e ndryshuar zemrën. Pas gjithë këtij tundimi është dinakëria e djallit, që dëshiron ta shkatërrojë Jezusin. Shpirti Shenjt na e shndritët mendjen e zemrën në këto çaste të vështira tundimi - u lut Papa.

Françeku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë ata, që e ndiqnin përmes televizionit, të bëjnë Kungimin shpirtëror.

Në përfundim, lutja e Papës:

O Krisht, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo  të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”

Para se Papa të largohej nga Kapela kushtuar Shpirtit Shenjt, u këndua kënga mariane “Ave Regina Caelorum” (Të Falem Mbretëreshë e Qiellit):

“Të falem, Mbretëreshë e Qiellit, Zoja e Engjëjve; Ti portë e rrënjë e shëlbimit! Sille dritën mbi botë. Gëzoju, Virgjër e Lume, Ti më e bukura mbi   gjitha gratë; të falemi, o gjithëshenjte, lutju Krishtit për ne!”.

04 prill 2020, 09:24