Kërko

Covid-19, kontrolle shëndetësore në Nigeri Covid-19, kontrolle shëndetësore në Nigeri 

Nga Papa, një fond për zonat e misionit, të prekura nga virusi

Kontributi fillestar i Papës Françesku është 750 mijë dollarë. Kishat që kanë mundësi, kërkon Ati i Shenjtë, të kontribuojnë përmes Veprave Misionare Papnore. Kardinali Tagle: një rrjet, në ndihmë të miliona njerëzve në nevojë.

R.SH. - Vatikan

Nuk përmendet dhe aq, sepse pas Kinës, Perëndimi është “vatra më e madhe” e infeksionit nga koronavirusi. Në të vërtetë, shifrat tregojnë për një pandemi, hija e së cilës po zgjatet edhe mbi kontinentet e Jugut të botës, sidomos në Amerikën Latine, por edhe në Afrikë. Për Kishën Katolike, këto janë pjesërisht zona misioni, ku mungesa e mjeteve për t’i bërë ballë Covid-19, mund të krijojë gjendje tejet të vështira. Ja përse Papa vendosi t’i ndihmojë këto zona, duke themeluar një fond emergjence, në kuadrin e Veprave Misionare Papnore, ku ka vendosur tashmë një shumë të parë prej 750 mijë dollarësh.

Kisha, shpesh, struktura e vetme shëndetësore

“Ati i Shenjtë po e fton të gjithë rrjetin e Kishës të përballet me sfidat, që ka përpara”, komenton kardinali Luis Antonio Tagle për Agjencinë katolike të lajmeve Fides, me mirënjohje të madhe për këtë vendim të Papës Françesku. “Në kuadrin e detyrës së saj të ungjillëzimit - kujton prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve – Kisha, shpesh, është në vijën e parë të frontit, kur kërcënohet dinjiteti i njeriut. Vetëm në Afrikë, ka mbi 74.000 murgesha dhe mbi 46.000 meshtarë, që administrojnë 7.274 spitale e klinika, 2.346 shtëpi për të moshuarit dhe të ligshtit, si edhe arsimojnë e edukojnë mbi 19 milion fëmijë në 45.088 shkolla fillore. Në shumë zona fshati, këta janë të vetmit, që ofrojnë asistencë shëndetësore dhe arsim”.

Askush nuk është vetëm në këtë pandemi

Synimi i Papës është që institucionet kishtare, të cilat kanë mundësi dhe duan të ndihmojnë, të kontribuojnë në këtë fond, përmes Veprave Misionare Papnore në çdo vend, pasi ato janë kanali zyrtar i mbështetjes së Papës për më shumë se 1.110 dioqeza, veçanërisht në Azi, Afrikë, Oqeani dhe në një pjesë të rajonit të Amazonës. Sipas kreut të Veprave Papnore Misionare, kryeipeshkvit Giampietro Dal Toso, falë këtij rrjeti, mund “të dëshmohet se askush nuk është i vetëm në këtë krizë”. “Ndërsa shumë njerëz vuajnë,  - nënvizon imzot Dal Toso, gjithnjë për agjencinë Fides – le t’i kujtojmë e të arrijmë tek njerëzit, të cilët mund të mos kenë askënd që kujdeset për ta, duke u dëshmuar kështu dashurinë e Zotit Atë”.

Për ata që dëshirojnë të kontribuojnë, ja të dhënat: IT84F020080505075000102456047 (SWIFT UNCRITMMM) për: Amministrazione Pontificie Opere Missionarie (Administrata e Veprave Misionare Papnore), duke specifikuar: Fondo Corona-Virus.

07 prill 2020, 12:28