Koronavirusi e gratë Koronavirusi e gratë 

Nëse politika dhe ekonomia do ta pranonin thirrjen e Papës

“Rruga e drejtë” është ajo “në favor të njerëzve”. Me këto fjalë, Papa Françesku e këshillon botën për përparësitë e administrimit të krizës aktuale pandemike dhe i tregon rrugën e së ardhmes, kur emergjenca do të ketë përfunduar, por kriza ekonomike do të mbetet. Të Hënën pas Pashkëve, Ati i Shenjtë pati një mendim edhe për gratë e për “gjithçka bëjnë në këto kohë emergjence”. Me ne, ekonomisti Luigino Bruni.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, të Hënën pas Pashkëve, bëri një thirrje të fuqishme për “pushtetarët, shkencëtarët, politikanët”, duke u kërkuar të punojnë për dobinë e popujve e jo për paranë dhe duke kujtuar dramën e korrupsionit.

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi rolin e grave, në vijën e parë për kujdesin ndaj njerëzve, në këto kohë koronavirusi: që nga gratë e sektorit mjekësor e shëndetësor, tek punonjëset e rendit, që kujdesen për zbatimin e ligjit, tek punonjëset e dyqaneve, që sheshin mallra të rëndësishme për mbijetesën, tek gratë, që u duhet të përdorin krijimtarinë, me familjen në izolim e që, shpesh, pësojnë dhunë.

Duke reflektuar më tej mbi fjalët e Papës, bota duhet të fillojë të mendojë për strategjitë e mundshme të administrimit të kësaj krize, për të këqijat, që vijnë nga pabarazitë dhe korrupsioni, por edhe për rolin, që mund të kenë ato gra, të cilat zhvillojnë një logjikë të ndryshme nga ajo e pushtetit të më të fortit në politikë.

Bruni: nevojiten alternativa ndaj logjikës së pushtetit ekonomik

         Duhet të shohim problemet më të rënda, që përhapen në vendet, ku nuk ka sinergji ndërmjet politikës dhe shkencës e ku nuk merren parasysh nevojat e njerëzve të thjeshtë, thotë në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatikan News, profesori italian i Ekonomisë Politike në Universitetin romak “Lumsa”, Luigino Bruni. Nuk mund të harrohet se çdo përparësi e ekonomisë, ose e kapitalit, nuk mund të vlejë kurrë aq sa jeta e një njeriu të vetëm. Gjithashtu, e kemi për detyrë t’i nxjerrim në dritë disa përgjegjësi, që i rëndojnë pasojat dhe vuajtjet e pandemisë: pabarazitë e thella shoqërore, korrupsionin dhe mospagimin e taksave. Pa këto të këqija, një vend si Italia, për shembull, mund të jetë më i pajisur për të përballuar emergjencat e, sidomos, më i fortë në marrëdhëniet me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. E pastaj, nënvizon më tej Bruni, kemi nevojë absolute për një alternativë në krahasim me logjikën e shterpët të pushtetit, i cili, në një botë, që deri tani është udhëhequr nga burrat, pasqyron disi logjikën mashkullore: në këtë kuptim, kemi nevojë për logjika alternative, për logjikën femërore të dialogut, të ndërmjetësimit, të kërkimit të së mirës së përbashkët, përfundon Luigino Bruni.

14 prill 2020, 12:57